Mos u panikos! Qetësohu. Ka zgjidhje
Situata është kjo: Shpenzove më shumë para se zakonisht, ndaj duhet t’i gjesh anën për të kursyer. Kështu vendose të lyesh flokët vetë në shtëpi. Por u pendove shpejt, sepse sapo thave flokët dhe u pe në pasqyrë, kuptove se kishin dalë të paktën 2-3 tone më të errët se ajo që ti prisja. Po tani? Qetësohu. Ka zgjidhje.
Përdor një shampo për pastrim të thellë: Nëse lahesh menjëherë, kjo shampo do të bëjë që të shkarkojë një pjesë e mirë e ngjyrës. Por mos harro të përdorësh një maskë flokësh menjëherë pas larjes për të hidratuar flokët që janë sfilitur nga një larje në tjetrën.
Telefono numrin në kutinë e bojës: E dimë, e injoron gjithmonë, por ky numër telefoni ka një arsye pse ekziston. Nëse ngjyra nuk funksionon ose nëse has ndonjë problem tjetër me bojën, operatori i kompanisë në anën tjetër të linjës do të të ofrojë këshilla profesionale se çfarë të bësh më pas.
Pranoje situatën: Sido që të jetë, mënyra më efektive për të “zbardhur” flokët është heqja e ngjyrës. Problemi është se duhet të përdorësh toner për të korrigjuar situatën ose një bojë tjetër më të hapur.
Megjithatë, nëse edhe kjo nuk të ndihmon të arrish rezultatin e dëshiruar, kemi shumë frikë se në fund do të detyrohesh të lesh takim në floktari. /Telegrafi/