Nga: Gunnar Ahlstrom
Pas shumë hezitimesh, diskutimesh, zvarritjesh dhe pikëpyetjesh edhe pa përgjigje, Akademia suedeze, i jep më 1901 dhe për herë të parë Çmimin Nobel të Letërsisë, Sully Prudhomme-s, anëtar i Akademisë franceze.
Vendimi u bë publik në Stokholm, më 10 dhjetor 1901. Ja si shkruan një nga gazetat suedeze: “Pra nuk zgjidhet as Tolstoi, as Ibsen, as Bjôrnson, as Mommsen, as Swinburne, as Zola, as Anatole France, as Carducci, as Mistral, as Hauptmann as edhe Echegaray, por zgjidhet Sully Prudhomme”.
Ky konstatim, me negativitet si dhe me hamendjet e tij, fsheh një debat të gjatë në vazhdim. Ai shfaq një farë situate të brendshme të vendit i cili jep Çmimin, dhe po ashtu ndriçon në një farë mënyre, situatën letrare në vendin e fituesit. Duke parë se Franca ishte zgjedhur vendi, i cili dukej që do të priste dhënien e Çmimit, brezat e ardhshëm mund të pyesin se përse nuk iu dha Zolës apo Anatol France-t. Kritika letrare foli për një gjuhë ndryshe të përdorur nga personalitetet e kohës. Çmimi Nobel, ishte një terren i veçantë, i mbjellë nga një tokë akademike, me mendimtarë të rëndësishëm brez pas brezi, me njohuri të rrënjosura nga një ideal thelbësor. Për shumë vite me radhë, fjala “ideal” diku e rrezikshme, duhej patjetër të luante një rol tepër të rëndësishëm në diskutimet relative për dhënien e Çmimit, duke u peshuar mirë në zgjedhjen e kandidatëve fitues.
Në vitin 1900 u hap biblioteka e cila do të ndiqte zhvillim e literaturës botërore, dhe mes anëtarëve të Akademisë, u krijua një Komitet special i ngarkuar të punonte për përgatitjen e dhënies së çmimit. Thembra e Akilit ishte Sekretari i Përgjithshëm i Akademisë, Dr. Carl David af Wirsén. Si poet ai ishte tepër kërkues, katolik dhe po aq paqësor. Si kritik i letërsisë moderne, kishte një karakter luftarak. Mbështetur në rregulloren e vendosur për dhënien e çmimit, të gjitha aktet e kandidaturave duhet t’i nënshtroheshin kontrollit të Akademisë suedeze nga Akademia franceze, spanjolle dhe suedeze; sekretarët e burimeve njerëzore të Akademive të tjera; anëtarë të institucioneve dhe shoqatave të ngjashme me Akademinë, nga profesorë të universiteteve, mësues të estetikës, të letërsisë dhe historisë. Propozimet duhet t’i paraqiteshin Akademisë para 1 shkurtit 1901. Rrjeta u hodh në gjithë Evropën dijetare.
U prit me muaj të kapej peshku i gjetur. Hap pas hapi filluan të vijnë përgjigjet nga njëri vend në tjetrin. Ato filluan të analizohen nën fshehtësinë më të madhe. Kërshëria rritej dhe kjo për arsye që kuptoheshin. Bëhej fjalë për një shumë të konsiderueshme të hollash në jetën letrare. “Shkrimtarët e huaj për herë të parë, fillojnë të shohin larg, drejt Akademisë në Stokholm”, shkruante një figurë e shquar suedeze. Tani, pas kaq vitesh, kur mund të zbulojmë sekretin e fshehur prej kohësh nëpër dokumentet e vjetra, jemi të lumtur të ndjekim çdo etapë mbështetur në ato që dëshmohen. Bëhej fjalë për një anketë internacionale, të paparë ndonjëherë, dhe konstatohet me kënaqësi që Akademia e vogël e mjekrave të bardha (të vjetra) kaq herë e kritikuar, po shfaqej plotësisht në lartësinë e duhur për misionin e saj të vështirë e fisnik. Të gjitha përgjigjet e ardhura nga vendet e ndryshme me fletoren zyrtare, ishin regjistruar me kujdes sipas rendit alfabetik të dërguesve për t’u shpërndarë më pas të rikopjuara, tek gjithë anëtarët e Akademisë, në përgjithësi dhe Komitetit Nobel në veçanti.
