Telegrafi

Si pasojë e coronavirusit, 15 të burgosur dhe pesë anëtarë të stafit kanë vdekur në Mbretërinë e Bashkuar

Sekretari i drejtësisë në Mbretërinë e Bashkuar, Robert Buckland, ka deklaruar se 15 të burgosur dhe pesë anëtarë të stafit të burgut kanë vdekur si pasojë e coronavirusit.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Buckland tha se 321 të burgosur dhe 293 të tjerë nga anëtarë të stafit kanë rezultuar pozitivë me COVID-19, ndërsa bëri të ditur se 33 të burgosur janë liruar në përpjekje për të kontrolluar përhapjen e sëmundjes.

Ndërkaq Ministria e Drejtësisë u shpreh në fillim të muajit që deri në 4,000 persona me rrezik të ulët do të lirohen, mirëpo ky vendim u pezullua përkohësisht dy javë më vonë nga qeveria, pasi gjashtë të burgosur u liruan gabimisht.

Ndryshe numri i të infektuarve nga coronavirusi në Mbretërinë e Bashkuar u rrit në 154 mijë, ndërsa 20 mijë persona kanë ndërruar jetë./Telegrafi/