Analizë librit të Noel Malcolm-it: ‘Reason of state, propaganda, and the Thirty Years’ War – An unknown translation by Thomas Hobbes’.
Siç shihet nga titulli, ky libër i Noel Malcolm-it, botuar në vitin 2007 nga Oxford University Press, ka të bëjë me një temë të veçantë dhe të fushës në të cilën autori është më autoritativi. Veprat e Malcolm-it, si gjithmonë, janë rezultat i studimeve të thella akademike dhe të bazuara në burime arkivore.
Lufta Tridhjetëvjeçare, e cila u zhvillua në Evropën Qendrore nga viti 1618 deri më 1648, ka qenë ndër më të përgjakshmet në histori dhe që shkaktoi vdekjen e miliona njerëzve. Njerëzit nuk vdiqën vetëm nga konflikti ushtarak, por edhe si rezultat i urisë dhe murtajës. Kjo luftë filloi si religjioze në mes të protestantëve dhe katolikëve ku u përfshinë Habsburgët austriakë dhe princërit gjermanë. Më vonë konflikti u zgjerua dhe mori kah të luftës për balanc të pushtetit në Evropë.
Gjatë vitit 1620, në betejën e ‘Malit të Bardhë’ afër Pragës, Habsburgët morën në posedim një mori dokumentesh sekrete të armiqve të tyre. Për ta lavdëruar veten dhe poshtëruar armikun, Habsburgët i botuan disa pjesë të zgjedhura të këtyre dokumenteve. Veprime të këtilla u përsëritën edhe nga tjerët. Dhe, kështu, gjatë kësaj lufte 30-vjeçare shteti filloi ta përdorte shtypin për propagandë. Këtë gjë e mundësonte përparimi i shtypshkronjës, themelimi i shërbimit postal dhe fillimi i botimit të gazetave periodike. Në këtë mënyrë, botimet, sidomos ato në formë të pamfleteve, u bënë medium me të cilat shteti e transmetonte qëllimin e vet. Transmetimi (botimi) përmbante fakte të vërteta, por edhe të rrejshme, sikur që ndodhë edhe sot. Natyrisht që këto botime kishin efekt te lexuesit dhe kështu lindi propaganda shtetërore, e cila, për të arritur qëllimet e veta, shfrytëzon shtypin (mediat).
Një dokument i këtillë, i cili në fakt është pamflet propagandistik politik, është quajtur ‘Altera Secretissima Instructio’ (Këshilla e dytë sekrete). Ky pamflet kishte arritur edhe në Angli, por për të nuk është ditur se ekziston deri para dy dekadave kur është zbuluar nga historiani Noel Malcolm dhe i cili ka vërtetuar se përkthimi është bërë nga filotofi Thomas Hobbes (1588-1679). Pra, thelbi i këtij libri është ky pamflet kurse vlera e tij qëndron në faktin e rëndësisë që ka përkthyesi. Noel Malcolm e analizon këtë dokument në këtë libër duke e ndarë në gjashtë kapituj.
Në kapitullin e parë Malcolm e analizon jetën dhe karrierën e hershme të Hobbes-it. Malcolm, ndër njohësit më të mirë të jetës dhe veprës së tij ofron detaje interesante të cilat do të ndikonin që Hobbes-i më vonë të bëhej ndër dijetarët kryesor anglezë dhe themelues i filozofisë politike moderne. Në këtë pjesë të librit theksohet se Hobbes-i, pas kryerjes së studimeve në Oksford, fillon punën e mentorit dhe këshilltarit në familjen Cavendish, e cila ka pasur influencë të konsiderueshme politike në Anglinë e asaj kohe.
Analizat e Malcolm-it, si gjithmonë, janë të thella dhe të detajuara. Në kapitullin e dytë, ku përshkruhet përkthimi i tekstit në fjalë, Malcolm ka vënë në pah vështirësitë që ka patur Hobbes në përkthimin nga latinishtja në anglisht. Ta zëmë fjalën ‘Porte’ ai e përkthen ‘porta’ duke i dhënë kuptimin e derës, për shkak se nuk është në njohuri se këtu fjala është për ‘Portën e Lartë’ apo ‘Sublime Porte’ (Perandorinë Otomane). Ose fjalën ‘Kajmekam’ e përkthen si emër të njeriut duke mos e ditur së është term për funksion shtetëror në sistemin politik të Perandorisë Otomane. Me fjalë tjera, studimi i Malcolm-it përfshinë këto dhe detaje tjera edhe më të imëta. Duke i analizuar këto gabime të përkthimit, Malcolm bënë me dije se Hobbes-i në këtë periudhë të hershme ende nuk kishte arritur t’i lexonte disa vepra të historianëve anglezë ku janë përdorur këto fjalë.
