Telegrafi

S’i lejohet pjesëmarrja në intervistimin e Abazit, avokati Gashi e quan jotransprencë e prokurorit të rastit

Prokuroria Speciale, sot nisi intervistimin e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi lidhur me deklaratat e tij për rastin e Astrit Deharit.

I pranishëm ishte edhe avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, i cili ka bërë kërkesë që të marrë pjesë gjatë marrjes në pyetje të Abazit në Prokurorinë Speciale, mirëpo i njëjti nuk është lejuar nga prokurori i rastit të marrë pjesë në intervistim.

Gashi para mediave akuzoi prokurorin e rastit, Afrim Shefkiu për mostransparencë, derisa shtoi se kishte disa pyetje për deputetin në fjalë.

“Duke e ditur jotransprencën e prokurorit të rastit, Afrim Shefkiu, e kam menduar që do të veprojë kësisoj që nuk lejojë unë të marrë pjesë në cilësi të avokatit, përfaqësuesit juridik të familjes së Astrit Deharit dhe i ka njoftuar zyrtarët përkatës që mos të më lejojë pjesëmarrjen gjatë dëgjimit të deputetit Haki Abazi. Unë kam paraqitur një shkresë, sepse duke e ditur mostransparencën e prokurorit, Afrim Shefkiu në rastin e hetimit të vrasjes së Astrit Deharit, ndërsa zhdukja e mostrave në Institustin e Mjekësisë Ligjore ka të bëjë direkt me këtë rast, me dëmtimin e hetimit të këtij rasti kam paraqitur shkresë në bazë te secilës kam kërkuar që prokurori i rastit të na njoftojë me shkrim lidhur me arsyejet e moslejmimit tim të pjesëmarrjes time gjatë dëgjimit të dëshmitarit Haki Abazi…Arsyetimi ishte i prerë, që avokati të mos lejohet të marrë pjesë”, tha Gashi.

Kujtojmë që, të enjten (16 shkurt), në një konferencë për medie, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka thënë se duhet të kërkohen video-incizimet për zhdukjen e mostrave të rastit Dehari.

Sipas tij, Prokuroria Speciale duhet të intervistojë kryeministrin, Albin Kurti, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun, etj.