Site icon Telegrafi

Si të shkëlqesh si Kim Kardashian

Ylli i reality show-t “Keeping up with the Kardashians” e cila në Instagram numëron plot 30 milion ndjekës, është bërë personi që çdo stilist kërkon ta veshë dhe që çdo femër kërkon t’i dijë sekretet e bukurisë.

Por Kim asnjëherë nuk është treguar e rezervuar për këto informacione. Pak kohë më parë, ajo ka rrëfyer se për t’i mbajtur flokët të shëndetshëm, i lante flokët një herë në pesë ditë. “Ditën e parë e nisim me një krehje, ditën e dytë bëjmë një model të rrëmujshëm, ditën e tretë i shtrijmë me piastër për një model të lëpirë mbrapa, ditën e katërt bëjmë një bisht dhe dita e pestë është dita e larjes,” ka shpjeguar ajo për “Into The Gloss”.

Sigurisht Kim nuk e bën të gjithë këtë vetë, duke qenë se kudo ku ajo është, edhe në udhëtime të largëta, shoqërohet nga parukierja e saj Jen Atkin.

Prej vitesh Kim shquhej për flokët e saj të zinj e të gjatë, të cilët disa muaj më parë ajo zgjodhi t’i priste në një model bob të gjatë dhe pak më vonë shokoi ndjekësit e saj duke zgjedhur një ngjyrë bionde platin. Por mesa duket, e ndërgjegjësuar për dëmin që kjo i shkaktoi flokëve të saj, Kim brenda muajit u shndërrua sërish në zeshkane, kësaj here me flokë sërish të gjatë, falë zgjatimeve artificiale që krijojnë efektin e flokëve të sirenave.

Për sa i përket grimit, të cilin ia ka besuar djaloshit me origjinë shqiptare Mario Dedivanovic që gjithashtu e ndjek në udhëtimet e saj nëpër botë, sekreti i Kim është konturimi. Ajo ka dhënë edhe këshilla për perfeksionimin e kësaj teknike grimi dhe është shprehur se sekreti është që të mos e teprosh me sasinë, sepse sidomos në pjesën e hundës, vendosja e një sasie të madhe bën të duket sikur ke kryer një operacion plastik.

Për sa i përket zonës së syve, Kim duket se preferon teknikën ‘smokey eye’ dhe tonet me ngjyra neutrale, ku kryefjala janë qerpikët. Vetullat gjithashtu janë të plota e të definuara mirë dhe gjithnjë në harmoni me ngjyrën e flokëve.

Ndonëse më parë ajo shihej shpesh me buzëkuq të kuq që theksonte edhe më tepër buzët e saj mishtore, Kim Kardashian prej kohësh duket se është bërë fanse e buzëkuqve e shkëlqyesve nude.

Ndonëse në shumë raste ylli i reality show-t shfaqet tepër seksi e madje edhe agresive në pamjen e saj, ajo vazhdon të ruajë klasin dhe feminilitetin. Kim ka guxuar me dekolte tepër ekspozuese por pa qenë kurrë vulgare. Kjo ndoshta sepse ka ditur gjithnjë të ruajë proporcionet në veshjet e saj dhe në rastet kur dekolteja ka qenë tepër e hapur, gjunjët pothuajse gjithmonë kanë qenë të mbuluara dhe e anasjella.

Në veshje ajo preferon një paletë ngjyrash neutrale ose ngjyrat bazë. Ajo rrallë herë guxon me dizajn apo ngjyrat e forta dhe së fundmi Kim po eksperimenton gjithnjë e më tepër me ngjyrën bezhë që e bën të duket tepër elegante. Ajo madje arrin të kombinojë në perfeksion një veshje njëngjyrëshe, gjë që me siguri e ka arritur nëpërmjet këshillave nga miqtë e saj stilistë, si Olivier Rousteing (stilisti i Balmain) dhe Riccardo Tisci (stilisti i Givenchy).

Edhe në përdorimin e bizhuterive Kim tregohet minimaliste. Prej kohësh ajo nuk shihet të mbajë bizhuteri duke krijuar një pamje të pastër dhe të pangarkuar, shkruan Anabel. Një nga aksesorët që nuk mungon kurrë në pamjen e saj, janë syzet e mëdha të errëta, për të mbrojtur shikimin.

Por ndoshta aksesorët e saj më të çmuar janë gjoksi dhe vithet. Ajo duket se i njeh mirë pikat e forta të trupit të saj dhe di t’i nxjerrë ato në pah. Në ndihmë për këtë sigurisht i ka ardhur dhe korseja e famshme të cilën Kim e ka rikthyer në qendër të vëmendjes, duke postuar foto në Instagram.

Mbajtja e korsesë për Kim është një trajnim i belit që sipas saj e ngushton atë dhe krijon një siluetë tepër femërore. Ndonëse ekspertët kanë thënë se ky është një efekt thjesht i përkohshëm, ajo pretendon se ushtrimi për një kohë të gjatë me korse, arrin realisht të hollojë belin. /Telegrafi/
 

Exit mobile version