Site icon Telegrafi

Si shfaqet dhe si shmanget konflikti i interesave?

Konfliktet e interesit, si në sektorin publik ashtu dhe në atë privat, janë bërë një çështje madhore e shqetësimit publik në shumë vende të botës. Historikisht , përkufizimi i termit “konflikt i interesit” ka pas shumë trajtime. Nocioni “konflikt interesi” është term që viteve të fundit, përmendet shpesh edhe në jetën publike në vendin tonë.

Sipas Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të interesit në Ushtrimin e funksionit publik (Nr.04/L-051), “Konflikti i interesit është gjendja e mospajtimit ndërmjet detyrës publike dhe interesave private të zyrtarit të lartë, kur ai ka interesa private të drejtpërdrejta ose të tërthorta, personale ose pasurore, të cilat ndikojnë, mund të ndikojnë ose duket sikur ndikojnë në ligjshmërinë, transparencën, objektivitetin dhe paanësinë e tij gjatë ushtrimit të funksionit publik”.

Në vendin tonë, autoriteti qendror përgjegjës për mbikëqyrjen dhe zbatimin e ligji për parandalimin e konflikti të interesit në ushtrimin e funksionit publik është Agjencia kundër korrupsionit. Kur themi autoritet qendror, nënkuptohet se ka edhe nivele dhe struktura të tjera përgjegjëse për zbatimin e këtij ligji, që ka të bëjë me parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.

Parandalimi i konfliktit të interesit, në radhë të parë është detyrë e zyrtarit të lartë, që brenda afatit ligjor (30 ditë nga zgjedhja ose emërimi në detyrë), të zgjedh vet çdo situatë të konfliktit të interesit.

Në rast se zyrtari i lartë është në dyshime për ekzistimin ose jo të konfliktit të interesit, ai duhet të këshillohet sa më parë me udhëheqësin e drejtpërdrejtë apo organin e tij udhëheqës. E kur as udhëheqësi i drejtpërdrejtë, e as organi udhëheqës nuk janë të bindur për ekzistimin ose jo të konfliktit të interesit, apo edhe ata dyshojnë se ka ose nuk ka konflikt interesi, u drejtohen Agjencisë për marrjen e një vendimi për rastin.

Të gjitha këto rregulla janë mirë të precizuara në Ligjin për Parandalimin e konflikti të interesit në ushtrimin e funksionit publik, në pikat e veçanta të nenit 8, që përmban Detyrimet e zyrtarit për parandalimin e konflikt të interesit.

Konflikti i interesit mund të jetë “i vazhdueshëm”, ose “rast për rast” . Konflikt interesi “i vazhdueshëm” është atëherë kur konflikti i interesave shfaqet në mënyrë të përsëritur, kur konflikti i interesave shfaqet në mënyrë të shpeshtë, dhe, kur konflikti i interesave shfaqet në të ardhmen.

Konflikt interesi “rast për rast”; është gjendja me konflikt interesi në njërën nga tri llojet: faktik, i mundshëm, apo në dukje. Pastaj, konflikti i interesit mund të shfaqet, ose lidhet edhe me një vendimmarrje të veçantë.

“Çdo zyrtar i lartë gjatë ushtrimit të funksionit të tij publike, në bazë të njohurive të tij dhe në mirëbesim, detyrohet që të bëjë vet deklarimin paraprak, rast për rast, të ekzistencës së interesit të tij privat, lidhur me vendimmarrjen në një çështje të caktuar, që mund të bëhen shkak për lindjen e një konflikti të interesit”.(Neni 13.1, Ligji Nr.04/L-051)

Mënyrat bazë të trajtimit dhe të zgjedhjes së konfliktit të interesave janë: transferimi ose tjetërsimi i interesave private, vet përjashtimi nga vendimmarrja, dorëheqje nga angazhimet ose detyrat private, dorëheqje nga funksioni publik, njoftimi i eprorit, apo (së fundi) institucionit përkatës (në Kosovë – Agjencionit kundër korrupsionit), dhe provimi i dokumentit të zgjedhjes së konfliktit të interesave.

Përgjegjës për parandalimin e konfliktit të interesit janë edhe eprorët apo institucionet ku zyrtari i lartë ushtron funksionin e vet. Prandaj, në këto raste ka detyra dhe obligime edhe për ta, si vijon:
kufizimi i informacioneve për zyrtarin që sjellin konflikt interesi, mosngarkimi me detyra me konflikt interesi, moslejimi i pjesëmarrjes në vendimmarrje në situata me konflikt interesi, transferimi i zyrtarit në një detyrë tjetër, shmangia e emërimit apo zgjedhjes së zyrtarit në pozita ku mund të ketë konflikt interesi, si dhe anulimi apo revokimi i aktit administrative, të marrë në kushte të konfliktit të interesit.

Konflikti i interesave nuk është “ipso facto” korrupsion. Por, nëse konflikti në mes të interesave private dhe detyrave publike të zyrtarëve publik nuk menaxhohet siç duhet, atëherë ajo situatë mund të jetë ambient i mirë (paradhomë) që qon në korrupsion.

 

Exit mobile version