Site icon Telegrafi

Si të ndërtohet një Ballkan më i mirë?

James Jay Carafano

Interesi i ripërtërirë i SHBA-ve ndaj Ballkanit, pasqyron pjesërisht një dëshirë që luftërat në këtë rajon, të mbeten një gjë e së kaluarës. Po aq e rëndësishme, Shtetet e Bashkuara shpresojnë që e ardhmja e Ballkanit Perëndimor, do të jetë ajo e një kontribuuesi të paqes dhe prosperitetit në komunitetin transatlantik.

Ankesat se Shtetet e Bashkuara po heqin dorë nga Evropa, dhe janë indiferente ndaj fatit të rajonit, janë thjesht të gabuara. Megjithatë, Uashingtoni mund të bëjë shumë më tepër se të menduarit e dëshiruar, për të transformuar Ballkanin Perëndimor, nga një “fuçi baruti”, në një rajon që rrezaton progres. Në vend se të përfaqësojë fragmentimin dhe ndarjen, rajoni duhet të jetë një shembull i integrimit.

Pak më shumë se një vit nga tani do të jetë një tjetër përvjetor: 20-vjetori i përfundimi të luftës së fundit ballkanike. Ndërsa rajoni nuk ka vuajtur nga një konflikt i hapur gjatë kësaj periudhe, Ballkani Perëndimor mbetet ende një vend i trazuar, shpesh i cituar si pjesa më e brishtë e Evropës. “Pothuajse dy dekada pas luftës, kjo nuk është paqe”- pohoi një aktivist i të drejtave të njeriut. “Çështja shqiptare dhe serbe, nuk janë të mbyllura në Ballkan; është Izraeli dhe Palestina e Evropës”.

Gjendja aktuale e shteteve të Ballkanit Perëndimor, bën nervozë shumë njerëz. Në një epokë ankthi në të gjithë Evropën, nuk është e dobishme nëse pjesët e saj më problematike të fillojnë të lëkunden. Problemet në Ballkan, refuzojnë të zhduken për dy arsye: paratë dhe gjeografia.

Lajmi i mire është se rajoni është destinacioni kryesor për pushime të lira. Lajmi i keq është se Ballkani është një vend ku me pak para blihet shumë ndikim. I vendosur ndërmjet Adriatikut dhe Detit të Zi, Ballkani është udhëkryqi midis Veriut dhe Jugut. dhe Lindjes dhe Perëndimit.

Përveç Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, lojtarët kryesorë përfshijnë Rusinë, Kinën, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin, Turqinë dhe Kinën. Përveç kësaj, fqinjët e afërt të rajonit, duke përfshirë Greqinë, Austrinë dhe Kroacinë, kanë interesat e tyre për të mbrojtur.

Një rëndësi të madhe ka se si përdoren paratë dhe ndikimi. Ndër shqetësimet kryesore janë masat aktive nga ana e rusëve për të penguar integrimin në BE, duke penguar zgjerimin e NATO-s, dhe për të siguruar dominimin e fuqisë ruse. E dëmtuar nga ekonomitë e paqëndrueshme dhe ndërhyrjet e jashtme, Ballkani Perëndimor përballet me dy sfida të vazhdueshme.

E para është siguria. E dyta është hapja e vendeve të pakta të punës, dhe krijimi i pasurisë. Në fushën e sigurisë, rajoni jeton nën hijen e vazhdueshme të konflikteve të pazgjidhura, të cilat edhe pse nuk kërcënojnë të përshkallëzohen në luftë të hapur, krijojnë marrëdhënie ndarëse, që minojnë stabilitetin dhe integrimin rajonal.

Shqetësimi kryesor është e ardhmja e Bosnje-Hercegovinës, ndërsa problematike mbetet edhe marrëveshja e pazgjidhur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dobësia e dytë e madhe e rajonit, është mungesa e zhvillimit ekonomik dhe integrimit.
Për më tepër, pabarazitë në rajon janë shqetësuese. Ekonomikisht, Serbia po i tejkalon fqinjët e saj në ecurinë ekonomike. Kjo krijon disbalanca, që mund të destabilizojnë më tej rajonin. Ndikimet kundërvepruese për të adresuar këto sfida janë zbehur, ndërsa kërcënimet janë zvogëluar– një gjendje vegjetative që thjesht e lejojn “tumorin” të zgjerohet dhe jo e kundërta.

Dikur, shumë njerëz besonin se anëtarësimi në BE, do t’i zgjidhte të gjitha këto sfida. Kjo nuk është më e vërtetë.

Rruga drejt anëtarësimit në BE është dëshmuar kokëfortësisht e ngadaltë. Për më tepër, angazhimi i BE-së me rajonin, pësoi një pengesë të turpshme në konferencën e fundit të Londrës, që sipas shumë dëshmive nuk shënoi asnjë përparim. Një sfidë shtesë, është se nëse rajoni nuk zbaton reforma që do të liberalizonin realisht ekonominë (duke nxitur kështu rritjen dhe krijimin e vendeve të punës), hyrja në BE do të inkurajonte vetëm largimin e popullsisë dhe kapitalit në pjesë të tjera të Evropës.

