Nën sloganin “Dare to Be the Change” [Guxoni të jeni ndryshimi], një ndër konferencat më të mëdha të teknologjisë në Ballkan, DOKU.TECH, këtë vit ka shënuar Edicionin e 8-të me radhë.
DOKU.TECH– nën organizimin e IPKO Foundation – edhe këtë vit ka sjell tek audienca fjalime inspiruese nga folës të ndryshëm, ndërkombëtarë e lokalë, të cilët janë shquar për të arriturat e tyre në fushën e teknologjisë dhe kanë lënë gjurmë me idetë dhe lëvizjet e tyre.
Emisioni i tretë me radhë i DOKU.TECH do të transmetohet nesër, ditë e shtunë, duke filluar nga ora 20:30 në RTV Dukagjini dhe në Kallxo.com.
Të ftuar në këtë emision do të jenë Edin dhe Sead Haliti, Bashkëthemelues të Kompanisë “Mudro Bio” në Kroaci. “Mudro Bio” është një kompani në industrinë e ushqimit në Kroaci që operon natyrshëm dhe është e angazhuar drejt gjetjes së një zgjidhjeje për rritjen e kërkesës globale të ushqimit. Një gjë të tillë, kjo Kompani e bën duke kultivuar karkaleca apo insekte të tjera dhe duke ofruar në treg ushqim me vlera të larta ushqyese.
Dy vëllezërit Haliti, të cilët me prejardhje janë nga Kosova, por që veprojnë në Kroaci, do të flasin për produktin me të cilin nisën gjithçka, i njohur si “Locusta Migratoria”. Ata do të tregojnë se si mund të përgatiten ushqime nga produktet e tilla, të bëra nga insektet, si dhe pse kjo kahje e industrisë së ushqimit po shihet si zgjidhja më e qëndrueshme për të ardhmen.
Kujtojmë se në emisionin e parë të DOKU.TECH, të ftuar kanë qenë Drejtori i Strategjisë Digjitale në Shtëpinë e Bardhë, Rob Flaherty, si dhe profesori i mirënjohur në Bazën e të Dhënave, Naim Hoxha. Ndërsa, në emisionin e dytë kemi sjell rrëfimin interesant të Bashkëthemeluesit dhe Drejtorit Ekzekutiv të Kompanisë “Cyborg Nest”, Liviu Babitz, si dhe fjalimin inspirues të themelueses së Studios të Modës së Ngadaltë & Teknologjisë së Modës në Prishtinë, Hana Zeqa.
Emisioni i nesërm do të jetë i fundit për edicionin e sivjetmë të DOKU.TECH – konferencës më të madhe të teknologjisë në Ballkan. Shumë shpejt pritet të nisin përgatitjet për edicionin e radhës të DOKU.TECH, i cili do të sjell shumë befasi dhe risi për ju!