Në televizion sot gjithçka ka ndryshuar nga më parë. Edhe vetë ekrani që kemi në shtëpi e zyrë është më i madh, veç imazhit televiziv, i cili tanimë na vjen më i bukur se dikur. Por, sot televizioni mbi të gjitha ka ndryshuar për nga llojshmëria e programeve, përzgjedhja e sistemit të shpërndarjes së kanaleve dhe së fundi nga të bërit biznes me të, ndryshe nga ai i gjysmë shekulli më parë.
Ndërsa punoj shumë të jem e përditësuar me teknologjinë e re duke përqafuar gjithnjë ritmin e saj, apo ndryshimet e reja që vrapojnë me shpejtësinë e erës, mbetem ende e shqetësuar rreth asaj se ëfarë realisht i ka ndodhur televizionit nga ai që ne kemi dashur dikur. Por mbi të gjitha e shqetësuar se nuk dimë se çfarë pritet të jetë ai në të ardhmen e afërt.
Studiuesit e huaj mendojnë se të bërit televizion si ne e njohim atë, edhe pse mbetet përfitues për disa, vazhdon të mbetet një rrezik i paevitueshëm për të gjithë. Një kërcënim imediat për sa kohë aty janë braktisur normat dhe rregullat etike që balancojnë argëtimin dhe përgjegjshmërinë; ngatërrohen limitet mes trillimit dhe të vërtetës; dhe për sa kohë i është dhënë një ripërcaktim i ri, sipas oreksit të përfitimeve, shprehjes “shfaqje e vërtetë” nga ajo e “reality show”. Duket kaq zhgënjyese panorama televizive nëse i referohemi pikërisht këtyre programeve televizive e radiofonike, në atë që përbën sot radio dhe televizion, shtyp dhe gazetari.
A ka ndonjë arsye që ne të surprizohemi më nga shfaqjet me debate agresive e deri linçuese mes të ftuarve, por jo vetëm, edhe ndaj të paftuarve që na serviren pothuajse çdo mbrëmje, ne brezit, që me aq shumë mundim arritëm të ndërtojmë disa standarde etike në bisedat e llojit “television talk shows”? Çfarë përbën ndryshimin tani? Publiku sot e sheh këtë lloj sjellje në shkelje të normave etike si një manierë plotësisht të pranueshme, thjesht si një gjë e zakonshme e përditshmërisë sonë. Ky është ndryshimi i madh mes së sotmes dhe së djeshmes. Një ndryshim për keq.
A ka ndonjë arsye që ne duhet të habitemi nga kërcënimet e dhunshme, shantazhet verbale dhe jo verbale që dëgjojmë në parlament mes klasës politike shqiptare, në çdo shfaqje publike televizive apo gjatë debateve të përnatshme në emër të së vërtetës, këtij “djalli” të heshtur që fshihet në detaje? Cili në fakt është qëllimi i ekranizimit të cdo gjëje sot për sot që vetëm rregull dhe normë etike nuk përbën?
Mos duhet të mendojmë me naivitet se kjo lloj përmbajtje nuk arrin dot të influencojë sjelljen e gjithsecilit prej nesh? Anketimet që i bëhen opinionit publik apo ato përfundime të cilat dalin pasi vëzhgohet numri i lartë i ankesave që vijnë pranë AMA-s, tregojnë të kundërtën. Por, edhe sikur të mos ndodhte kjo, ajo që reflektohet është pikërisht influenca e drejtpërdrejtë e gjuhës së urrejtjes mes palëve e që në fund të ditës duhet të na bëjë të kemi të gjithë, një qasje të fortë reaguese.
Për muaj të tërë, përmes grupimeve paraprake politike që ngrihen gjatë fushatave elektorale në ndihmë të kandidatit politik, ndër fjalime shënohen shumë e shumë premtime si reforma në shëndetësi, reforma në arsim, ajo ekonomike por ndër të tjera edhe cështja e drejtësisë, reformimi i saj. Mjerisht, kjo gjindje premtimesh asnjëherë nuk përfundon në konventa të vërteta politike cka d.th. se rezultojnë të mbesin ca gjysëm të vërteta apo thjesht mashtrime të radhës.
Ka qenë Mark Twain i cili shkruante se “një gënjeshtër mund të udhëtojë vërtet deri në gjysmën e botës, por shpesh herë është e vërteta ajo që vesh çizmet e saj”. Ne që kemi qenë dhe jemi ndjekës të rregullt të politikave editoriale në dhomat e lajmeve, në radio, por edhe në televizion, e themi me bindje se kjo lloj perspektive e mësipërme është më e vërtetë se kurrë më parë.
Nuk duhet të na dalë nga mendja asnjëherë se mediumet audiovizive janë një mjet thelbësor edukimi, argëtimi dhe informimi për qytetarët; një industri e jashtëzakonshme doktrine dhe pushteti që çon në mënyrë të vetëdijshme vendin, para apo pas; drejt zhvillimit apo regresit. Nisur nga eksperiencat perëndimore, por dhe nga ajo që Shqipëria ka jetuar në këto 16 vitet e fundit, është konstatuar se rrjetet audiovizive pikërisht këtë kanë bërë.
