Studiuesit po raportojnë se njerëzit me diabet të tipit 2 mund të korrin më shumë përfitime duke ushtruar pasdite.
Në një studim të ri, u raportuar se pjesëmarrësit që ushtronin më vonë gjatë ditës, arritën rezultate më të mira për sa u përket niveleve të glukozës në gjak.
Ata thanë se nuk janë ende të sigurt pse stërvitja pasdite mund të jetë më e dobishme, por mund të jetë për shkak të modeleve më të mira të gjumit dhe shprehive më të shëndetshme të të ngrënit.
Mjekët i kanë lavdëruar prej kohësh përfitimet e stërvitjes për t’i ndihmuar njerëzit me diabet të tipit 2 ta menaxhojnë sëmundjen kronike dhe ta zvogëlojnë rrezikun e ndërlikimeve shëndetësore.
Tani, një studim i ri i botuar në revistën Diabetes Care sugjeron se ora në të cilën ushtrojnë personat me diabet të tipit 2, ndihmon në përcaktimin se sa dobi u sjell atyre.
Në studim, ekspertët raportuan se stërvitja pasdite dha rezultatet më dramatike në kontrollin e niveleve të glukozës në gjak.
“Këto janë gjetje shumë emocionuese, sepse ne e kemi ditur se aktiviteti fizik është i dobishëm, por ajo që shton studimi ynë është një kuptim i ri se koha e aktivitetit mund të jetë gjithashtu e rëndësishme”, ka thënë për Medical News Today, Jingyi Qian, PhD, bashkautore e studimit dhe profesoreshë e mjekësisë.
Pse ushtrimet pasdite mund të funksionojnë më mirë
Ishte e paqartë pse pikërisht stërvitja e pasdites solli reduktimet më të mëdha të glukozës në gjak.
Megjithatë, ekipi hulumtues sugjeroi se modelet e gjumit, dieta dhe metabolizmi, mund të japin të dhëna.
Dr. Qian ka theksuar se shpreson që kërkimet e mëtejshme do të matin faktorë të tillë për të përcaktuar një lidhje më të drejtpërdrejtë.
Sipas saj, kjo mund t’u sigurojë atyre me diabet të tipit 2 dhe mjekëve më shumë prova për të përshkruar ushtrime në kohë specifike të ditës për të ulur nivelet e glukozës në gjak.
Diabeti i tipit 2 është lloji më i shpeshtë i diabetit. Ndodh kur trupi bëhet rezistent ndaj insulinës ose nuk prodhon mjaftueshëm insulinë.
/Telegrafi/