Site icon Telegrafi

Si u bë konsull nderi i Shqipërisë në Afrikë, indiani që kërkohej për pastrim parashë

Skandali i dy vëllezërve indianë që kërkohen nga autoritetet e vendit të tyre për vjedhjen dhe pastrimin e 1 miliardë dollarëve amerikanë, përfshin institucionet më të larta në Shqipëri.

Sipas mediave indiane, arrestimet e para për skandalin e “Sterling Biotech” janë kryer në nëntor të vitit 2017. Dy muaj më vonë, në janar të 2018-ës Byroja Qendrore e Hetimeve në Indi, listoi si të kërkuar dy vëllezërit, Nitin dhe Chetan Sandesara.

Por edhe pse ishte në kërkim Nitin Sandesara ia doli që një muaj më pas të merrte nënshtetësinë shqiptare, përmes një procedure të veçantë, siç informoi zyra e presidentit.

“Janë zbatuar procedurat ligjore me propozimin e Ministrisë së Turizimit dhe Mjedisit, për shkak të angazhimit për realizimin e investimeve të rëndësishme elitare në vendin tonë”, thuhej në reagimin zyrtar të Presidencës.

Pra ministria e Blendi Klosit ka propozuar që dy vëllezërit në kërkim për vjedhjen dhe pastrimin e 1 miliardë dollarëve, të pajisen me shtetësi shqiptare me argumentin se do të kryenin investime në Shqipëri.

Por skandali thellohet më tej. Pas marrjes së nënshtetësisë shqiptare, Nitin Sandesara zgjidhet nga ministria e Jashtme si Konsull Nderi i Shqipërisë në Nigeri.

Sipas Ceremonialit Zyrtar, konsulli i nderit emërohet me propozim të ambasadës ose ministrisë së Jashtme të vendit pritës, pra në këtë rast nga ministria e Jashtme e Nigerisë ose ambasada e këtij shteti në Romë.

Duke sqaruar këtë procedurë si reagim ndaj skandalit të publikuar në Top Channel, ish ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati hoqi përgjegjësinë nga vetja duke theksuar se verifikimi i konsujve i takon një strukture tjetër.

“Procedurat për emërimin e konsujve të nderit janë të përcaktuara qartë. Në çdo rast janë agjencitë e specializuara që kryejnë verifikimin e pastërtisë së personit”, tha Bushati në reagimin e tij.

Ish ministri i Jashtëm Bushati dje ka bërë leksion gazetarie, duke e fshehur përgjegjësinë pas institucioneve të tjera, por ai duhet të tregojë sa ishte çmimi i këtij emërimi, pasi natyrisht indiani u zgjodh të bëhet konsull në Afrikë, jo sepse ishte diplomat, as sepse kishte dashuri për Shqipërinë, por sepse ishte i pasur.

Dështimi i organeve të rendit dhe SHISH-it për të verifikuar pastërtinë e Nitin Sandesaras, është njëra anë e skandalit.

Ana tjetër është se në koordinim të përbashkët, dy ministri të qeverisë shqiptare, ajo e Turizmit, e drejtuar nga Blendi Klosi dhe ministria e Jashtme në atë kohë e drejtuar nga Ditmir Bushati, i kanë dhënë imunitet diplomatik një personi, i cili ka vjedhur 1 miliardë dollarë, një pjesë e të cilave ishin vendosur që të pastroheshin në Shqipëri.

Mediat në Tiranë është arrestuar biznesmeni nga India i cili ka lidhje familjare me një tjetër afarist nga ky shtet, por që jetojnë në Shqipëri.

Ky i fundit, ditë me parë, u prit nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Mediat lokale në vendin e largët aziatik raportojnë se mbi këtë dyshe rëndon akuza për shpëlarje parash në vlerë mbi 600 milionë dollarë.

Por, këshilltarët e Haradinajt thonë se mysafiri i kryeqeveritarit nuk ka dosje kriminale.

Exit mobile version