Njëqind ditët e para të punës së qeverisë së re u analizuan edhe nga bashkësia afariste e Maqedonisë veri-perëndimore. Sipas tyre, në këto tre muaj, numrat tregojnë se nuk janë arritur rezultate të kënaqshme. Si tregues i startit negativ të politikave ekonomike të qeverisë së re, u theksua ulja e investimeve të huaja, rënia drastike e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ekonomia që është pranë recesionit, mbështetja e pamjaftueshme ndaj bujqve, zhvillimi i dobët i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Sipas tyre, vështirë të realizohet edhe premtimi për rritje ekonomike prej 5% në 4 vitet e ardhshme.
“Qeveria duhet më shumë të përkushtohet në marrjen e masave konkrete të orientuara ndaj prodhuesve vendorë, me çka do të mundësohet rritja e ofertës vendore, ulja e papunësisë dhe rritja e eksporteve. Konsiderojmë se pushteti aktual duhet ta ridefinojë konceptin për investimet e huaja të drejtpërdrejta dhe të marrë qëndrim konkret për prioritetet në këtë sferë”, tha Nebi Hoxha, Kryetar i OEMVP, njofton TV21.
Problemet për të cilat nga kjo odë ekonomike alarmojnë një kohë të gjatë, akoma mbeten të hapura, u ankuan biznesmenët. Biznesmenët u ankuan se zona ekonomike në Vizbegovë me vite pret ndërtimin e kanalizimit atmosferik dhe të sistemit ndriçues, ndërsa autostrada në gjatësi prej 13 kilometrave, deri në kufirin me Kosovën, është lënë për vitin e ardhshëm, në pajtim me buxhetin e planifikuar për vitin 2018.
“Vështirë të priten ndryshime drastike në ekonomi. Këtë mund ta thonë të gjithë ata që merren me biznes dhe me aktivitete ekonomike. Kërkojmë që përmes Regjistrit Qendror të publikohen gjendjet financiare të institucioneve shtetërore ndërsa ligji për bankrotim të vlejë edhe për ata”, u shpreh Xhemail Dauti, Biznemen.
Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore kërkuan që sa më parë të kthehet sundimi i së drejtës, sepse vërehet ngecje edhe në reformat gjyqësore. Ata e përshëndetën rritjen e pagës minimale dhe theksuan se pas ndërrimit të pushtetit, është ndryshuar edhe koncepti dhe më nuk ka qasje selektive gjatë kthimit të TVSH-së siç ndodhte më herët.