Nga: Rezarta Reso
Po, po, e them prapë e me plot gojën: si nuk ju erdhi “nji fije marre”, kur thonë shkodranët, nga ato që nxorët nga goja për nobelisten e shumëmerituar Annie Ernaux!
Nuk e keni dëgjuar, nuk e njihni fare, megjithëse jetoni në Francën “tuaj” të bekuar … Në Francën që i dha jehonë burrit tuaj dhe e bëri të njohur në Evropë e Amerikë, në Azi e Antarktidë. Por, Franca nuk e ka filluar jetën letrare e kulturore me përkthimin e “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur” dhe as e ka sosur me përkthimin e fundit nga librat e Kadaresë. Ju e dini mirë sa e vjetër është kultura, arti dhe letërsia franceze.
Po, me sa duket, kur ju dilni nga shtëpia në Paris, ku thoni se jetoni, shihni vetëm një figurë: Ismail Kadarenë! Shihni vetëm një kopertinë libri, që ka vetëm një emër: Ismail Kadare! A ka ndonjë shkrimtar në botë që ju “e njihni”, i cili e meriton çmimin Nobel, përveç Ismail Kadaresë? Apo ç’është kjo pyetje absurde, e poshtër, e qëllimshme, dashakeqe, provokuese nga një njeri i mbushur me urrejtje, zili, siç jam e sigurt se do të thoni kur t’i lexoni këto rreshta?!?
Personalisht nuk çuditem fare, por si grua, si shqiptare, si qytetare e një shoqërie të hapur, të emancipuar, e interesuar të shoh dashuri, mbështetje dhe entuziazëm për çdo arritje humane, aq më tepër nga një grua që na bashkon në paqe e na inkurajon të ndërtojmë një jetë më të bukur, më erdhi vërtet neveri kur ju dëgjova.
Me moshë, si duket, ngjyrat e vërteta të shpirtit nuk mbahen dot të kamufluara sa në rini.
Edhe diçka. Që kur kam ardhur në SHBA, 27 vite të shkuara, si punonjëse në Departamentin e Rinisë të “Worcester Public Library”, jam e përqendruar në punën që bëj, vetëm te botimet për të rinjtë. Jam e detyruar të lexoj kryesisht shkrimtarë që shkruajnë për atë moshë dhe kryesisht shkrimtarë amerikanë. Madje, shumë emra shkrimtarësh evropianë apo nga vendet e tjera të botës i mësoj nga përkthimet në Shqipëri dhe pastaj i kërkoj në bibliotekë.
Ndryshe nga ju që thithni ajrin e Francës, e kisha dëgjuar shkrimtaren Annie Ernaux nga një mikesha ime në Shqipëri, që kishte lexuar librin e saj të përkthyer “Pasion i thjeshtë”. Por, vetëm tani, pas dhënies së çmimit Nobel, u futa në katalogun online të bibliotekave të shtetit Masaçusets, ku jetoj, dhe pashë se të gjithë librat e saj ishin të përkthyer në anglisht.
Do thoni ju, zonjë, po edhe Ismail Kadareja i ka librat të përkthyer në anglisht. Po, i ka, dhe ne që jetojmë në Amerikë, nuk themi që nuk e njohim, nuk e kemi dëgjuar, na pëlqen apo s’na pëlqen. Nuk e themi, se kemi atë që juve, zonjë ju mungon: ndershmërinë, sinqeritetin dhe integritetin si njerëz, që njohim dhe respektojmë vlerat, pavarësisht bindjeve dhe interesave vetjake.
E pra, pesë fjalë folët dhe ato ishin vetëm helm e vrer. Kaq të pamundur e kishit ta përmbanit veten. Mirë për nobelisten s’ju ha fare meraku, por pak respekt ndaj popullit tuaj, për të cilin thoni se e doni, nuk kishit, që të mos e gënjenit?!
Le të shtireshim për një çast si budallenj, që të besonim se zonja Elena nuk e njihte vërtet nobelisten. Po për zonjëllëk, siç thoshte gjyshja ime, nuk u futët pak në internet e të lexonit jo më shumë se dy minuta për të e ta uronit si grua, si shkrimtare e si bashkëshortja e njërit prej kandidatëve veteranë të çmimit Nobel, siç bëjnë të gjitha zonjat e vërteta?!? Por, siç thonë, zonjë e zotëri lind, nuk bëhesh dot.
Po shihja fotot e nobelistes. Sa sy të paqtë, sa pamje fisnike! Pastaj dëgjova edhe një herë komentet e Elenës teksa shihja intervistën e saj, dhe ndjeva të më shponte vështrimi i ca syve shqarthi …