Në kapitullin e tretë, duke e bërë analizimin e tekstit të pamfletit, Malcolm, në mënyrë të mahnitshme ofron pamjen politike të Evropës së gjysmës së shekullit XVII. Marrim vesh se si disa vende evropiane e inkurajonin me dëshirë të madhe invadimin otoman në tokat e sunduara nga Habsburgët. Për këtë gjë Habsburgët gjetën dokumente dhe i botuan në mënyrë që të tregonin se disa vende e nxitnin shtrirjen otomane në Evropë dhe se preferonin një fuqi islamike në dëm të një fuqie të krishterë. Pra, siç shohim në këtë vepër, Evropa, gjatë kësaj lufte që shndërruar në një laborator të madh ku eksperimentohej me teoritë e arsyes së shtetit dhe ku testoheshin dhe demonstroheshin mënyra të zbatimit të politikave, diplomacisë dhe përdorimit të forcave të armatosura. Mjeti për të matur e nxitur vetëdijen dhe disponimin e opinionit publik ishte propaganda që po zhvillohej krahas lindjes së sistemit të shtypit. Paralelisht po zhvillohej sistemi i informimit dhe dezinformimit.
Qëllimi i pamfletit dihej se cili ishte në Evropë. Por, pse Hobbes-i u interesua që ky pamflet të përkthehej në anglisht kur dihej që Habsburgët nuk kishin mendim të mirë as për dinastinë mbretërore angleze? Madje, këto materiale në Angli ishin të ndaluara dhe sidomos ky tekst që përmbante elemente për nxitje të rebelimit të anglezëve kundër mbretit të tyre. Përgjigjen e kësaj pyetje e gjejmë në kapitullin e katërt. Anglia, tani më me Kishën e saj të pavarur protestante, nuk ishte e përfshirë në këtë luftë fetare, por qarqet politike, aristokrate dhe intelektuale angleze kishin interesim për ngjarjet që ndodhnin në Evropë. Prandaj, Malcolm sugjeron se familja Cavendish i kishte kërkuar Hobbess-it që ta përkthente tekstin në fjalë.
Ky pamflet në Evropë ishte botuar në vitin 1620, por në Angli erdhi më vonë. Në vitin 1627 u bë me dije se ekzistonin disa kopje të këtij teksti, që gjendeshin nëpër bibliotekat private dhe që lexohej me të madhe dhe në të cilin vit edhe qe përkthyer. Varianti i përkthyer në anglisht nga Hobbes-i nuk u botua kurrë dhe qëndroi në bibliotekën e familjes Cavendish, por më vonë kishte përfunduar në arkivin e Bibliotekës Britanike ku e kishte gjetur Malcolm-i. Analizat e Malcolm-it bëjnë me dije se pamfleti ka patur ndikim jo vetëm në formësimin intelektual të Hobbess-it, por ndikimi është vërejtur edhe në nxitjen e debateve intelektuale te asaj kohe dhe në literaturën e krijuar nga dijetarët tjerë anglezë të fushës së teorisë politike. Kjo pjesë, pra ndikimi, diskutohet në kapitullin e pestë.
Gjatë tërë librit, sidomos në kapitullin e fundit të gjashtë, Malcolm përqendrohet në efektin që ka krijuar ky pamflet në mendjen e Hobbes-it. Malcolm e lidhë rastin e teorisë së tij politike me atë të arsyes (arsyeshmërisë) së shtetit. Por, me këtë rast, kritikët e Malcolm-it kanë bërë me dije se kjo gjë nuk mund të argumentohet. Natyrisht, Hobbes është dalluar nga Makiaveli dhe tjerët kryesisht për shkak se ai nuk parasheh dhe nuk e miraton revoltën e popullatës. Qëndrimi i tij ka qenë që të mbrohet sistemi tradicional politik anglez dhe mbreti të mos trazohet nga ushtrimi i detyrës së sovranit. Por, kjo është një temë tjetër të cilën Hobbes-i e trajton në veprat tjera, përfshirë atë më të njohurën ‘Leviathan’ të botuar në vitin 1651.
Ky libër, në mënyrë të gjerë paraqet rrethanat e periudhës historike të Luftës Tridhjetëvjeçare sikur edhe jetën dhe veprimtarinë e Hobbes-it gjatë kësaj kohe. Por, mbi të gjitha, libri ka vlerë të veçantë pasi që e shpjegon edhe mënyrën sesi lindi propaganda e shtetit së bashku me lindjen e shtypit. Që nga mesi shekullit XVII, natyra dhe qëllimi i propagandës shtetërore dhe relacioni saj me shtypin nuk ka ndryshuar as sot. /Telegrafi/