Site icon Telegrafi

Si ndikon fitorja e Trumpit ose Harrisit në qëndrimin e SHBA-së për zhvillimin dhe rregullimin e Al

Fitorja e Trump ose Harris në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit ndikon në qëndrimin e SHBA-së për zhvillimin dhe rregullimin e AI.

Me një javë që ka mbetur derisa ish-presidenti republikan Donald Trump dhe rivalja e tij demokrate Kamala Harris të përballen në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së dhe me sondazhet që tregojnë se rezultati është i ngushtë, drejtimi i ardhshëm i SHBA-së në AI mbetet i paqartë, pasi të dy kandidatët dallojnë në qasjet ndaj rregullimit dhe trajtimit të teknologjisë.

Ndryshe nga BE-ja ku Akti i AI u miratua në fillim të këtij viti, SHBA-së i mungojnë këto rregulla në mbarë vendin.

Megjithatë, gjatë mandatit aktual të presidentit demokrat në largim Joe Biden, qeveria amerikane nënshkroi një urdhër ekzekutiv që e lejonte atë të kufizonte përdorimin e Al.

Trump ka premtuar se do ta shfuqizojë këtë nëse zgjidhet.

“Ne do të shfuqizojmë Urdhrin e rrezikshëm Ekzekutiv të Joe Biden që pengon inovacionin e AI dhe imponon ide radikale të krahut të majtë në zhvillimin e kësaj teknologjie. Në vend të tij, republikanët mbështesin zhvillimin e Al të rrënjosur në fjalën e lirë dhe lulëzimin njerëzor”, tha Trump.

Investim historik për ta bërë SHBA-në të kryesojë në AI

Siç raportohet, Harris ka një qasje të ndryshme, duke u mbështetur në angazhimet ekzistuese nga urdhri ekzekutiv, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.

Ajo ka thënë se kjo “do të forcojë inovacionin dhe konkurrencën, do të mbrojë punëtorët dhe konsumatorët ndërsa teknologjia përparon dhe do të zhvillojë një fuqi punëtore të aftë federale të AI”.

Ajo dëshiron që SHBA-ja të vazhdojë të udhëheqë në zhvillimin dhe kërkimin e teknologjive të reja dhe në komercializimin e tyre.

Harris dhe kandidati i saj Tim Walz po propozojnë “një investim historik për të mbështetur sigurinë kombëtare dhe ekonomike duke u siguruar që SHBA- jo Kina – të udhëheqë në AI.

Përdorimi i AI në fushatë

Teknologjia e AI është përdorur edhe në fushatën presidenciale të SHBA-së, duke sinjalizuar dhe kontributin e mundshëm të AI në lajmet e rreme.

Trump, i cili pretendon se do të “rikthejë fjalën e lirë” kur të zgjidhet, postoi vetë imazhe të krijuara nga AI të këngëtares amerikane Taylor Swift që dukej se e mbështeste atë, të cilat ai më vonë pranoi se ishin të rreme.

Swift përfundimisht tregoi mbështetjen e saj për Harris në shtator.

Ndërkohë, miliarderi dhe pronari i X që mbështet Trumpin, Elon Musk ndau një video të Harris në platformën e tij të realizuar nga një mjet për klonimin e zërit.

“Unë, Kamala Harris, jam kandidatja juaj demokrate për presidente, sepse Joe Biden më në fund ekspozoi pleqërinë e tij në debat”, thuhej në videon e rreme.

Komiteti Federal i Komunikimeve i SHBA-së (FCC) ka propozuar që të gjitha stacionet radio dhe televizive që transmetojnë reklama politike duhet të kontrollojnë nëse ato përmbajnë përmbajtje të krijuar nga AI dhe të ofrojnë një njoftim në transmetim nëse po, i cili do të pasqyronte rregullat e BE-së për reklamat politike.

Megjithatë, këto rregulla nuk janë në fuqi përpara votimit të 5 nëntorit. /Telegrafi/

Exit mobile version