Pas mbylljes së fakulteteve të disperzuara në Fakultetit Shën Qirili dhe Metodi, studentët thonë se do ta kenë të vështirë të udhëtojnë për në Shkup dhe nëpër qytetet e tjera. Por kryetari i Unionit Studentor Shqiptar Egzon Shabani për TV 21 pranon që universitetet e disperzuara kanë pasur nivel të ulët të kualitetit arsimor.
“Duhet me marrë parasysh se studentët janë regjistruar në fakultetet në qytetet e tyre sepse e kanë më lehtë. Nuk e di sa është efikas ky vendim pasi që paraqet shumë problematika tjera të cilët studentët kanë has deri më tash siç është rrugëtimi, pastaj edhe gjendja e vështirë ekonomike te një numër i madh i studentëve”, tha ai.
Nga ana tjetër profesoresha e fakultetit matematikor Mimoza Ristova thotë se me një hulumtim që ka bërë, ka ardhur në përfundim se disperzimi i fakulteteve është dukuri e dëmshme. Ajo tha se prej 100 studentëve të regjistruar deri në vitin e tretë kanë mbetur vetëm me 3 student.
“Thjeshtë shteti urdhëroi që të ketë studime të disperzuara pa bërë analizë. U urdhëroi profesorëve të mbajnë ligjërata, e urdhëroi fakultetin që t’i paguajë profesorët për atë shërbim, u kërkonte dokumente zyrtare për udhëtim që në këtë mënyrë ta varfërojë universitetin natyror-matematikor”, u shpreh ajo.
Ndërkaq OBRM-PDUKM akuzon qeverinë duke thënë se studentët në këtë mënyrë kufizohen dhe mundësia për të krijuar arsimim për të gjithë qytetarët zvogëlohet.
“Arsyeja e vetme se përse është hequr kjo masë është pasi që ideja për studime të disperzuara ka qenë nga OBRM-PDUKM , me qëllim që të sigurojë qasje më të madhe në arsimin e lartë për të gjithë qytetarët”, tha Luka Krzhallovski nga OBRM-PDUKM .
Për këtë ka reaguar edhe Ministria e arsimit dhe shkencës. Në kumtesë thonë se kërkesa për të ndal studimet e dsiperzuara ka qenë kërkesë e vetë fakultetit të Shën Qirilit dhe Metodij pasi që ka pas interes të vogël të studentëve që po regjistrohen. Nga ministria shtojnë se cilësia e studimit është kyçe që në këtë mënyrë diploma të merret me meritë dhe dije, dhe pikërisht për këtë kanë ndal edhe universitetet e disperzuara.