Telegrafi

Si ta bëjmë një çantë nga xhinset e vjetra

Xhavit Novolani…
jawiibagskosova@gmail.com

Merrni një palë xhinse të vjetra, së pari e preni pjesën e epërme duke filluar nga pjesa poshtme e xhepave, aty ku fillon ndarja e dy këmbëve, por varësisht çfarë madhësia dëshironi ta keni çantën, mund të bëni prerjen më lartë ose më poshtë.

Në qoftë se xhinset janë të mëdha, atëherë mund të zvogëloni pjesën ku janë të vendosur xhepat (pjesa pubike-kombliku) dhe pastaj ta qepni, por nëse janë të madhësisë së zakonshme, atëherë nuk ka nevojë për intervenim në qepjen e tyre.

Bukuria e kësaj çante është se xhepat origjinale mund t’i shfrytëzoni për çelësa, telefon e të ngjashme. Qepjen e çantës (aty ku është bërë prerja) e bëni nga brenda dhe ndarjen mund të bëni me lecka tjera sikurse kanotiere apo të ngjashme. Nëse përdorni kanotierën, atëherë duhet të qepni pjesën e fytit dhe mëngët, e pastaj kjo qepet përbrenda çantës dhe formon ‘xhep’ apo ndarje për gjësende të posaçme.

Kur jemi tek rripi i çantës, nga mbetjet e xhinseve, dy këmbët, e preni një rrip të gjatë, ashtu si ju përshtatet juve gjatësia, dhe gjerësia duhet të jetë e mjaftueshme, sepse edhe rripi duhet të qepet po ashtu duke i bashkuar dy cepat e rripit (në formë të gypit). Rripin mund ta qepni në çantë apo mund ta lidhni në vegët e xhinseve.

Ana dekorative e çantës është imagjinata e juaj, mund të përdorin shenja, simbole, lecka të markave të ndryshme.

Tani keni një çantë të bërë nga vetë ju me stilin e juaj të pëlqyer, e mbajtshi me shëndet. /Telegrafi/