Puna është bërë dhe do zë akoma më shumë pjesë nga jeta jonë. Do të thoni ju: po në vendet nordike po shkurtojnë më shumë oraret zyrtare të punës, e kjo s’do të thotë që njerëzit do të dalin nga zyra dhe do të rrinë këmbë mbi këmbë. Ka dhe punë sociale dhe, të rrish me familjen tënde, shoqërinë, është punë. Kështu që të jemi sa më te suksesshëm në punën tonë, do të doja t’ju tregoja për disa gjëra që duhet të bëni dhe disa që s’duhet të bëni.
Le të fillojmë me çfarë duhet të bëni!?
Ta dini se një fillim i mbarë i ditës së parë të punës mundëson shumë që të jeni të suksesshëm në punë. Duhet të jeni të pushuar dhe të fokusuar. Rrobat të jenë të pastra dhe rregullta. Vishni rroba me tone ngjyrash të njëjta. Por, më e rëndësishmja është që të prezantoheni me të gjithë që nuk njiheni në zyrën tuaj, nëpër mbledhje dhe të flisni, të jeni të qeshur me të gjithë. Kjo ju bënë të jeni të hapur ndaj njohjeve të reja. Dhe, nëse jeni të ndrojtur, t’i drejtosh dorën tjetrit tregon shumë për karakterin tënd. Ti do të jesh ti që nuk i druhet sfidave profesionale, e sfida e parë janë koleget. Po të të duan, puna jote do jetë më e lehtë.
Dëgjo sa më shumë, pasi ke shumë për të mësuar nga kolegët, nga puna e re, nga ambienti. Si dhe, bëjë sa më shumë pyetje. Sepse, nuk ka pyetje të këqija po ka përgjigje të këqija. Ju duhet të jeni si një fëmijë i sapolindur që eksploron botën për herë të parë. Mësoni të gjitha hilet. Të lidheni me një koleg të vjetër, të miqësoheni me të, ai ose ajo do ju tregojë të gjitha hilet e sistemit.
Vendosni ose caktoni pritshmëritë që në fillim, si me kolegët dhe me shefin tuaj. Tregoni që jeni të gatshëm për çdo gjë; kërkoni një takim, tregoni kush jeni çfarë keni bërë; përgatituni nëse duhet dhe planifikoni një takim tjetër mbas një muaji dhe një tjetër mbas dy muajsh. Nëse duhet dhe më shumë. Pranoni të ndihmoni çdo koleg, ose dhe të ofroni ndihmën tuaj për të marrë përsipër diçka dhe mos të ketë lidhje me punën tuaj. Kjo në fillim do të duket shumë mirë, e pas disa muajsh ju dhe mund të refuzoni duke thënë që keni angazhime të tjera. por, në hapat e para të krijimit të marrëdhënieve me punën ju duhet të merrni sa më shumë pëlqimin e njerëzve. Dhe, kjo bëhet me çdo kusht.
Kini kujdes nga stafi juaj ose kolegët të cilët mund të kenë dëshiruar vendin tuaj përpara jush. Atëherë tregoni që jeni më të zotët, se keni më shumë eksperiencë, keni njohje dhe që pranuat këtë pozicion për të futur një frymë të re ose për të ngritur diçka të re që është fusha juaj e ekspertizës. Gjithçka bëjeni me finesë dhe me qetësi.
Për të shkëlqyer kudo, ju duhet të jeni të disiplinuar, të organizuar, të përpiktë në orare dhe të krijoni zakone të frytshme. Si dhe, mos t’ju mungojë motivimi që të bëni gjërat e padëshiruara kur ju është thënë për t’i bërë. Jini të rregullt në zyrë, jo rrëmujë, jo zhurmë, si dhe telefonatat private t’i bëni larg kolegëve. Emailet private asnjëherë në zyre. Tek kompjuteri i punës të bëhet vetëm puna që u është caktuar. Si dhe, rrjetet sociale janë tabu në zyrë. Më mirë merrni një telefon modern dhe aty mund të hulumtoni e të bëni ç’të doni dhe kur të doni. S’do t’ju shohë njëri që rrini kot në internet. Si dhe, mos harroni që qëndrimi në zyrë të jetë i saktë, se nuk kemi dalë as për kafe e as për xhiro.
Sa i përket kafeve, drekave takimeve pas pune, mësoni se ku pihet dhe hahet e bashkohu me kolegët. Aty do të mësoni shumë dhe do të njiheni më afër me njerëzit. Mos kini frikë të jini vetvetja dhe të flisni hapur, do bëni përnjëherë shoqëri. Por, taktika më e mirë është të pyesni kolegët për çdo gjë të vogël. Si, nga jeni? Ku jetoni? Beqar? Çfarë hobesh keni etj.?
