Site icon Telegrafi

Si e shitën rusët Alaskën “për një copë bukë”

Më 30 mars të vitit 1867, me një nënshkrim dhe një “grusht” dollarë, Cari Aleksandri II u dha Shteteve të Bashkuara territorin e Alaskës.

“Pazari” në atë kohë u bë për 7.2 milionë dollarë, që në vlerat e sotme janë 113 milionë dollarë. Marrëveshja e heqjes dorë të Perandorisë Ruse nga Alaska u nënshkrua nga i deleguari i tyre, Baroni Edouard de Stoeckl dhe për SHBA nga Sekretari i Shtetit, William H. Seward.

Me nënshkrimin e saj, mori fund odiseja 125-vjeçare ruse në këtë rajon të ftohtë. Por si u arrit deri këtu? Në vitin 1581, Rusia, që në atë kohë kishte vetëm një fraksion të territorit aktual, ndërmori një fushatë zgjerimi në Lindje. Pushtoi shpejt pjesën më të madhe të Siberisë, që kontrollohej deri në atë kohë nga një stërnip i Genghis Khan dhe quhej Khanati i Sibirit.

Perandoria ruse nuk hasi shumë rezistencë dhe brenda 6 dekadave doli në Paqësor. Në vitin 1741, Vitus Bering kaloi me sukses ngushticën që ndan Azinë me Amerikën Veriore, ngushticë që sot mban emrin e tij.

Për vetë atë ekspedita ishte fatale. Pasi u përfshinë nga moti i keq dhe një pjesë e anijeve u dëmtuan, Bering u sëmur keq dhe vdiq pak më vonë. Megjithatë, ekuipazhi i tij rregulloi anijet dhe për të mbijetuar shfrytëzuan ato që u klima e ashpër u ofroi. Ata panë pasuritë e mëdha në peshkim dhe u rikthyen në Shën Peterbug, që në atë kohë ishte kryeqyteti i rusëve, me trofetë e grumbulluar.

Megjithatë, për Perandorinë Ruse, ruajtja e kontrollit të Alaskës ishte një sfidë më vete. Distanca dhe vështirësitë financiare e detyruan që të hiqnin dorë prej saj. Lufta e Krimesë kundër Perandorisë Osmane, Francës e Britanisë kishte boshatisur arkën perandorake dhe Aleksandri II ishte në kërkim të dëshpëruar për të ardhura shtesë.

Nga kjo përfituan Shtetet e Bashkuara, që prej 2 dekadash ja kishin vënë syrin. Në fillim të 1840, SHBA u zgjerua me Oregonin, aneksoi Teksasin dhe luftoi me Meksikën duke vënë nën kontroll Kaliforninë.

Ky ishte zgjerim në jug dhe Perëndim, ndërsa në Veri zgjerimi ishte më i vështirë. Kanadaja kontrollohej nga Mbretëria e Bashkuar, me të cilën SHBA nuk dëshironte një tjetër konflikt, ndërsa marrja e Alaskës me forcë kishte kosto të mëdha, transmeton TCH.

Ndaj, duke njohur vështirësitë e Perandorisë Ruse vendosën që të paguajnë 7.2 milionë dollarë për marrjen e saj. Në atë kohë, amerikanët panë tek Alaska mundësinë për burime ari dhe zhvillimin e industrisë, ndërsa sot shteti i ftohtë është shteti më i pasur amerikan falë burime të shumta natyrore, përfshirë gazin dhe naftën.

Exit mobile version