Joe Biden do të bëhet presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës pasi mposhti presidentin e tanishëm, Donald Trump në zgjedhjet presidenciale, të cilat u përshkruan me kontestim të legjitimitetit.
Planet për katër vitet e ardhshme ka të ngjarë të përballen me sfidën e një qeverie të ndarë, megjithatë, republikanët pretenduan fitoret kryesore në Kongres, raporton bbc.
Është një situatë që shumë analistë thonë se do të ketë shumë punë në rikuperimin e ekonomisë së vendit, i cili po përballet me gjendje të rëndë shkaktuar nga pandemia.
Këtu janë pesë pyetje me të cilat do të përballet demokrati kur bëhet fjalë për ekonominë amerikane.
1. Si do ta shpëtojë ekonominë amerikane?
Për muaj me radhë, bizneset e kanë lutur Uashingtonin zyrtar që të t’u krijojnë lehtësime financiare shkaku i gjendjes që ka shkaktuar coronavirusi. Por bisedimet kanë qenë hasur në ngecje, pasi republikanët refuzojnë madhësinë e planeve të shpenzimeve të paraqitura nga demokratët, pavarësisht presioneve që Trump i ka bërë partisë së tij për të arritur një marrëveshje kompromisi.
Republikanët kanë treguar se do të arrijnë një marrëveshje para se Biden të bëhet banor i ri i Shtëpisë së Bardhë, transmeton Telegrafi.
Por nëse kjo marrëveshje bie poshtë, siç ka të ngjarë, ose rimëkëmbja fillon të lëkundet, aq më shumë kohë do t’iu duhet Bidenit, i cili njihet si person relativisht modern?
Në fushatë, ai mbështeste planet për të falur huat studentore, për të rritur kontrollet e Sigurimeve Shoqërore për pensionistët dhe të sigurojë para për bizneset e vogla. Ai gjithashtu ofroi propozime më ambicioze, si investimi i dy trilionë dollarëve në fusha, të tilla, si energjia e pastër, infrastruktura dhe transporti publik.
Por republikanët ka të ngjarë të jenë edhe më të vendosur në rezistencën e tyre ndaj propozimeve të demokratëve, duke premtuar një luftë të ashpër.
2. Si do ta trajtojë ai pabarazinë?
Gjersa pabarazia e të ardhurave në SHBA është rritur në nivelin më të lartë në më shumë se 50 vjet, liberalët kanë bërë presion për taksa më të larta ndaj të pasurve, një propozim që sondazhet sugjerojnë se mbështetet gjerësisht në mesin e publikut.
Gjatë fushatës, Biden bëri thirrje për anulimin e uljes së taksave të vitit 2017 të nënshkruar nga Donald Trump, duke premtuar të rrisë taksat ndaj korporatave nga 21 në 28 për qind, midis ndryshimeve të tjera.
Grupet e jashtme vlerësuan se plani i demokratit mund të mblidhte më shumë se tre trilion dollarë gjatë dekadës së ardhshme – para që mund të ishin të mirëseardhura ndërsa pandemia rrit borxhin kombëtar të Amerikës.
Por ndërsa propozimet e Bidenit nuk ishin aq të gjera sa disa nga planet e tjera të mbështetura nga anëtarët e partisë së tij, çdo përpjekje për të rritur normat do të përballet me një luftë të ashpër nga republikanët dhe grupet e biznesit, të cilët thonë se taksat më të larta do të dëmtojnë ekonominë.
Me ekonominë në një gjendje të pasigurt, a do të shqetësohet Biden, madje duke shtyrë çështjen?
3. A mund ta bind Amerikën të ndërmarrë veprime mbi ndryshimin e klimës?
Aktivistët e ndryshimit të klimës u zhgënjyen kur Biden zbuloi planin e parë për të luftuar ndryshimin e klimës.
Por këtë pranverë solli një propozim gjithëpërfshirës, hartuar me ndihmën e disa prej ish-kritikëve të tij, që është përshkruar si më ambiciozi i paraqitur ndonjëherë nga një kandidat presidencial amerikan.
Ai përfshinte investimin e 400 miliardë dollarëve në kërkimin e energjisë së rinovueshme, forcimin e rregulloreve të ndotjes së veturave, goditjen e ndotësve të korporatave, ndërtimin e 500 mijë stacioneve të karikimit të automjeteve elektrike dhe eliminimin e ndotjes së karbonit nga termocentralet deri në vitin 2035, transmeton Telegrafi.
