Site icon Telegrafi

Si në serialin “Breaking Bad”- studenti me pasion kiminë, krijon laboratorin e drogës në shtëpi

Një nga laboratorët më të mëdhenj artizanalë të drogës i zbuluar ndonjëherë në Evropë u gjet në Novara, ku policia arrestoi një student 22-vjeçar. Ky laborator ishte i pajisur për të prodhuar një gamë të gjerë substancash narkotike.

Pas disa muajsh hetime, skuadra e narkotikëve identifikoi të riun, i cili kishte pasion për kiminë dhe kishte ndërtuar një laborator klandestin brenda shtëpisë së tij në lagjen Sant’Antonio. Në këtë ambient, ai prodhonte metamfetaminë dhe substanca të tjera sintetike, shkruan La Repubblica..

Studenti kishte organizuar laboratorin e tij në dy pjesë: kati përdhes shërbente për distilimin, ndërsa papafingo përdorej për përzierjen dhe krijimin e përbërjeve kimike. Hetuesit u bindën për aktivitetin e tij të paligjshëm pasi vëzhguan se ai hapte rregullisht dritaret për të ajrosur dhomat, duke lëshuar një erë të veçantë, karakteristike për prodhimin e metamfetaminës.

Në momentin e operacionit, policia e gjeti të riun vetëm në shtëpi dhe hyri brenda. Në katin përdhes, ata zbuluan një dhomë të ndriçuar nga një dritë e kuqe e zbehtë, ku mbi një tavolinë ndodhej një sistem kompleks distilimi, përbërë nga balona, gota dhe elemente tjera, të cilat mund të përballonin temperaturat e larta të përpunimit të drogës. Përveç kësaj, u gjetën sasi të konsiderueshme prekursorësh kimikë, të cilët nuk janë të disponueshëm në tregun legal, por sigurohen përmes rrjeteve të paligjshme.

Zona e përgatitjes dhe përzierjes së substancave ishte vendosur në papafingo, ku u gjetën doza të gatshme për shitje. Droga të ndryshme, përfshirë metamfetaminën, MDMA-në, DMT-në, Dom dhe Dob, prodhoheshin në këtë laborator, i cili ngjason me atë të serialit të njohur “Breaking Bad”, shkruan La Repubblica.

Në operacion morën pjesë edhe Kabineti Ndër-rajonal i Policisë Shkencore – Laboratori i Kimisë Ligjore për Piemonte dhe Valle d’Aosta, si dhe Policia Shkencore lokale. /Telegrafi/

Breaking Bad Trailer (First Season)

 

Exit mobile version