Në krah të Sekretarit të Përgjithshëm me shpirt luftarak, ndodhej një profesor i historisë tepër i njohur në gjuhën romane, po ashtu në letërsi; gjuhëtar i shquar i gjuhëve skandinave herë pasardhës e herë homonim i Esaias Tégner, “mjekra klasike” e Suedisë, i vetmi poet cilësor, Konti Carl Snoilsky, drejtor i Bibliotekës mbretërore të Stokholmit.
Britania e madhe, ky vend ishullor, gjithmonë i rezervuar, paraqitet një njollë e bardhë në hartë. Asnjë propozim, asnjë emër i shënuar. Polonia prezantohet hijshëm me Henry Sienkiewicz-in kandidatura e të cilit mbrohej me inteligjencë nga dy historianë të njohur suedez. Gjermania një vend me kokën pas nga impulset energjike të Guillaume II, kërkon t’i dëgjohet zëri në një dokument (plein d’emphase). Një profesor në Dresden rekomandon me forcë që të merret në konsideratë një këngëtar pothuajse i panjohur, për “talentin e tij lirik tepër të madh”.
Gjuhëtari roman, me në krye profesorin e vjetër të Ienas, W.Cloetta, e kthejnë kokën nga bregu i Rinit dhe i Ronit duke tërhequr vëmendjen tek një poet provincial, Frédéric Mistral. Përballë këtyre veprimeve të shpërndara, shpesh me kërshëri, siguria e rutinës bie në përgjigjet e herëpashershme të Francës, vend nga i cili prej shumë kohësh, jemi mësuar të marrim të veçanta akademike të rekomanduara. I madhi Marcelin Berthelot nuk ka nevojë për shumë fjalë në prezantimin e kandidaturës së Emil Zola-s. I zgjedhur në Akademinë franceze më 1900, në cilësinë e anëtarit, propozon një shkrimtar të frymëzuar nga shkencat natyrale dhe liberalizmi demokratik. Edmond Rostand nuk ka nevojë as ai për elozhe të shumta : u propozua nga Paul Hervieu në garancinë e Cyrano de Bergerac dhe Aiglon. Gjithçka është shprehur qartë dhe në mënyrë të përmbledhur.
Larg hapësirave të Parnasse-t, pak i njohur si jashtë si edhe në Suedi, bëhej fjalë për René Vallery-Radoti-n, cili u bë shkak i një veprimi të bashkërenduar në favor të biografisë së vjehrrit të tij “Jeta e një Pastori”. Duke qenë se ishte nipi i Eugène Sue dhe Emile Legouvé-t, bashkëpunëtori i parë i Buloz-it tek “Revue des deux Monde”», (Revista e dy Botëve) ai ishte familjarizuar me sukseset e letërsisë. Nuk do të gabohej supozimi që prania e tij mes nobelistëve rezulton si goditje e fortë alarmi. Të gjithë shfaqën mendimin se “Jeta e një Pastori” është një vepër letrare e jashtëzakonshme në kuptimin e idealizmit.
Zhurma e kësaj fushate kishte mbërritur deri në Paris dhe u hapi rrugën manifestimeve të pakënaqësisë nga ana e Kolegjit të Francës ku Paul Meyer rekomandon Mistral, me një shënim anësor: “Vallery-Radot propozuar nga Vogué, është një arritje…”. Një rrëmujë e tillë nuk kishte gjë tjetër për qëllim, veçse të shpërqendronte vëmendjen e Komitetit.
