Site icon Telegrafi

Si u kap në Greqi studentja e mjekësisë me 13 kilogram drogë në valixhe

Zbardhen detaje nga arrestimi i studentes së Fakultetit të Mjekësisë, e cila u kap në flagrancë me një valixhe me drogë teksa shkonte në Greqi. Emiljana Kokoni është kapur në tentativë për të trafikuar një sasi prej më shumë se 13 kg kanabis sativa. 22-vjeçarja nga Lushnja ka qenë në mbikëqyrjen e agjentëve të Antidrogës greke dhe është ndaluar pasi ajo është pajisur gjatë rrugës për në Athinë me një valixhe me drogë.

Mesa duket, policia ka rënë në gjurmët e saj pasi ka pasur në mbikëqyrje persona të tjerë që e kanë implikuar vajzën nga Lushnja në linjën e trafikut të drogës. Policia e ka arrestuar atë Igumenizë.

Sipas të dhënave nga hetimi i kryer, Emiljana Kokoni kishte marrë një taksi në Sarandë dhe më pas ka kaluar Qafe-Botën deri në doganën greke. Pasi ka zbritur në doganë, 22-vjeçarja ka marrë autobusin e linjës Mavromat- Igumenicë.

Deri në Igumenicë rezulton se ajo ka pasur me vete vetëm një çantë dore. Por në fshatin Asproklis të Igumenicës, vajza shqiptare i ka kërkuar për një moment shoferit të ndalojë autobusin. Aty një person i paidentifikuar i ka dhënë asaj një valixhe. 22- vjeçarja ka ndaluar në stacionin e Igumenicës, ku ajo ka zbritur dhe po priste autobusin e radhës për në Athinë.

Por në këtë moment ka ndërhyrë policia, ku i ka kërkuar të hapte valixhen që kishte me vete. Sipas Policisë greke, sapo është konstatuar lënda narkotike, ata kanë arrestuar 22-vjeçaren, ndërsa valixhja bashkë me drogën është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Valixhja dyshohet se ka kaluar nga kufiri i gjelbër deri në Asproklis, ku i është dorëzuar më pas lushnjares që u arrestua në stacion. Pas kontrollit, në valixhen e saj janë gjetur dhe sekuestruar 4 pako me 13 kg e 616 gramë lëndë narkotike, ndërsa dyshohet se kishte si destinacion përfundimtar Athinën.

Policia nuk bëri të ditur detaje në lidhje me dëshminë e vajzës, nëse ajo ka pranuar të bashkëpunojë, apo ka mohuar të ketë pasur dijeni se çfarë kishte brenda valixhja që ajo e ka marrë gjatë rrugës. /Panorama/Telegrafi/

Exit mobile version