Aktorët turq kanë qenë prezent në televizionet kosovare me serialet dhe filmat.
Disa prej tyre madje janë mishëruar me shqiptarët sa që kanë forcuar lidhjet duke u dashuruar në meshkujt apo femrat shqiptare.
Por, si e kaluan vitin 2016 yjet turke dhe shqiptare në kinematografi dhe estradën muzikore, transmeton Telegrafi.
Disa prej tyre kanë pasur suksese në karrierën filmike ndërsa ca në jetën sentimentale duke kurorëzuar lidhjet e tyre me martesë.
Çinari i kërkon dorën Almeda Abazit
Një prej çifteve që pritet të martohen këtë vit janë edhe çifti Tolgahan Sayisman dhe Almeda Abazi. Madje, aktori tashmë i ka kërkuar dorën bukuroshes shqiptare.
Sipas traditës shqiptare, por edhe asaj turke, babai i aktorit ka kërkuar nga familja Abazit që Almeda të martohet me djalin i tij. E natyrisht, bukuroshja shqiptare i shërbeu me kafe sipas traditës. Në rrafshin e karrierës filmike Tolgahan nuk ka pasur diçka të re, ndërsa Almeda ka vazhduar me showt televizive në kanalet turke.
Murat Boz dhe Asli Enver
Këngëtari më i përfolur turk, Murat Boz ka bërë publike lidhjen me aktoren shqiptare. Bëhet fjalë për Asli Enverin, e cila ka luajtur në shumë seriale dhe filma turke.
Historia e tyre e dashurisë filloi në momentin që aktorja u paraqit në festat e fundvitit në “The Voice of Turkey”, ku edhe këngëtari u dashurua ‘në shikim të parë’.
https://www.youtube.com/watch?v=bWLt5son1CE
Kivanc Tatlitug
Aktori ka pranuar edhe publikisht se është shqiptar dhe ka prejardhje prej kryeqytetit kosovar të Prishtinës.
Ai përpos që ka qenë i suksesshëm në rrafshin e filmave, ku korri suksese me rolin e Cesurit në serialin “Cesur ve Guzel”, edhe në atë sentimental ka qenë i suksesshëm duke kurorëzuar romancën disa vjeçare.
Aktori i serialit “Gumush”e “Dashuri e ndaluar”, i njohur më mirë si Mehmeti, ka kurorëzuar lidhjen me stilisten Basak Dizer.
Kenan Imirzalioglu
Aktori i njohur më mirë në shtetin tonë si Mehmet Kosova, nuk është paraqitur në ndonjë projekt filmik apo serial në 2016. Hera e fundit që e kemi parë në ekranet televizive është në vitin 2015 në serialin “Karadayi” me rolin Mahirit.
Por, aktori ka kurorëzuar lidhjen me martesë. “Ezeli” i ka thënë PO bukuroshes turke, Sinem Kobal, e cila ka qenë e fejuar me futbollistin turk Arda Turan.
Berguzar Korel dhe Halit Ergenc
Dy aktorët e njohur nga shumë hit-seriale, Berguzar Korel dhe Halit Ergenc, janë bashkëshortë edhe në jetën reale.
“Sheherzadja” e “1001 Netëve” është paraqitur në serialin ‘Vatanimin Sensin’ me rolin kryesor të Azizes. Po në të njëjtin seria paraqitet edhe bashkëshorti i Korelit, Haliti që luan rolin kryesor në kategorinë e meshkujve.
Nurgul Yesilcay
Aktorja po shfaqet me sukses në serialin që bën fjalë për Perandorinë Osmane “Muhteşem Yüzyıl: Kösem (2016-) Kösem Sultan”.
Aktorja që në Kosovë njihet me rolin e Gulserenit u përfol se është në lidhje me shqiptar, por kjo mbeti në suaza të përfoljes dhe asgjë më tepër. Aktorja vazhdon të mbetet single që prej ndarjes në vitin 2010 kur ishte i martuar me Cem Ozerin.
Erkan Petekkaya
Aktori nuk ka pasur ndonjë rol në serialet turke që vlen të theksohet. Herë pas here ka marrë pjesë me paraqitje sporadike si mysafirë në ndonjë projekt filmik.
Xhihani, siç e njohin kosovarët, këtë vit i është përkushtuar bashkëshortes Didemit si dhe djalit Cemit.
Tuba Buyukustun
Aktorja ka pasur një sukses në sferën e karrierës dhe një dështim në jetë private.
Tuba ka arrit sukses të madh me serialin shumë të shikuar në shtetin turk “Cesur ve Guzel”, ku luan edhe aktori shqiptar, Kivanc Tatlitug.
Por, ajo në jetën private ka probleme pasi tashmë ka dorëzuar në gjykatë kërkesën për shkurorëzim prej aktorit Onur Saylak.
Dhe si për ti hedhur benzinë zjarrit, aktorja është fotografuar në krah të aktorit të serialit ‘Ezel’, Erkan Avci.
Murat Yildirim
Aktori më mirë i njohur në Kosovë me rolet e Demirit dhe Savasit, ka qenë ndër më të suksesshmit. Ai është paraqitur në dy seriale, të cilat kanë qenë shumë të shikuar në shtetin turk. Te “Kocan Kadar Konuş-Diriliş” është paraqitur me rolin e Sinanit ndërsa te Gecenin Kralicesi, së bashku me Meryem Uzerli, ka luajtur rolin e Kartalit.
Ai gjithashtu ka kurorëzuar edhe lidhjen me bukuroshen marokene Iman Elbani, ku ceremonia e dasmës është bërë në mënyrë private dhe në prani të disa miqve. /Telegrafi/