Republikanët paralajmërojnë se plani do ta “varrosë” ekonominë e SHBA-së. Por miratimi edhe i një versioni të kufizuar, ose përqendrimi në rregulloren që mund ta miratojë si president, do të shënonte një kthesë të fortë nga vitet e Trumpit, kur Shtëpia e Bardhë hapi tokat publike për shpimin e naftës, rrëzoi rregulloret dhe u largua nga përpjekjet globale, si Marrëveshja për Klimën e Parisit. Pra, cilave propozime do t’i japë përparësi Biden?
4. A do t’i jap fund luftërave tregtare të Donald Trumpit?
Qëndrimi tregtar agresiv i Donald Trumpit – duke sulmuar aleatët, kritikuar organizatat ndërkombëtare dhe aplikuar taksa të reja kufitare për importet nga vendet rreth botës – ishte ndoshta politika më e veçantë ekonomike e republikanit.
Ka shumë pak dyshime që Biden do të kërkojë një rivendosje, duke ripohuar rolin e Amerikës si një aleat dhe udhëheqës në skenën botërore, por sa do të ndryshojë substanca?
Kur bëhet fjalë për Kinën, ai ka premtuar veprim “agresiv” dhe pak presin që të heqë tarifat e Trumpit që vendosi mbi mallrat kineze. Kina nuk pret favore, pavarësisht fituesit.
Ish-nënpresidenti ka mbështetur gjithashtu idenë e tarifave në rrethana të tjera, duke përshkruar planet për të ngarkuar një tarifë për vendet që nuk përmbushin detyrimet klimatike dhe mjedisore. Dhe si Trump, ai ka premtuar të ringjallë prodhimin amerikan, me kërkesa më të forta “Buy American” për shpenzimet qeveritare që mund t’i sjellin SHBA-së në konflikt me rregullat e tregtisë ndërkombëtare.
Organizatat ndërkombëtare dhe aleatët prej kohësh të tjetërsuar nga Trump, si Kanadaja dhe Evropa, ndoshta mund të presin më pak sulme. Por disa tensione ka të ngjarë të zgjasin. Dhe në rastin e Mbretërisë së Bashkuar posaçërisht, dakordimi i një marrëveshje tregtare mund të bëhet më i vështirë – jo më pak – pasi Biden e ka bërë të qartë se një pakt i tillë nuk është një përparësi e lartë dhe mund të varet nga ajo që do të thotë Brexit për kufirin irlandez.
5. A do ta thyejë “Big Tech”?
Praktikat e gjigantëve të teknologjisë së Amerikës janë nën vëzhgim të madh në të gjithë botën – dhe në vend, ku politikanët nga e majta dhe e djathta kanë bërë thirrje për rregulla më të ashpra në fusha, të tilla, si konkurrenca dhe privatësia e konsumatorit.
Biden ka mbështetur shpërbërjen e kompanive si një “mundësi të fundit”, ku kritikoi Facebookun dhe të tjerët për dezinformimin e policisë dhe rreth përmbajtjeve të tjera në platformat e tyre. Ai ka thënë se mbështet heqjen e ligjit amerikan që mbron firmat e teknologjisë nga përgjegjësia për përmbajtjen e postuar në platformat e tyre, transmeton Telegrafi.
Por ai dhe nënpresidentja e tij, Kamala Harris, të cilët kanë marrë mbështetje të gjerë në Silicon Valley, kanë qenë jashtëzakonisht të qetë për këtë temë. Ata, për shembull, nuk shfaqën pozicione të tilla në faqen e internetit të fushatës.
Disa nga ndryshimet në diskutim kërkojnë që Kongresi të veprojë. Por Shtëpia e Bardhë ka fuqi të konsiderueshme për të kryer hetime të konkurrencës, për të zbatuar privatësinë dhe rregullore të tjera dhe mund të vendosë nëse do të luftojë veprimet ndërkombëtare, si përpjekjet në Mbretërinë e Bashkuar dhe gjetkë për të mbledhur më shumë taksa nga kompanitë e teknologjisë.
Pra, me kompetencat në fusha të tjera të kufizuara nga prania e republikanëve në Kongres, por presioni i mbetur për t’i dhënë bazës liberale të demokratëve, a do të jetë primare për Bidenin një rregullore rreth teknologjisë apo çështja do të zërë vendin e dytë? /Telegrafi/