Teknologjitë që po zhvillohen me shpejtësi, mund ta përcaktojnë të ardhmen e filmit. Luke Buckmaster pyet ekspertët se çfarë do të ndodh pas 20 vitesh? Shkrimin e tij Telegrafi ua sjell më poshtë.
Për dekada me radhë, realiteti virtual (VR) është profetizuar si e ardhmja e filmave, e aftë për të ofruar përvoja më intensive se kinemaja dhe televizori tradicional. Në një ese të shkruar në vitin 1955, të titulluar “Kinemaja e së ardhmes”, kinematografi Morton Heilig parashikon se filmi do të përparojë deri në atë pikë ku mund të “shfaq te njeriu botën e re shkencore, me tërë gjallërinë sensuale dhe vitalitetin dinamik të vetëdijes së tij”. Heilig i përshkroi shumë nga vetitë e realitetit virtual – por nuk i përdori ato fjalë, meqë ende nuk ishin formuluar si të tilla.
Tani ka ardhur e ardhmja – edhe pse filmi ka rrugë të gjatë derisa ta përfshijë teknologjinë e mendjes, të popullarizuar në filmat dhe shfaqjet televizive, si “The Lawnmower Man” dhe “Star Trek”. Me më shumë filmbërës që po shkëmbejnë kamerat tradicionale me ato 360 shkallë (që kapin tërë këndet), momenti i tashëm është i krahasueshëm me vitet e hershme të eksperimentimit me filma – në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX. Shkurtimisht: jemi në fazat e hershme të një revolucioni kinematografik. Një sërë teknologjish të reja janë potenciale të së ardhmes së filmit – të tilla si AR (realiteti i përforcuar), AI (inteligjenca artificiale) dhe kapaciteti gjithnjë në rritje i kompjuterëve që po e fuqizon botën digjitale.
Si do të duken filmat pas 20 vitesh? Dhe, sa do të ndryshojë rrëfimi kinematografik i së ardhmes, nga përvojat e sotme?
Sipas gurusë së realitetit virtual dhe artistit Chris Milk, filmat në të ardhmen do të ofrojnë përvoja të brendshme. Ato do të jenë në gjendje të “krijojnë histori në kohë reale, vetëm për ju, që të kënaq ty dhe që ka të bëjë me atë që të pëlqen dhe që nuk të pëlqen”. Ai preferon termin “ta jetosh rrëfimin” dhe beson se përvojat kinematike do të zhvillohen për të “ndjerë filmin të natyrshëm dhe real – si një ditë në jetën tuaj”.
Milk beson se përparimet në teknologjinë e inteligjencës artificiale do të lejojnë që personazhet e krijuara nga kompjuteri t’i përgjigjen audiencës në kohë reale. Për këtë, imagjinoni një version shumë më të avancuar të Sirit, por të paraqitur si një karakter brenda një përvoje narrative.
Ai pranon se “ende nuk ekziston teknologjia” për një karakter të inteligjencës artificiale “që mund të jetë bashkëbisedues dhe që përgjigjet sikur të jetë njerëzor”. Por, shton se “nuk jemi 20 vjet larg kësaj”.
Gazetarja, sipërmarrësja dhe realizuesja e dokumentarëve, Nonny de la Pena – që është përshkruar si “ndrikulla e realitetit virtual” nga “The Wall Street Journal” – thotë se fjala e parë që i vjen në mend kur e mendon të ardhmen e kinemasë është “volumetrike”, për të bërë kështu një krahasim me ekranet dydimensionale të së sotmes. Në të ardhmen, sipas saj, “mediat e sheshta do të jenë akoma pranë nesh, ashtu si dhe radioja, por filmi nuk do të jetë i sheshtë”. Në vend të kësaj, do të kemi “mishërim të plotë, do të ecim përreth përvojave volumetrike në hapësirë” sepse “po vijnë audiencat e reja që duan të kenë pikëpamjet e tyre, edukimin dhe gjithçka tjetër në një formë të mishëruar”.
Eugene Chung e bëri regjimin e filmit të realitetit virtual, “Allumette”, që është përshkruar si “kryevepër”, për çka po e krahasojnë me filmbërësin pionier amerikan, DW Griffith. I vendosur në një qytet futuristik që lundron në re, produksioni përdor teknologjinë e quajtur “gjashtë gradë lirie” (ose ‘6Dof’), që i lejon shikuesit të ecën fizikisht në atë botë. Chung beson se realiteti virtual në të ardhmen do të shkrihet me kopjen digjitale të botës reale (AR Cloud).
“Paramendoje një version të ‘Google Earth’-it ku nuk jeni vetëm duke marrë rrugët, por e kopjoni të gjithë botën. Këtë do ta kemi të përzier me teknologjinë VR që është shumë mbresëlënëse sot”, thotë ai.
Sipas tij, në të ardhmen do të ketë “tregime rreth teje”. Për shembull, “mund të zgjoheni dhe pranë shtratit tuaj mund të jetë një tavolinë ku mund të keni një karakter që e pëlqen. Ka filma që e tregojnë këtë, si filmi ‘Her’”.
Regjisorja fituese e çmimit Emmy, Lynette Wallworth, thotë se përvojat narrative të së ardhmes, përmes realitetit virtual do të jenë në gjendje të ofrojnë mënyra të reja për të eksploruar diversitetin nervor.
“Do të kemi aftësinë për të përjetuar aspektet se si dikush me autizëm, për shembull, e përjeton botën”, thotë ajo.
Wallworth gjithashtu parashikon që VR dhe AR do të zgjerojnë fushën e filmit tradicional, që do t’ju lejojë shikuesve të kalojnë mes momenteve të shikimit dhe përjetimit.
“Jeni duke parë filmin e George Millerit, ‘Mad Max: Fury Road’. Për shembull, mund ta shihni filmin tradicional me pajisjet në kokë që ju lejojnë të shihni ekranin e kinemasë, e pastaj të ndryshoni modulet”, thotë ajo, “dhe ta shihni veten pranë Furiosas, në kabinën e kamionit të saj, teksa lëviz me shpejtësi nëpër shkretëtirë”.
Me teknologjinë e realitetit virtual që po përparon me ritëm të shpejtë, mundësitë për të bërë një kthesë janë të pafundme. Duke përshkruar realitetin virtual si “të rrezikshëm”, sepse prodhuesit e filmave në këtë hapësirë kanë më pak kontroll sesa në përvojat jo-interaktive, Steven Spielberg më 2016 paralajmëroi se sfera virtuale “i jep shikuesit mundësinë të mos marrë drejtim nga tregimtari, por të bëjë zgjedhjet e tij”.
Shumë do ta konsideronin këtë lloj të së ardhmes – ku shikuesit do të kenë aftësinë për të formuar rrëfimet që përjetojnë – si gjë pozitive dhe jo negative. Shikuesit që janë në gjendje të bëjnë zgjedhjet e tyre përputhen me parashikimin e Heiligit se “kinemaja e së ardhmes nuk do të jetë më një art vizual, por një art i ndërgjegjes”. /Telegrafi/