Është me rëndësi që mobiliet të pastrohen mirë, sipas nevojës, të fshihen me leckë të njomë dhe patjetër duhet të thahen.
Gjurmët e ujit të cilat janë bërë nga gotat apo vazoja, lyhen me majonezë dhe lihen gjatë tërë natës, ndërkaq në mëngjes fshihen me leckë të butë.
Nëse edhe pas kësaj ka mbetur gjurmë e vogël nga uji, përzihet glicerina me shpuzën e cigares. Me këtë përbërës fërkojmë pjesën e dëmtuar.
Njollat nga yndyrat patjetër duhet të pastrohen menjëherë, sepse në të kundërtën marrin ngjyrë të errët dhe kështu lënë dëmtime të përhershme.
Yndyra patjetër duhet të thithet me peshqir letre dhe pastaj atë pjesë duhet njomur me uthull të pastër të pakoncentruar. Dhe, në fund, me leckë të njomur fshijeni pjesën e dëmtuar të drurit.
Mobilia e pastruar mirë mund të polirohet me dyllë, në mënyrë që të marrë shkëlqim të mirë dhe të mbrohet nga uji dhe pluhuri, transmeton Telegrafi.
Mobiliet nga pisha mjafton të polirohen me dyllë blete, sepse kërkojnë kujdes të madh. Shkëlqimi i arritur më pastaj mund të mbahet me leckë të lagur me përzierje të uthullës dhe parafinës.
Mobiliet nga bungu mirëmbahen me ndihmën e kësaj përzierjeje: në një sasi të vogël të tretur të dyllit të bletëve shtohen 250 ml birrë dhe dy lugë të vogla sheqer. Me këtë lyhen mobiliet, dhe pasi të teren polirohen me lëkurë dreri. /Telegrafi/