Eneida Pishkashi, 24-vjeçarja nga Librazhdi humbi jetën tragjikisht nga një aksident rrugor në aksin Prrenjas-Qafë Thanë. Në morinë e aksidenteve të shumta rrugore në Shqipëri, Eneida është viktima më e pafajshme.
Ajo dhe 5 anëtarët e tjerë të familjes u përplasën barbarisht nga një automjet që vinte me shpejtësi dhe humbi kontrollin, duke marrë para çfarë i doli. Të shtunën e 13 prillit spitali i Traumës në Tiranë njoftoi se e reja nuk u zgjua nga koma, prej komplikacioneve të rënda shëndetësore ndërroi jetë.
Familjen e saj e pllakosi zia dhe 24-vjeçares në lule të rinisë iu ndërprenë ëndrrat dhe jeta në mes, pabesisht.
Si ndodhi aksidenti tragjik?
Mesdita e 9 prillit do të rezultonte tragjike për një familje 6 anëtarëshe në aksin rrugor Prrenjas-Qafë Thanë, pasi u përplasën nga një automjet që lëvizte me shpejtësi.
Për pasojë, 24-vjeçarja Eneida Pishkashi u plagos rëndë dhe përfundoi në koma. Pas 5 ditësh te spitali i Traumës në Tiranë ajo ndërroi jetë.
Shoferi i dehur, Jetmir Daci, që shkaktoi edhe aksidentin e rëndë, u arrestua vetëm pasi e reja humbi jetën pas 5 ditëve në koma dhe jo në momentin kur ndodhi ngjarja.
Sipas policisë, ai ka qenë duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, kur më 9 prill ka përplasur në aksin Prrenjas-Qafë Thanë të renë së bashku me 4 familjarë të tjerë të saj. Në testin e bërë nga policia ditën e ngjarjes rezultoi se 44-vjeçari ka qenë i dehur në timon në nivelin 0.40 mg/l të alkoolit në momentin që ka përplasur familjen Pishkashi.
Mirëpo, me urdhër të Prokurorisë së Elbasanit, Daci u lirua.
Familja ndodhej 30 metra larg aksit nacional
Familja që u aksidentua po qëndronte në këmbë 30 metra larg aksit nacional, para një servisi dhe po prisnin që makina e tyre të riparohej kur u goditën nga një automjet “Passat” me drejtues Dacin i cili i mori përpara.
Dinamika e aksidentit tregon se drejtuesi i automjetit ka qenë komplet i papërgjegjshëm në timon. Jo vetëm doli nga asfalti, por ka lëvizur plot 30 metra ka frenuar, deri kur goditi familjen.
Kryefamiljari, Artan Pishkashi i cili gjithashtu mbeti i plagosur, ishte emigrant në Greqi dhe në vendlindje ishte kthyer për arsye familjare. Lëndime nga aksidenti morën edhe dy vajzat e vogla të Pishkashit e nëna e tij, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën, raporton Balkan Web. /Telegrafi/