Qytetarët e Republikës së Kosovës të dielën e 17 tetorit i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e komunave të tyre dhe asamblistët e kuvendeve komunale.
Materialet zgjedhore janë shpërndarë në të gjitha komunat e Kosovës, ndërkaq janë bërë edhe kontrollet e fundit.
Në ndërkohë Kosova sot është heshtje zgjedhore, ndërkaq partitë politike mbrëmë kanë përmbyllur fushatën zgjedhore e cila filloi më 16 shtator.
Heshtja zgjedhore do të jetë deri të dielën, më 17 tetor në ora 07:00, atëherë edhe kur hapen vendvotimet.
Qytetarët e Kosovës, të dielën do t’i drejtohen kutive të votimit për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre lokal, asamblistët dhe kryetarët e 38 komunave.
Qendrat e votimit hapen në ora 07:00 dhe mbyllen në ora 19:00, ndërkaq në këto zgjedhje janë 158 kandidatë për postin e kryetarëve të komunave. Në mesin e tyre janë 12 gra në nivel vendi.
Ndërkaq, lista përfundimtare e votuesve për Zgjedhjet Lokale 2021, e cila do të shpërndahet në vendvotime, në ditën e zgjedhjeve më 17 tetor, përmban 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën më 14 shkurt 2021.
Numri i qendrave të votimit në të gjithë Republikën e Kosovës është 883 me gjithsej 2 mijë e 477 vendvotime.
KQZ-ja, ka dhënë udhëzime të detajuara në lidhje me mënyrën e votimit, përmes një videoje të cilën e gjeni më poshtë.
Në fletëvotimin për kryetar komune, i cili është me kornizë ngjyrë të verdhë, ku janë të renditur emrat e kandidatëve, ju duhet të votoni vetëm një kandidat/e.
Në fletëvotimin për Kuvend Komunal, i cili është me kornizë ngjyrë të kaltër, në anën e majtë, ju duhet të votoni vetëm një subjekt politik, kurse në anën e djathtë të tij duhet të votoni vetëm një kandidat/e.
Pra mos harroni, për Kuvend Komunal votoni vetëm një subjekt politik dhe vetëm një kandidat/e.
Dokumentet me të cilat mund të votoni me 17 tetor 2021
Për të votuar, mjafton të keni njërin prej këtyre dokumenteve të lëshuara nga Republika e Kosovës:
Letërnjoftim;
Pasaportë;
Dokument i udhëtimit; dhe
Patentë shoferi. /Telegrafi/