Një ditë më parë Prokuroria Themelore e Pejës ka mbajtur në konferencë për media në të cilën janë shpalosur detaje nga vrasja e trefishtë në Gllogjan të Deçanit, gjersa u bë e ditur se është ngritur aktakuzë ndaj tre personave.
Prokurorja e rastit, Sahide Gashi, në konferencën për media ka bërë të ditur se aktakuza është ngritur ndaj Kreshnik e Kastriot Mehmetaj për veprën penale vrasje e rëndë dhe ndaj Halil Mehmetaj për shtytje në kryerje të veprës penale.
Ndërsa, për të pandehurin Malsor Mehmetaj prokuroria ka vendosur që t’i pushojë hetimet pasi siç ka deklaruar prokurorja Gashi, pas përfundimit të hetimit dhe shqyrtimit të provave, nuk është arritur që të vërtetohet se i njëjti ka qenë i përfshirë në këtë rast, shkruan Telegrafi.
“]
“Pas hetimeve Prokuroria sot më 5 maj ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Pejë kundër Kastriot Mehmetaj e Kreshnik Mehmetaj për vepër penale ‘vrasje’ si bashkëkryes të veprës.
Kemi ngritur aktakuzë edhe kundër Halil Mehmetaj për vepër penale ‘shtytje në vepër të rëndë’. Pas përfundimit të hetimeve dhe shqyrtimit të të gjitha provave, Prokuroria për të pandehurin Malsor Mehmetaj nuk ka arritur të vërtetojë dyshimin se i njëjti ka qenë i përfshirë në ndonjë mënyrë në krim, andaj Prokuroria ka marrë vendim që ndaj tij t’i pushojë hetimet”, ka theksuar Gashi.
Prokurorja e rastit ka bërë të ditur se ky krim paraprakisht ishte planifikuar në hollësi, ndërkaq lidhur me motivet e ngjarjes së rëndë, prokurorja është shprehur se në këtë fazë të hetimeve nuk mund të japë më shumë detaje.
Por, Gashi thekson se target i sulmit ishte shoferi i autobusit
“Janë siguruar incizime të të gjitha kamerave përgjatë rrugëtimit të autobusit të sulmuar. Janë marrë intervistat e para me pasagjerët e mbijetuar të autobusit, është nxjerrë profili i kryerësit dhe personave e viktimave të këtij rasti, dhe kemi ardhur në përfundim preliminar pas grumbullimit të të gjitha informatave, kemi arritur që të konstatojmë me besueshmëri të lartë se nuk ka pasur indikacione të sulmit terrorist. Cak i sulmit ka qenë shoferi i autobusit”, ka thënë prokurorja.
Ajo nuk ka pranuar të flasë saktësisht për rolin e tre tashmë të akuzuarve për vrasjen e trefishtë në Gllogjan të Komunës së Deçanit.
“Zhdukja e kryerësit pa lënë asnjë gjurmë është tregues se i njëjti ose e ka njohur mirë terrenin ose ka pasur bashkëpunëtorë që e kanë ndihmuar duke e larguar prej aty menjëherë pas sulmit”.
Ajo ka bërë të ditur se gjatë hetimeve janë proceduar 86 persona, qindra informata, janë analizuar mbi 40 video-incizime nga Gjakova e deri në Gllogjan, teksa ka shtuar se janë dërguar prova edhe në Zvicër e Shqipëri.
“Janë siguruar informata nga burime jashtë vendit, kompania Facebook dhe kompania Viber në Luksemburg. Si përfundim, nga të gjitha hetimet kemi arritur që të sigurojmë prova ku e kemi ndërtuar të gjithë ngjarjen e natës kritike”, ka deklaruar Gashi.
Ndryshe, pasditen e 26 nëntorit të vitit 2021, në Gllogjan janë vrarë tre persona e një është plagosur pas të shtënave me armë në drejtim të një autobusi, i cili po bartte nxënës nga Gjakova për në Gllogjan.
Autobusi ishte zënë në pritë siç thuhet nga një person, i cili kishte shtënë me kallashnikov në drejtim të automjetit. Të vdekur mbetën shoferi i autobusit, dhe dy nxënës të moshës 17-vjeçare. /Telegrafi/