Ish të dashurit janë “ish” me arsye, pavarësisht a kanë qenë jobesnikë, xhelozë, apo thjesht “të vështirë”.
Nëse mendoni për historitë tuaja të dashurisë dhe konstatoni që ekziston një tip i caktuar i njerëzve me të cilët filloni lidhje të dashurisë, ndoshta është koha ta ndërroni modelin e sjelljes për të arritur marrëdhënie afatgjate stabile dhe përmbushëse.
Në fillim fokusojuni në karakteristikat që ju tërheqin tek meshkujt. Pastaj shqyrtoni deri në cilën masë ish të dashurit tuaj i kanë poseduar ato karakteristika. Bëni edhe listën e gjërave të cilat nuk ju kanë pëlqyer dhe të cilat në fund ju kanë çuar në dështim të lidhjes.
Zgjidhni dhe vendosni
Shikojeni listën e karakteristikave të mira, dhe reduktojeni në dhjetë më të rëndësishmet dhe jeni të gatshëm për aksion. Kini vëmendje në sjelljen e “potencialit” gjatë daljeve të para. Për shembull, nëse për ju është e rëndësishme mirësjellja, vëzhgoni sjelljen e tij ndaj jush, kamerierëve, mënyrën se si ha dhe si flet me miqtë në telefon.
Nëse te ish i dashuri ju ka penguar arroganca e tij, vërejeni me kohë këtë karakteristikë tek i dashur i ri, për shembull nëse lëvdohet apo krekoset shumë, thekson arritjet e veta apo nënvlerëson të tjerët.
Megjithatë mos gjykoni me një rast, por me secilin mashkull potencial planifikoni të paktën dy dalje për të qenë të sigurt që keni vendosur mirë, transmeton Koha.net. Fleksibiliteti i tepërt po ashtu nuk është i mirë, prandaj nëse vëreni ndonjë të metë, të cilën nuk mund ta duroni, mos ngurroni me vendimin.
Analiza e vetvetes
Lidhja e dashurisë është marrëdhënie komplekse, të cilën e përbëjnë dy persona dhe ndikojnë në të ardhmen e saj. Nëse konsideroni që mashkulli ideal duhet të përmbushë pritjet tuaja, të njëjtën duhet ta kërkoni edhe nga vetja.
Në sjelljen tuaj reflektoni pikërisht ato virtyte të cilat i konsideroni të rëndësishme dhe provoni t’i korrigjoni të metat tuaja. /Telegrafi/