Site icon Telegrafi

Si të trajtohet infeksioni vagjinal me kandida?

Kandida është kërpudhë e cila normalisht jeton në vagjinë, ku bashkë me bakteret tjera e mban baraspeshën e pH-së.

Ass. dr. Memli Morina, mr. sci
gjinekolog – obstetër
tel. 045 725 725

Infeksioni me kandida zhvillohet kur këto kërpudha shumohen. Këto infeksione janë të shpeshta dhe ndonëse mund t’ju shqetësojnë shumë, zakonisht nuk janë serioze dhe mjekimi i tyre është i thjeshtë.

Shumimi i kërpudhave ndodhë nëse përdorni deodorant vaginal ose sapun të fortë për pastrim, nëse përdorni antibiotikë, kur keni çekuilibrime hormonale si dhe kur jeni nën stres dhe tension.

Gratë me diabet dhe me imunitet të ulët vuajnë më shpesh nga ky problem.

Shenjat e këtij infeksioni janë kruarja në vagjinë dhe përreth vagjinës, djegia në vagjinë, dhimbja gjatë urinimit dhe gjatë marrëdhënieve seksuale, sekreti i shtuar vaginal i cili ka ngjyrë të bardhë e me copa, skuqja dhe enjtja e vagjinës dhe e labiave.

Mjeku mund ta vendosë diagnozën bazuar në përshkrimin e ankesave që ju keni ose mund të bëjë ekzaminim kur merret pak sekret dhe ekzaminohet nën mikroskop.

Mjekimi bëhet me vaginaleta dhe ankesat do të zhduken pas 2-3 ditësh.

Nuk është mirë që të keni marrëdhënie seksuale derisa ankesat të zhduken krejtësisht.

Zakonisht, partneri juaj nuk ka nevojë që të mjekohet, por është mirë që të konsultoheni me mjekun tuaj për këtë gjë. /Telegrafi/

Exit mobile version