Shumë studime tregojnë se si ngjyrat mund të përcjellin qetësi, lumturi, por edhe zymtësi apo trishtim
Pikërisht për këtë arsye është shumë e rëndësishme se çfarë ngjyrash zgjidhni për ambientin ku jetoni çdo ditë, një hapësirë ku gjithkush duhet të ndihet i/e sigurt dhe i/e relaksuar.
Ngjyrat që përdoren zakonisht për muret nuk janë vetëm e bardha, bezha apo grija klasike, por ka një gamë të gjerë nuancash që sugjerohen nga profesionistët e mobilimit.
Por si të zgjidhni ngjyrat që përcjellin lumturinë? Ja disa ide!
Si ndikojnë ngjyrat në humorin tuaj
Karen Haller, një eksperte globale në psikologjinë e aplikuar të ngjyrave dhe dizajnit, thotë se ngjyrat nuk janë vetëm diçka estetikisht e këndshme, por një përgjigje emocionale ndaj ambientit në përgjithësi. Pavarësisht nëse e kuptojmë ose jo, ne kemi reagime të nënvetëdijes sonë ndaj ngjyrave të ambientit të shtëpisë.
Sipas teorisë së psikologjisë së ngjyrave, e verdha përfaqëson lumturinë dhe portokallia gëzimin. Por, besimet kulturore dhe lidhjet personale me ngjyrat luajnë një rol po kaq të rëndësishëm në mënyrën se si i zgjidhni nuancat. Ju mund të keni një përvojë të hidhur me ngjyrën e verdhë, ndaj kjo nuk do të thotë se kjo nuancë përcjell gëzim për ju. Zgjedhja është shumë personale, shkruan Harper’s Bazaar.
Zbuloni “ngjyrat e lumturisë”
Kur bëhet fjalë për ngjyrën, shpesh njerëzit nisen nga preferencat apo idetë që kanë për një tonalitet të caktuar. Por, e bardha, bezha apo grija mund të zgjidhen në versionet e tyre më të lehta nëse doni nuanca të qeta dhe neutrale për më shumë relaks në shtëpi. Personat që janë më të prirur të kenë episode ankthi ose janë nervozë zgjedhin një blu të guximshme apo gri të fortë.
Njerëzit natyrshëm tërhiqen nga jeshilja dhe bluja. Këto ngjyra u kujtojnë atyre të qenit në natyrë dhe aplikimi në shtëpi krijon një mënyrë jetese krejt normale të lidhur me natyrën. Kur njerëzit i shohin këto ngjyra, sistemi shqisor i tyre përgjigjet në mënyrë pozitive.
Krijoni një ndjenjë ekuilibri
Ekspertët nuk refuzojnë idenë e nuancave të forta, por balanca në shtëpi me këto lloj tonalitetesh është formula që duhet për më shumë harmoni dhe qetësi në shtëpi, citon Anabel.
Si përfundim, nuk keni nevojë t’i lyeni muret tuaja në rozë të ndezur për t’u rrethuar nga ngjyra që ju bëjnë të lumtur. Ngjyra është një mënyrë më shumë për të sjellë gëzim në shtëpinë tuaj. Filloni nga pak dhe shikoni se si ndiheni. /Telegrafi/