Një pikë tjetër shumë e rëndësishme është të shkoni nëpër sa më shumë takime, mbledhje, kafe, dreka, darka, evenimente… D,m,th, duhet të tregoni që ju jeni prezent dhe ju keni dëshirë të merrni pjesë në këtë rreth të ri social që është puna juaj.
Jeta sociale digjitale ju duhet, që të lidheni me njerëzit më shumë. Përtej punës përdoreni dhe hapni mundësisht të gjitha rrjetet sociale që ju duken të frytshme dhe që mund t’i përdorni. Aty mundohuni të tregoni më të mirën e vetes tuaj.
Së fundmi, mos harroni koleget e vjetër. Takohuni edhe me ta ndonjëherë. Si dhe, duke bërë këtë gjë, ju hapni, krijoni mundësi të reja njohjesh, bashkëpunimi dhe dashurie për punën tuaj të re.
Dhe, më kryesorja, dilni gjithmonë 15-20 minuta më vonë nga orari zyrtar. Nuk them të rrini ulur, por të punoni deri në atë orë. Jo të bëni shpikje të mëdha, por mbase të planifikoni çdo bëni nesër.
Çfarë nuk duhet të bëni!?
Të flisni më shumë seç duhet. Të ngrini zërin. Të nisni një sherr në punë. Këtu dtë o ndalem pak pasi është shumë delikate. Në zyrë me një koleg është shumë kollaj të nisësh një sherr, një grindje, edhe për një printim. Më mirë hapni rrugë, ose nëse ndodh diçka mundohuni ta anashkaloni dhe të nesërmen ta diskutoni me kolegun çfarë ndodhi. Keni për ta parë se do të bëheni më shokë, se ai do ta vlerësojë që nuk ia ndezët nervat, por e latë të qetë. Në fund, njerëz jemi, s’mund të jemi me humor përditë.
Mos hani në zyrë, sidomos ushqime me erë. Ose, po hëngrët, pyesni kolegët për leje. Ta dini s’do t’ju thotë njeri jo. Kurrë! Zbatoni etikën e punës. Pyesni si duhet veshur. Mos mungoni gjatë kohës së provës. Mos kërkoni leje. E di, ne njerëz jemi, kemi halle, por tre muaj ose gjashtë kalojnë shpejt dhe kur ju të merrni pikët maksimale, tani e keni më kollaj. Mos ngacmoni koleget; mos u lidhni me kolegët e zyrës. Sepse, një zënkë dhe ju do keni shumë të vështirë të punoni me të. Mos rrini në tavolinën e punës duke parë telefonin, por bëni sikur punoni. Qëndrimi të jetë rigoroz dhe jo diçka që e bëni në shtëpi. Mos hidhni shumë parfum se më shumë do bezdisni kolegët, sesa do i kënaqni. Mos i zvarrisni gjërat. Jepuni kohë projekteve, takimeve, emaileve, kërkesave në punë. Mukajeti të lë pa martuar, por dhe pa punë. Mos u vononi në punë, shkoni më mirë 5-10 minuta përpara dhe lexoni emailet ose ndonjë gazetë sesa me vonesë. Si dhe, mos u vononi nëpër takime. Arrini të parët, merrni kartë vizitë me vete. Jepjani tjetrin në dorë me të dyja duartë dhe ashtu merrja kolegut. Respektojeni pozicionin tuaj.
Jua them të gjitha këto pasi kjo puna jonë sa e vyer dhe e urryer duhet të bëhet me kujdes, me integritet dhe me dashurinë më të madhe. Po nuk e dashuruat punën, s’keni për ta bërë kurrë siç duhet. Thjeshtë do të harxhoheni se do ta bëni me ego. Por, dashuria është më e fortë se egoja. Dhe, mos mendoni se duke punuar fort ju do të arrini më shumë. Kurrën e kurrës! E keni parë gjë Hënën ta bëjë me forcë rrotullimin rreth Tokës? Jo, e bën me dashuri, se është pjesë e saja. Në të njëjtën formë duhet ta bëni edhe ju punën tuaj. Të lozni më shumë sesa të punoni. Pasi puna merr tetë ose më shumë orë të ditës dhe me të njëjtët njerëz, investoni mirë kohën tuaj në punën që doni dhe me njerëzit që doni.