Martin Braithwaite është lojtari më i pasur i Barcelonës, falë vendimeve të tij të zgjuara rreth biznesit, jashtë fushës së futbollit.
Ai fiton katër milionë euro në sezon në Camp Nou, megjithatë është puna e tij jashtë fushës që e ka rritur pasurinë e tij.
U zbulua nga Forbes në vitin 2020 se Braithwaite kishte fituar një shumë të madhe parash nga investime të tjera dhe, në atë kohë, ishte vetëm pas Lionel Messit në skuadrën e Barcelonës për pasurinë e përgjithshme.
Ai investoi në një biznes të pasurive të patundshme me xhaxhain e tij në vitin 2017 dhe sigurisht që ishte vendim i duhur. Ata tani kanë pasuri të paluajtshme me vlerë mbi 250 milionë euro në zona si Nju Jorku, Filadelfia, Jersey dhe San Antonio.
Përveç parave nga futbolli dhe pasuritë e paluajtshme, danezi ka një biznes shumë të suksesshëm veshjesh, të cilin e drejton me partneren e tij Anne-Laure Louis.
Vetëm për të shtuar, ai zotëron gjithashtu një restorant në Barcelonë të quajtur Gave.
Nga zhgënjimi te Middlesbrough, te kalimi në Barcelonë
Ka qenë një udhëtim i madh për sulmuesin danez, i cili ishte te Middlesbrough midis viteve 2017 dhe 2019.
Atje, megjithatë, ai arriti të gjente rrjetën vetëm nëntë herë.
Ai pati periudha huazimi në Bordeaux dhe Leganes gjatë asaj kohe dhe ishte kjo e fundit që ai do të nënshkruante në vitin 2019.
Për shkak të situatave të pazakonta në të cilat Barcelona ka arritur të gjendet në vitet e fundit, ai u ble më pas nga klubi katalanas në shkurt 2020 si një nënshkrim urgjent. Ata aktivizuan klauzolën e tij të lirimit prej 18 milionë eurosh.
Që atëherë, ai ka arritur të rrisë ndjeshëm pasurinë e tij dhe, me Messin që është larguar, ai tani besohet të jetë lojtari më i pasur në klub. /Telegrafi/