Ministri i Brendshëm shqiptar Taulant Balla duke folur nga vendngjarja ku ndodhet qendra tregtare ne Lushnjë, tha se zjarrfikësit po punojnë në kushte të vështira për shkak të temperaturave të larta të krijuara, ndërsa për shkaqet tha se do të kryhet një hetim për të zbuluar se çfarë e shkaktoi.
“Ka qenë një situatë tepër e vështirë, por falë ndërhyrjes dhe koordinimit të mirë të forcave zjarrfikësve dhe ndërhyrjes së të gjitha strukturave të policisë së shtetit, u bë ndërhyrja në banesa dhe u gjetën njerëz të asfiksuar, të cilët tashmë janë jashtë rrezikut për jetën. Nëse do të jetë e nevojshme do të dërgohen për trajtim të specializuar.
Rreziku nuk ka përfunduar, pasi ka ende disa vatra të vogla zjarri, por aty po punonjës shërbimet zjarrfikëse të Fierit, Tiranës, Durrësit dhe Lushnjës. Po punohet në kushte të vështira për shkak se temperatura është shumë e lartë.
Falë ndërhyrjes dhe koordinimit të mirë mes forcave zjarrfikëse, Shqiponja dhe RENEA të cilat për shkak të profesionalizmit arritën të ndërhyjnë në kohë në banesa për të cilat u informuam që nuk ka banorë por pas hyrjes me forcë djemtë e RENEA-s gjetën njerëz në këto banesa. Ato tani janë jashtë rrezikut për jetën dhe po trajtohen në spitalin e Lushnjës,” tha Balla.
Ministri, duke apeluar për situatën e krijuar së fundmi në Lushnjë, paralajmëroi se qarkut Fier do t’i shtohen dhe dy zjarrfikëse që do të përdoren për situata emergjente.
“Kemi planifikuar që shërbimit zjarrfikës të qarkut Fier do t’i shtohen dy makina të reja për t’u përdorur në raste të tilla,” tha Balla.
Policia: Përfundoi operacioni i evakuim shpëtimit në qendrën tregtare në Lushnjë
“Në operacionin për evakuimin e qytetarëve morën pjesë Forcat Renea, Forcat e Sigurisë Kombëtare, Njësitë Shqiponja, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë dhe zjarrfikësit.
Në vendngjarje ishin Ministri i Brendshëm Taulant Balla, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, Zëvëndës Drejtori i Përgjithshëm Sokol Bizhga, Drejtori Vendor i Policisë Fier Lorenc Panganika, Drejtues të tjerë të DVP Fier dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.
Janë evakuuar dhe dërguar në spital për ndihmë mjekësore rreth 39 qytetarë dhe 3 punonjës të zjarrfikëses, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit,” njoftoi Policia./RTSH