Sully Prudhomme hyn mes kandidaturave të nobelistëve nga një tekst tepër i rëndësishëm datuar më 10 janar 1901 dhe firmosur nga Gaston Paris, Gréard, Paul Bourget, Gaston Boissier, André Theuriet, Henry Houssaye, François Coppée, Ludovic Halévy, Henri de Bornier, José-Maria de Hérédia, Jules Lemaitre, C.de Freycinet e Emille Deschanel. Tekst aprovohet po ashtu edhe nga Emile Olivier, Costa de Beauregard e Emile Faguet. Ky manifestim masiv i natyrës gjysmë zyrtare, eklipsoi në votimin e shpërndarë shteteve të tjera si Italia, Greqia, Norvegjia madje dhe vetë Suedia ku Gaston Paris ishte rekomanduar nga një kolegët e tij adhurues, në Universitetin e Upsalas.
Me gjithë këto ndërhyrje të gjata, zgjedhja nuk ishte dhe aq e vështirë, ku pas marrjes së vendimit përfundimtar nga Akademia në një seancë plenare më 14 nëntor, Sully Prudhome, u lajmërua se çmimi i ishte akorduar “në mirënjohje të meritave të veçanta që ai ka treguar si autor deri në vitet e fundit, dhe në veçanti për poezinë e tij e cila dëshmon një idealizëm të arrirë, në një përsosmëri artistike dhe me një ndërthurje kaq të rrallë të cilësive të shpirtit dhe të gjeniut”. Që në 19 nëntor mbërriti një letër me një përgjigje tepër elegante ardhur nga Châtenay, vendi ku ai banonte. “Ndiej krenari të pakufishme dhe lumturohem duke menduar nderin e një instance kaq të lartë dhe kërkuar nga shumë shkrimtarë të tjerë më lartë se unë, kjo fitore i shkon atdheu tim, të cilit i detyrohem për këtë nderim e vlerësim të veprës sime”. Dhe duke qenë se këtu nuk bëhet fjalë vetëm për fitore, por edhe 208.950 franga, fituesi jep me kënaqësi të dhënat e llogarisë së bankës në Paris. Publiku nuk ishte ende në dijeni dhe fituesit i ishte lutur, të mbante fshehtësinë, derisa të behej dorëzimi zyrtar i çmimit më 10 dhjetor, datë e vdekjes së Alfred Nobel. Dihej mirë që profesor Roentgen, ndodhej në Grand Hotel, dhe prania e tij kuptohej, ishte e justifikuar për Çmimin në Fizikë. Vetëm të ftuarit e dinin që ambientet për letërsinë nuk do të ziheshin. Që në fillim, Sully Prudhomme, kishte deklaruar se për arsye të një sëmundjeje të gjatë, nuk mund të paraqitej. Kjo në fakt i prishte pak planet e organizimit. Prania e tij nën uniformë, natyrisht që do të bënte efektin e vetë të veçantë gjatë ceremonisë.
Jetohej në atë epokë ku zinin vend fjalët e mëdha me frazat e gjata, të cilat përmbanin një amalgamë kuptimesh nga një anë ezoterike dhe po aq dehëse. Çmimi i akorduar Sully Prudhomme në emër të tij dhe në emër të atdheut, u tërhoq nga Ministri Francës, zoti Marchand, ku “veshja e thjeshtë dhe demokratike”, sipas komenteve të shtypit, “as një kordon në kostumin e tij të zi”, nuk bënte kontrast para shkëlqimit të gjelbër suedez. Por çfarë mendonte vetë Sully Prudhommme i tërhequr në Francë? Disa ditë më vonë i intervistuar nga një gazetar i “Le Figaro”, ai shfaqej i gëzuar dhe i çuditur për çmimin që i ra si nga qielli, po ashtu dhe shuma pothuajse e njëjtë me ato që kishte fituar nga poezitë e tij, në këto tridhjetë e pesë vjet.
“Mendoj kolegët e mi të rinj, të cilët nuk kanë mundësinë të botojnë poezitë në fillimet e tyre. Kam dëshirën që një pjesë t’ua fal atyre që nuk munden të botojnë librin e tyre të parë me poezi. Deri tani kam marrë një lumë kërkesash, shuma e të cilëve e kalon krejt Çmimin”. Sully Prudhomme nuk ishte i pari që u çudit. E papritura nuk ishte po aq e vogël edhe në Suedi, ku çmimi i tij provokoi një reaksion të veçantë. /TCh/