Njësia administrative e Niklës në bashkinë e Krujës ka një përbërje sociale komplekse dhe histori të trashëguar me krimin, por ekspertët e rendit dhe sigurisë publike theksojnë se janë instrumentalizimi politik dhe aleancat me politikanë që i kanë fuqizuar eksponentët kriminalë të kësaj zone. Ky material është përgatitur nga gazetarja Klodiana Lala dhe është një bashkëpunim mes Rrjetit BIRN dhe Zërit të Amerikës.
Rrugët janë të zbrazura dhe shtëpitë të rrethuara me mure të larta. Në mure dhe në shtyllat prej betoni të energjisë elektrike janë të instaluara dhjetëra kamera sigurie, të cilat mbajnë nën vëzhgim vigjilent lëvizjen më të vogël.
Vetëm 17 kilometra larg Tiranës, zona e Niklës në bashkinë e Krujës njihet ndryshe si djepi i krimit. Klane të ndryshme në këtë zonë, herë në aleancë dhe herë në rivalitet me njëri-tjetrin e shtrinë ndikimin e tyre përtej Niklës, duke u ofruar strukturave të krimit të organizuar shërbime të kushtueshme si vrasjet me pagesë.
Autoritetet ligj-zbatuese shqiptare besojnë se këto shërbime për botën e krimit sollën konflikte, nga ku burojnë një seri e gjatë ngjarjesh të rënda kriminale – përfshirë rrëmbime, grabitje me armë, atentate të stilit mafioz dhe vrasje, të cilat e kanë transformuar këtë zonë në një arenë të përgjakur.
Mes tyre spikat vrasja në mars të vitit 2024 e ish-policit të burgjeve, Gentjan Bejtja, i cili u kishte mbijetuar tre atentateve të mëparshme me armë zjarri dhe eksploziv. Në njërin prej këtyre atentateve në korrik 2023, mbeti i vrarë kunati i tij 29-vjeçar dhe iu plagosën dy fëmijët e mitur.
“Gentiani derisa ndodhi që iu plagosën fëmijët, e derisa iu vra dhe kunati në derë të shtëpisë ka ardhur këtu, unë kam qenë tek spitali me gjithë gruan. Që prej asaj dite, deri ku a vra ka qenë në shtëpi këtu. Unë me gruan ishim në kopsht, sa erdhëm këtu dëgjuam krismat. Atje e gjetëm të vdekur sa kishte hyrë në serë për të vaditur,” tregon Gani Bejtja, babai i viktimës.
Historia e Niklës si një vatër e nxehtë e kriminalitetit shkon pas prej më shumë se dy dekadash. Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi kujton se kjo zonë njihej si problematike që në fillimet e karrierës së tij në polici.
“Unë kur ka filluar karrierën time në vitin 92’, se e kam filluar në Krujë, mbaj mend që ishte një zonë shumë problematike, zonë shumë e nxehtë, ishin eksponentët e parë të gangsterëve të asaj kohe,” kujton Prençi.
“Fillimisht aty është filluar me gjobëvënie, me vrasje, me grabitje, ndërsa për 30 vite detyrimisht ata janë fuqizuar dhe kanë përsosur veprimtarinë e tyre kriminale,” shton ai.
Pas vitit 1997 dhe periudhës së anarkisë që pasoi kolapsin e firmave rentiere, vrasjes së deputetit Azem Hajdari në vitin 1998 dhe Luftës në Kosovë në vitin 1999, eksponentë të krimit nga zona e Niklës u përfshinë edhe në akte sabotazhi me frymëzim politik.
Sipas Spartak Poçit, ish-ministër i Rendit Publik në vitet 1999-2000, kjo ndodhi në kushtet e një përplasjeje të vazhdueshme mes dy forcave kryesore politike që drejtonin vendin në atë kohë, Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike.
“Kishte akte sabotazhi të tilla si rrëmbime personash, bllokime rrugësh ku do kalonin politikanë për të lëvizur për në Shqipëri dhe hedhjen në erë të shtyllave elektrike, të cilat ishin akte të mirëfillta sabotazhi me karakter politik, por dhe me tendencë për të destabilizuar në mënyrë masive rendin dhe besueshmërinë e popullsisë karshi qeverisjes,” tregon Poçi.
Megjithë ngarkesën kriminale me të cilën përballet zona e Niklës, drejtuesit aktualë të Policisë së Shtetit theksojnë që shumica e qytetarë të kësaj zone e zbatojnë ligjin dhe e respektojnë komunitetin e tyre.
“Nikla është një njësi administrative, si të gjitha njësitë e tjera administrative që ka Shqipëria. Në Nikël jetojnë qytetarë të cilët përgjithësisht e zbatojnë ligjin, zbatojnë rregullat e bashkëjetesës. Është fakt që zona e Niklës, tradicionalisht ka patur më të përhapur vetëgjyqsinë dhe në raport me njësitë administrative të tjera të vendit, krimet kundër personit në mënyrë të veçantë, kanë pasur një tendencë dhe zhvillim më të madh,” thotë Tonin Vocaj, drejtor i Policisë Kriminale.
Lidhjet politike besohet se ndikuan në fuqizimin e grupeve kriminale të zonës. Një hetim i Prokurorisë së Posaçme i bazuar në zbërthimin e aplikacionit të koduar ‘Sky ECC’, ka hedhur dritë rishtazi mbi lidhjet politike dhe fuqinë ekonomike të organizatave kriminale që operojnë në zonën e Fushë-Krujës dhe Lezhës, ku mes tyre figurojnë dhe ish-deputetë të Partisë Socialiste dhe familjarë të tyre.
“Fillimisht këta jepnin e merrnin me këta të opozitës, por ajo nuk i afroi në pozicione politike. I përdorte për vota, i përdorte për akte të sabotazhit, i përdorte për bllokim të rrugëve edhe për mitingje që bëheshin këtu në Tiranë. Më vonë, këta u lidhën me partinë që ishte në pushtet dhe natyrisht, dora-dorës filluan të kërkonin dhe poste dhe siç kam dëgjuar më vonë, disa prej tyre kanë shkuar në vendet që lamë neve në parlament,” thekson ish-ministri i Rendit, Spartak Poçi.
Lidhjet e politikës me krimin e organizuar nuk janë një problem i izoluar dhe prezent vetëm në zonën e Niklës. Ato shtrihen thellë në territorin e vendit dhe përbëjnë një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri.
“Kryesorja e krimit të organizuar sot është që ata të jenë të fuqishëm ekonomikisht dhe këtë gjë e realizojnë nëpërmjet aktivitet të tyre kriminal, por dhe alencave të tyre që krijojnë, sidomos me politikën, pasi ajo i jep akses për ta fuqizuar më tepër aktivitetin e tyre,” thotë ish-kreu i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi.
Sipas Prençit, institucionet ligjzbatuese në vend duhet të veprojnë shpejt për t’i shkëputur lidhjet mes politikës dhe grupeve të krimit të organizuar në vend./VOA