Afazia është një gjendje që ndikon në aftësinë për të komunikuar, për të folur, për të shkruar ose për të kuptuar një fjalë të folur ose të shkruar
Ajo shkaktohet nga lëndime të ndryshme të trurit, si rezultat i një goditjeje, dëmtimi, tumori në tru, sëmundje si çmenduria ose për shkak të një infeksioni.
Sëmundja mund të zhvillohet gradualisht me kalimin e viteve dhe ndonjëherë mund të shfaqet krejt papritur si një episod i përkohshëm i shkaktuar nga një migrenë ose konvulsione.
Afazia mund të prekë njerëzit e të dy gjinive dhe të gjitha moshave, megjithëse është më e zakonshme te të moshuarit, veçanërisht ata që kanë pasur një goditje në tru.
Një person që ka afazi do të ketë vështirësi në gjetjen e fjalës së duhur dhe simptoma të tjera janë:
· Shqiptimi i fjalive të paplota
· Hartimi i fjalive që nuk kanë shumë kuptim
· Përdorimi i fjalëve të trilluara në të folur dhe në të shkruar
· Moskuptimi i njerëzve të tjerë
· Shqiptimi i gabuar i fjalëve ose i fjalive
· Shkrimi i fjalive që nuk kanë kuptim
· Probleme me leximin ose përdorimin e numrave
Ekzistojnë dy lloje kryesore të afazisë. Afazia shqisore ose Wernicke është paaftësia për të njohur fjalët ose fjalitë e folura. Mund të jetë gjithashtu e pranishme pamundësia për të lexuar fjalët në letër.
Njerëzit me këtë afazi më shpesh flasin me fjali të gjata që nuk kanë kuptim, shtojnë fjalë të panevojshme dhe të trilluara dhe nuk janë të vetëdijshëm që njerëzit e tjerë nuk i kuptojnë ato.
Ndërsa afazia motorike ka të bëjë me pamundësinë për të gjetur fjalët e duhura në të folur dhe përdorimin e fjalive të shkurtra.
Përveç kësaj, këta persona mund të kenë probleme me disgrafinë dhe leximin me zë të lartë, si dhe mund të ndodhë paralizë e anës së djathtë të trupit ose dobësi në krahë dhe këmbë në atë anë. Megjithatë, njerëzit me afazi motorike i kuptojnë fjalët e thëna dhe të shkruara dhe kuptojnë se kanë një problem, i cili shpesh i frustron.
Ekzistojnë disa lloje të tjera të afazisë, si afazia globale, transkortikale (motorike, shqisore ose e përzier), përçuese dhe amnestike.
Për të diagnostikuar afazinë, duhet të kryhen disa teste si CT e kokës ose imazhe me rezonancë magnetike.
Si trajtohet afazia?
Pasi të jetë përcaktuar shkaku i problemit dhe lloji i afazisë, personi do të duhet të punojë me një ekspert për defektet e të folurit. Është e nevojshme të fillohet terapia sa më shpejt të jetë e mundur. Një shumëllojshmëri ushtrimesh të të folurit, leximit dhe shkrimit, si dhe disa aplikacione celulare mund të ndihmojnë.
Është jashtëzakonisht e rëndësishme që personat me afazi të komunikojnë sa më shumë, pavarësisht nga mangësitë e tyre dhe të shoqërohen me të tjerët. Mbështetja e familjes është po aq e rëndësishme.
Progresi në vetvete do të varet nga ashpërsia e dëmtimit ose sëmundjes së trurit, mosha e personit dhe shkalla e dëmtimit të të folurit. Barnat që mund të kenë një efekt pozitiv në neurotransmetuesit kimikë në tru po hetohen gjithashtu. /KP