Prokurorja speciale Katica Janeva dje ka mbajtur konferencë shtypi në të cilën paralajmëroi aksionin e parë nën emrin “Titanik”, transmeton Telegrafi.
Në të, siç njoftuan nga Prokuroria speciale janë hapur procedura hetimore kundër ish ministrave Gordana Jankulloska dhe Mile Janakieski (edhe pse emrat e tyre nuk u përmendën në mënyrë eksplicite) si dhe kundër sekretarit të Qeverisë, Kiril Bozhinovski, për bashkëpunim në krim, shkeljen e të drejtës zgjedhore, shkeljen e lirisë së votimit, ryshfet dhe shkatërrim të materialit zgjedhor, e tërë kjo rezultoi me falsifikim të zgjedhjeve.
Për ta, siç njoftoi prokurorja Fatime Fetai, ekzistojnë dyshime të bazuara se në vitin 2012, duke keqpërdorur funksionet dhe privilegjet e tyre, kanë krijuar grup i cili ka pasur për qëllim përmes keqpërdorimeve, dhunës, ryshfetit, bartjes së njerëzve nga jashtë vendit dhe financim joligjor t’i sigurojnë fitoret zgjedhore të VMRO DPMNE-së përmes kriminalizim të plotë të zgjedhjeve.
“Nga kjo del se bëhet fjalë për kriminalizim të plotë të procesit zgjedhor, me dhënie joligjore të letërnjoftimeve dhe vendosjen në Listën e zgjedhësve të personave që me asnjë bazë nuk guxojnë të figurojnë. Ndryshe, disa persona janë fotografuar në një qytet ndërsa letërnjoftimin e kanë marrë në qytet tjetër, gjegjësisht në komunën Qendër, kuptohet edhe në listën e zgjedhësve janë atje, kanë votuar dhe më pas janë përcaktuar 15 mijë numra të ri amë, këtu të mos krijohet huti, nuk bëhet fjalë për foshnja janë përgatitur 35 mijë letërnjoftime që nuk janë marrë nga aplikuesit, dhe askush nuk e di pse qëndrojnë në MPB, kemi edhe 60 mijë shtetas të rinj të Maqedonisë, ndërsa kur jemi te diaspora, dhe roli i përfaqësive konsulare, për të do të hapet lëndë e veçantë, siç do të thoshte zotëria i respektuar Pribe”, deklaroi Fatime Fetai
Në qendrën e manipulimeve zgjedhore, sipas prokuroreve speciale, ka qenë MPB, kur ish ministrja Gordana Jankulloska “okupoi tërë infrastrukturën njerëzore dhe teknike që të vendos listën zgjedhore sipas vullnetit të interesave të partisë të cilës i takon”.
“Lista zgjedhore, që mos të ketë huti, me ligj udhëhiqet nga KSHZ-ja, mirëpo të dhënat në të, thuajse 90% janë të dhëna që dalin nga shërbimet e MPB-së. Kuptohet se këtu është përfshirë edhe Ministria e drejtësisë përmes reparteve amë, por tek ta veprimet edhe janë në fazën e dyshimit. Konkretisht, kur është paraqitur nevoja për votues tjerë, ministri i brendshëm ka angazhuar pjesë të madhe të kapaciteteve duke shkelur ligjet, rregulloret, udhëzimet e punës për arritjen e këtij synimi. Përnjëherë sistemi i MPB-së ka filluar të punoj në drejtim të kundërt, së pari fotografim për letërnjoftim dhe me këtë vendosje në sistemin e letërnjoftimeve, pastaj sistemi i informatikës ka mbaruar punën dhe me këtë votues të ri në listën zgjedhore e më pas edhe vendbanime për personat e njëjtë. Pas vendosjes në sistemin e MPB-së për letërnjoftime, e me këtë edhe në listën zgjedhore, absolutisht është e parëndësishme që më pas një pjese të tyre u kanë përgatitur letërnjoftime e një pjese jo, e disa janë sjellë në votime dhe kanë votuar me dokumente, ku vendbanimin e kanë diku tjetër, por për shkak se në listën zgjedhore janë shkruar me adresën e re, organet zgjedhore i kanë lejuar të votojnë” u shpreh prokurorja Fetai.
Për tërë këtë, një pjesë e madhe e financave janë siguruar përmes burime ilegale të financimit.
Siç njoftuan nga PSP, janë hapur procedura kundër pesë gjykatësve nga Gjykata kushtetuese dhe katër anëtarëve nga përbërja e KSHZ-së në vitin 2013.
Duke u përgjigjur në pyetje nga gazetarët, prokurorja Lençe Ristevska tha se për momentin është kërkuar tetë të dyshuarve t’u shqiptohet masa e arrestit për shkak të “rrezikut të ndikimit ndaj dëshmitarëve”.
Kërkesat nga Gjykata themelore 1 janë dorëzuar sot në mëngjes ndërsa një person është arrestuar dhe nxjerrë para gjykatësit me procedurë paraprake.
Jo-zyrtarisht bëhet fjalë për kryetarin i komunës së Pustecit, Edmond Temelko. /Telegrafi/