Pasaporta e Kosovës, në radhitjen ndërkombëtare të fuqisë së saj, është në vendin e 85-të – marrë parasysh se qytetarët e saj mund të udhëtojnë në vetëm 41 vende të botës pa viza.
Për këtë temë flasin të rinjtë e anketuar për rubrikën “VOX” të Radios Evropa e Lirë. Shumica prej tyre thonë se janë të kufizuar për të lëvizur nëpër vende të ndryshme të botës.
“Është jashtëzakonisht e limituar mundësia e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thotë Yllka.
Xhavid Novolani thotë se nuk ka pasaportë të Kosovës, pasi nuk ofron mundësi për të lëvizur lirshëm në vende të Evropës dhe më gjerë. Kurse, Besa Obërtinca, thotë: “Nuk kam pasur ku të shkoj me të. Në Shqipëri unë shkoj pa pasaportë, edhe askund tjetër. Nuk kam mundësi ekonomike”, tregon Besa.
Por, ka të tillë që si Burim Krasniqi ndihen krenarë që kanë pasaportën e Republikë së Kosovës.
“Vetë fjala pasaportë ka një autorizim ose identitet të shtetit tonë të pavarur “, shprehet Burimi.
Qytetarët e Kosovës, vazhdojnë t’u nënshtrohen procedurave dhe pritjeve të gjata për marrjen e vizave për udhëtim në ndonjërin prej vendeve të BE-së. Ata thonë se pritjet për marrjen e vizave janë shumë të bezdisshme. Ndërkaq, sa i takon çështjes së liberalizmit të vizave, i riu Leart Gashi thotë se nuk është optimist.
“S’ka liberalizim në Kosovë. Derisa e kemi territorin e pacaktuar, ende kufijtë nuk i kemi siç duhet, nuk ka liberalizim”, thotë ai.
Problemet e Kosovës në njohjen dhe konsolidimin ndërkombëtar e kanë zbehur, thonë ekspertët, edhe fuqinë e dokumentit të saj të udhëtimit. Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të presin në Prishtinë ose Shkup për marrjen e vizave për udhëtim në ndonjërin prej vendeve të BE-së.
Së fundi, Komisioni Evropian ka rekomanduar hapjen e mundësisë për lirinë e lëvizjes për qytetarët e Kosovës, duke vënë edhe kushte për liberalizim të vizave. Aktualisht, Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të udhëtojnë jashtë vendit pa një vizë të vlefshme. /REL/