Por, ajo që ka ndryshuar në këto sipërmarrje të mëdha perëndimore ndryshe nga Shqipëria, në koherencë të vazhdueshme me zhvillimet teknologjike ka qenë ushtrimi i rolit kontrollues të shtetit ndaj tyre, duke e mbikëqyrur diktatin me të cilin ata ushtronin presion, ndër të tjera edhe me balancën e rolit edukues që mediat duhet të kenë ndaj audiencës publike. P.sh një nga mënyrat e ushtrimit të rolit mbikëqyrës të shtetit ndaj tyre janë dhe procedurat e rilicensimit me qëllimin jo vetëm të plotësimit të standardeve teknike juridike por dhe kushteve sa i përket përmbajtjes në shërbimin ndaj opinionit publik.
Shqetësimet nga jeta e njerëzve të thjeshtë janë ato të cilat duhet të jenë çështje në fokus dhe jo figurat qendrore të politikës, të cilët e konsiderojnë veten mbi lajmet…apo më keq akoma, duke e parë veten si lajmin vetë. Jo shumë larg kjo gjë, pritet të ndryshojë. Në epokën e re të digjitalizimit do të jetë publiku ai i cili do të menaxhojë vetë programet dhe do të ketë në dorë të luajë po vetë, valët e frekuencave. Sigurisht, tanimë në këtë erë të re, ne nuk mund të rivendosim orën. Por ajo që mund të reflektojmë është se me gjithçka të re që ka ardhur në këto 26 vite të fundit, a do të jenë më të ruajtura mirë parimet bazë të fjalës së lirë?
A do të mund të ndalim këtë valë gjuhe urrejtjeje në media, por sidomos në atë online? A do të jenë mediat më shumë të përgjegjshme në përmbajtjen e tyre konform të gjitha rregullave dhe normave etike për çfarëdo dhe sado sipërfaqe territori ato mbulojnë? A do të mund ta shqisin nga mendja, konceptin e pronësisë lokale dhe kombëtare, ku bazuar direktivave të Këshillit të Evropës ky duket tanimë një koncept i vjetruar? Një realitet që shumë shpejt do t’i përkasë të kaluarës? A do të ketë më programe televizive Prime Time (PT) si në epokën e televizionit linear apo tanimë fashat e orareve i përcakton vetë audienca? Është thjesht çështje zhvendosje oraresh apo çështje konceptesh të reja pavarësie të audiencës publike ndaj monopoleve zotëruese të mediave? Kush po ecën më shpejt? Teknologjia apo njeriu?
Në këtë realitet ku secili përpiqet të kapë tjetrin, nuk ka rëndësi kujt grupeve të interesit i përkasim, autoriteteve shtetërore apo politike, mediave apo kujtdo tjetër, le të biem dakord në një gjë; njerëzit që sot vazhdojnë të bëjnë televizion si producentët, skenaristët, regjisorët, gazetarët, aktorët por dhe artistët, duket se kanë humbur diçka të çmuar. Duke parë numrin e lartë të mediave audiovizive të shpërndara në territorin e Shqipërisë krahasuar me sipërfaqen në metër katror të saj, unë besoj fort se megjithëse ato nuk janë më pak kreativ se dje, e sigurt është se ato janë me shumë më pak mundësi krijimtarie se 18 vite më parë.
A ka ndonjë alternativë? Jo. Ne gjendemi në një treg ku librit po i merret fryma dhe libraritë vetë po mbyllen një e nga një. Një treg, ku edukimi publik dhe transmetimet në radio-televizionin shtetëror po zhvlerësohen dhe fondet për të financuar sipërmarrje gjigande spektakolare si ato të dekadave më parë nuk çohen më ndërmend.
Këtu ku gjendem teksa lexoj çdo ditë se si mund t’ia dalësh të bësh televizion më të mirë nuk mund të rri pa sjellë në vëmendje disa rreshta të një prej fjalimeve më të bukura amerikane dhe i pari që ish – kreu i Komisionit Federal të Komunikacionit, Newton Norman Minow dha në vitin 1961 kur u emërua në këtë pozicion nga vetë presidenti i SHBA-së, John F. Kennedy. Ai u shpreh kështu: “Kur televizioni është i mirë, asgjë tjetër, as teatri, as revistat dhe as gazetat nuk janë më mirë. Por kur televizioni është i keq, asgjë tjetër nuk është më keq. Unë ju ftoj juve tani të uleni para televizorit në shtëpi a kudo ku jeni përballë stacionit që ju dëshironi dhe të qëndroni aty pa asnjë gjë që t’iu tërheqë vëmendjen të tipit libër apo revistë dhe ti mbani sytë para ekranit derisa stacioni të humbasë në terr. Ju siguroj se pas kësaj, do të ndiheni në një djerrinë të madhe”.
Këto rreshta të një prej njerëzve më të mençur amerikanë a duket të tingëllojnë njësoj edhe sot, pas afro 6 dekadash!? Pyeteni veten pak!