Një partneritet i fortë transatlantik është një element kyç i Strategjisë Kombëtare të Sigurisë të SHBA-ve. Zhvillimi i fundit që Shtetet e Bashkuara do të dëshiron të shihnin, është një Evropë e destabilizuar nga problemet e Ballkanit, sikurse ishte në vitet 1990.

Zyrtarët amerikanë, duke përfshirë zëvendëspresidentin dhe sekretarët e Shtetit dhe të mbrojtjes, kanë shprehur tashmë interesin e madh të Amerikës, për të luajtur një rol më të fuqishëm në rajon. Ballkani Perëndimor, mund të luajë një rol kryesor në vizionin e Amerikës, për një komunitet më të fortë transatlantik.

Një rajon i integruar dhe i begatë, mund të ndihmojë në ndërtimin e bazës së një Evrope më të fortë. Përveç sigurisë së ofruar nga NATO, dhe kohezionit të komunitetit evropian, Shtetet e Bashkuara mund të ndihmojnë në nxitjen e një sërë marrëdhëniesh dypalëshe, që do të bëhen një motor i fuqishëm i rritjes ekonomike, një korridor për të siguruar pavarësinë energjetike të tregut të lirë dhe një besim realisht ndërtues për sigurinë evropiane.

Këto marrëdhënie dypalëshe, nuk do të zëvendësonin BE-në apo NATO-n. Përkundrazi, ato do të siguronin një themel të shteteve-kombe të forta dhe të sigurta, që do t’i bënin më të forta këto aleanca.

Të dëshirosh dhe të ndërtosh një Ballkan më të mirë, janë dy gjëra të ndryshme. Në fund, Shtetet e Bashkuara duhet të angazhohen seriozisht. Elementet ekzistojnë në strategjinë amerikane, por Uashingtoni duhet të lëvizë më shpejt.

Amerika duhet të promovojë në mënyrë aktive një ekuilibër të sigurisë rajonale, rritje ekonomike dhe qeverisje së përgjegjshme në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe vendet përreth. Ky është ilaçi më i mirë si ndaj luftërave të brendshme në rajon, por edhe ndikimit të dëmshëm të aktorëve të jashtëm.

Nuk mjafton që Shtetet e Bashkuara të mbështesin ndërtimin e një korridori energjetik Veri-Jug. Uashingtoni duhet të ndihmojë për ta bërë atë realitet. SHBA-ja, duhet të vazhdojë të kundërshtojë seriozisht ndërtimin e gazsjellësit “Nord Stream II”, dhe të ofrojnë mbështetje të fuqishme për Iniciativën e Tri Detrave. Për më tepër, Uashingtoni duhet të mbështesë zhvillimin e energjisë bërthamore në rajon, dhe ndërtimin e një korridori jugor të gazit, që nuk varet nga Rusia.

Korporata e Investimeve Private Përtej Detit, USAID dhe Korporata e Mijëvjeçarit, janë të gjitha aktive në rajon. Sidoqoftë, rajoni ka nevojë për investimet amerikane private.

Investimet e reja në Ballkanin Perëndimor, nuk do ta bëjnë atë një vend më të mirë, pa një qeverisje të përgjegjshme. Shtetet e Bashkuara, duhet të përqendrohen në mënyrë konstruktive në elementet e qeverisjes që ndikojnë tek liria ekonomike, duke përfshirë luftimin e korrupsionit, forcimin e sundimit të ligjit dhe reduktimin e punësimit në sektorin publik, uljen e taksave dhe borxhit publik.

Uashingtoni duhet të vazhdojë të ecë në dy shtigje në të njëjtën kohë në Ballkan – zgjerimin e NATO-s (në veçanti, pranimin e Maqedonisë në NATO), dhe nxitjen e bashkëpunimit të sigurisë dypalëshe me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Ballkanit dhe fqinjët e tyre.

Shtetet e Bashkuara, duhet të vazhdojnë të zbatojnë një strategji globale, që i nxit rivalët strategjikë – duke përfshirë Rusinë, Iranin dhe Kinën – t’i japin fund politikave të jashtme destabilizuese që dëmtojnë interesat e SHBA-ve.

Ushtrimi i presionit ndaj tyre, do të bëjë që në fund edhe Rusia dhe Kina ta cilësojnë një Ballkan Perëndimor të lirë, të qëndrueshëm dhe të begatë, si një mundësi të mirë për të pasur më shumë fitime të ndershme në rrafshin ekonomik, se sa si një treg i varfër brenda sferës së tyre të ndikimit. /National Interest/Bota.al/

Exit mobile version