Site icon Telegrafi

Si t’i dalloni shenjat e kancerit të vezoreve

Çdo vit mijëra gra diagnostikohen me kancer ovarial dhe vetëm në Mbretërinë e Bashkuar vdesin 4,100 gra në vit nga kjo sëmundje.

Statistikat tregojnë se shumica e femrave nuk janë të vetëdijshme për simptomat e kancerit të vezoreve, pavarësisht se ky lloj i kancerit është ndër më vdekjeprurësit te gratë, transmeton Telegrafi.

Hulumtimet e kryera nga ‘BMI Healthcare’ sugjerojnë se 40% e femrave pohojnë se kanë simptoma të ngjashme me ato të kancerit të vezoreve, por 70% prej tyre nuk kontrollohen te doktori.

Ndërkaq një në pesë femra nuk e dinë asnjë simptomë të kancerit të vezoreve.

Prandaj, në mënyrë që të rritet vetëdijesimi për këtë sëmundje, doktorët kanë treguar se cilat janë simptomat e kësaj sëmundje të cilat nuk duhet të injorohen.

Simptomat:

* Dhimbje në pjesën e poshtme të barkut ose anash

* Menstruacionet të çrregullta ose gjakrrjedhje vagjinale pas menopauzës

* Fryrje e barkut

* Ënjtje në abdomen

* Dhimbje gjatë seksit

* Ndjenja të ngopjes ose humbje e apetitit

* Dhimbje e shpinës

* Kapsllëk

Ndër tjerash, ekziston edhe një lidhje e fortë mes kancerit të vezoreve dhe moshës. Siç duket, mbi 75% të të gjitha llojeve të kancerit të vezoreve diagnostikohen te gratë mbi moshën 55 vjet. /Telegrafi/

Exit mobile version