Banesat e ndërtuara nga shteti shihen në shumë vende të botës si një zonë ku jetesa është e vështirë për shkak të cilësisë së dobët dhe kriminalitetit të lartë, por në Singapor është krejtësisht e kundërta.
Apartamentet e ndërtuara nga qeveria në Singapor janë të pastra, të sigurta dhe të mirëmbajtura. Në to jetojnë rreth 80 për qind e banorëve.
Singapori është gjithashtu një nga vendet me numrin më të lartë të personave që janë pronarë të banesave në të cilat jetojnë. Në vitin 2016, rreth 90 për qind e personave ishin pronarë të shtëpive ku jetonin.
Por nuk ka qenë gjithnjë kështu. Singapori ka pasur probleme të rënda me banimin, por arriti ta zgjidhë më mirë se kushdo.
Në vitin 1959, kur Singapori mori nga Britania e Madhe të drejtën për t’u vetëqeverisur, qyteti kishte një problem shumë të madh me strehimin, ndërkohë që popullsia po rritej në mënyrë shumë të shpejtë.
Në vitin 1960, kryeministri i parë i Singaporit, Li Kuan Ju, themeloi Bordin për Strehim dhe Zhvillim (HBD), e cila ishte një agjenci shtetërore, me misionin për të ndërtuar banesa sociale që t’u jepeshin me qira të ulët banorëve më të varfër të qytetit.
Në atë kohë, shumë emigrantë, sidomos ata nga Malajzia, ishin duke jetuar në baraka jashtë standardeve të higjienës.
Ngaqë midis kinezëve dhe malajzianëve kishte tension etnik që ende vazhdonte të rritej, HDB e pati të vështirë t’i bindte që t’i linin barakat informale e të vendoseshin në apartamentet e reja që kishin ndërtuar.
Më pas erdhi zjarri, ende i pashpjegueshëm, që shpërtheu në Bukit Ho Sui, më 25 maj të vitit 1961. Një zonë prej 400 mijë metrash katrorë u dogj dhe u rrafshua, ku katër persona vdiqën dhe 16 mijë prej tyre mbetën pa shtëpi.
Qeveria arriti t’i strehojë të gjitha viktimat me sukses, brenda një viti. Në pesë vitet e ardhshme zhvilloi ndërtesa të reja mbi zonën e katastrofës.
Reagimi i shpejtë nga qeveria fitoi miratimin e njerëzve dhe hodhi themelet për sistemin e strehimit që do të ndiqej në vitet e ardhshme.
Në lajmet e atëhershme britanike, Singapori konsiderohej si një nga vendet e pakta në të gjithë botën, ku një agjenci shtetërore kishte arritur ta realizonte me sukses projektin e premtuar për strehim, brenda pesë viteve.
Në vitin 1965, HDB kishte arritur të ndërtonte 51 mijë apartamente, duke strehuar rreth 400 mijë banorë, që në atë kohë ishin një e katërta e popullsisë. Në këtë mënyrë zgjidhën problemin e strehimit.
Ndryshe nga vendet e tjera, në Singapor, shtëpitë e ndërtuara nga shteti nuk janë vetëm për të varfrit, por mbulojnë gjithë masën e popullsisë.
Përveçse i jepte me qira, HDB nisi t’ua shesë banorëve, që në vitin 1964. Në vitin 1968 banorëve iu kërkua që të paguanin një pjesë të rrogës për një fond kredie, të menaxhuar nga shteti, e që quhej Fondi Qendror i Kursimeve. Ky fond ishte përdorur fillimisht për mbulimin e pensioneve, por në vitin 1968 kaloi te strehimi, duke bërë kështu që një pjesë e madhe e njerëzve të ishin pronarë të banesave ku jetonin, shkruan Bloomberg, përcjell TCH.
Qytetarët mund të blejnë lloje të ndryshme pronash, në varësi të të ardhurave. Që nga apartamentet bazë, deri te apartamentet në komplekse të mëdha e të kushtueshme, të pajisura me pishina, palestër e shërbime të tjera.
Çmimet e banesave të ndërtuara nga shteti janë zakonisht 20 për qind deri në 30 për qind më të lira se ato të tregut privat. Por, që ta marrësh një apartament, duhet të aplikosh më parë, pastaj duhet të presësh për disa vite, derisa të ndërtohet. Po ashtu, pasi e merr, nuk mund ta nxjerrësh në shitje nëse nuk ke jetuar aty për të paktën pesë vite.
HDB vazhdon të planifikojë e të ndërtojë apartamente. Numri i ndërtuar deri më sot arrin në rreth një milion, të përhapura në të gjithë qytet-shtetin.
Përqindja e banorëve që jetonin në banesa të ndërtuara nga shteti ka ndryshuar rrënjësisht, nga 9 për qind në vitin 1960 në 82 për qind në vitin 2016. Numri i atyre që janë pronarë të banesave ku jetojnë është rritur në mënyrë të shpejtë, bashkë me rritjen e ekonomisë së vendit.
Sistemi i përdorur nga Singapori për banesat e ndërtuara nga shteti konsiderohet si një nga më të suksesshmit në botë, por disa e shohin si mënyrë për të pasur shoqërinë nën kontroll.
Për shembull, shteti përcakton kuota për përqindjen e kinezëve, indianëve dhe malajzianëve që do të jetojnë në secilin kompleks. Qëllimi është që grupet e ndryshme etnike të bashkëjetojnë, duke shmangur kështu krijimin e enklavave të bazuara në racë.
Por prapë, një agjenci e fuqishme, me rregulla të planifikuara mirë dhe me vullnet të fortë politik, e ka zgjidhur krizën e strehimit në Singapor dhe ka përmirësuar kushtet e jetesës për miliona banorë. /Telegrafi/