Site icon Telegrafi

Si mund ta gjej lumturinë përmes një rruge që shkon kundër karakterit tim?

Nga: Thomas More (Pjesë nga “Utopia”)
Përktheu: Erion Kristo

“I dashur Rafael, vërtet po habitem pse ti nuk vihesh në shërbim të ndonjë mbreti”, tha. “Cilido prej tyre do të të pranonte krahëhapur. Njohja e vendeve dhe e njerëzve të bën ty njeriun më të përshtatshëm, jo vetëm për të argëtuar çfarëdolloj dëgjuesi, por edhe për të dhënë këshilla e shembuj. Kësisoj, ti mund të përfitosh, por edhe t’u bësh ndere miqve dhe të afërmve”.

“Sinqerisht”, gjegji Rafaeli, “nuk shqetësohem shumë. Detyrën ndaj tyre e kam kryer. Njerëzit i shtrëngojnë pasuritë e tyre deri në pikën e fundit të jetës, madje dhe atëherë shkëputen zemërthyer. Ndërsa unë e kam shpërndarë pasurinë time, tani që jam i shëndetshëm dhe i ri. Pra, besoj se ata duhet të jenë të kënaqur, pa kërkuar të bëhem shërbëtor i ndonjë mbreti për t’i përkrahur.”

“Prit një çast”, korrigjoi Petri, “nuk thashë shërbëtor, por vetëm t’i shërbesh ndonjë mbreti.”

“Dy-tri germa nuk bëjnë dallim.”

“Në rregull, merre si të duash, por unë mendoj se në këtë mënyrë jo vetëm mund t’u bësh të mira të tjerëve, tek e tek apo gjithë bashkë, por edhe t’i sigurosh vetes një jetesë të lumtur.”

“Si mund ta gjej lumturinë përmes një rruge që shkon kundër karakterit tim? Tani jetoj ashtu si ma ka ënda dhe dyshoj se kjo mund t’u bëjë vaki oborrtarëve. Ka shumë njerëz që me zell kërkojnë miqësinë e pushtetarëve, ndaj nëse unë, bashkë me ndonjë tjetër sikurse unë, hiqemi mënjanë, nuk bëhet ndonjë dëm.

“Është e qartë, i dashuri im Rafael”, ndërhyra në këtë pikë, “se as pasuria, as pushteti nuk të ngjallin dëshirë, dhe unë nuk do të të nderoja më pak se tani, sikur ju të ishit mbreti më i fuqishëm i rruzullit. Por megjithatë, më duket se do të bënit një zgjedhje në përputhje me dinjitetin e shpirtit tuaj fisnik dhe filozofinë tuaj, sikur të vendosnit, edhe pse me përbuzje, t’ua kushtoni aftësitë dhe veprimtarinë tuaj çështjeve shtetërore. Dhe mënyra më e mirë do të ishte të merrje pjesë në këshillin e sundimtarit, duke e nxitur në rrugën e drejtë, sepse çdo sundimtar është si një burim i pashtershëm, nga ku mund të burojë për popullin lumturia dhe mizoria. Kurse ju jeni kaq i pajisur me dituri e përvojë, saqë edhe vetëm në një nga këto fusha do të ishit një këshilltar ideal.”

“Gaboheni, i shtrenjti Mor, së pari lidhur me mua, e më pas lidhur me vetë çështjen. Nuk i kam aftësitë që ju më vishni, por edhe sikur t’i kisha dhe të pranoja, le ta zëmë, se do të ujdisesha me natyrën time, nuk do të isha i dobishëm për bashkësinë e qytetarëve. Sa për fillim, shumica e sundimtarëve merret më tepër me artin e të luftuarit, që nuk e njoh dhe nuk dua ta njoh, sesa me politikat e dobishme në kohë paqeje. Zelli i tyre përgjithësisht drejtohet për nga pushtimi i mbretërive të reja, në vend që të qeverisin me drejtësi atë çka zotërojnë. Veç kësaj, ata që duhet të këshillojnë mbretërit ose janë tepër të ditur sa të mos kenë nevojë për këshilla ose tepër kryeneçë për t’i pranuar ato, por në të dy rastet të gatshëm të fitojnë përkrahjen e mbretit, duke mbështetur synimet e tij më të kota.

Nga ana tjetër, është diçka instinktive që gjithkush të adhurojë pjellën e vet. Kështu, edhe laraskës i pëlqejnë zogjtë e vet, kurse majmunit të vegjlit e tij. Pra, në atë shoqëri njerëzish ziliqarë për meritat e të tjerëve dhe krenarë për të vetat, do të ishte tepër e vështirë orvatja për të këshilluar një politikë të bazuar mbi parime të mësuara tjetërkund shembuj të shkëlqyer historikë. Çfarë do të ndodhte? Do të vërsuleshin sikur t’u cenohej nderi apo mbi profesional dhe do të rrezikonin të vlerësoheshin si hajvanë për tërë jetën, nëse nuk do të gjenin diçka, për të kundërshtuar propozimet e paraqitura, duke u mbështetur te thënie të lashta, si: ‘Nëse kjo u shkonte për shtat të parëve tanë, kush jemi ne që të vëmë në dyshim diturinë e tyre?’. Dhe paskëtaj, do të fundoseshin të ngushëlluar në kolltuqet e tyre, si të kishin arritur kushedi se çfarë përfundimi, sikur është fatkeqësia më e madhe në botë nëse dukemi disi më të mençur se të parët tanë. E megjithatë, nuk ngurojmë të braktisim gjithçka të mirë që është krijuar prej tyre, ndërsa marrëzitë përpiqemi t’i ruajmë, duke mos pranuar përtëritje. Shpesh kam rastisur në këtë përzierje krenarie, marrëzie dhe paragjykimi, madje edhe në vende të ndryshme ndërmjet tyre. Një herë më ka rastisur në Angli.”

 

Exit mobile version