Foshnja e parë e ngjizur nëpërmjet fekondimit in vitro lindi në vitin 1978 dhe që nga ajo kohë, më shumë se pesë milionë foshnja kanë lindur në mbarë botën falë kësaj metode
Përkundër faktit se ngjizja in vitro ndihmon shumë njerëz të arrijnë dëshirën e tyre për pasardhës dhe është gjithnjë e më shumë mënyra se si gratë mbeten shtatzënë, shumë ende nuk e dinë se si funksionon IVF-ja.
Për të mësuar më shumë se si funksionon procesi i ngjizjes in vitro, videoja e mëposhtme mund t’ju tregojë:
Duke qenë se IVF-ja imiton ngjizjen natyrale, video fillimisht tregon se si duket ngjizja natyrale dhe më pas ngjizja in vitro, transmeton Telegrafi.
Si funksionon procesi i IFV-së
In vitro do të thotë se ky proces zhvillohet jashtë një organizmi të gjallë, ose në këtë rast, jashtë trupit të gruas. E shpjeguar thjesht, ngjizja in vitro do të thotë që qeliza vezë nuk ngjizet në trupin e gruas, por kjo gjë bëhet në një laborator.
Para kësaj, trupi i një gruaje duhet të kalojë një cikël mujor që veza të piqet në përgatitje për ovulimin.
Në ngjizjen in vitro, hormonet injektohen për të shkaktuar stimulim të tepërt të vezoreve dhe mundësojnë më shumë se një vezë të maturohen, duke rritur kështu shanset për ngjizje të suksesshme. Gjendja e gruas monitorohet për të përcaktuar se kur vezët janë të pjekura dhe më pas ato “thithen” nga vezoret nën anestezi të përgjithshme.
Pas kësaj, në laborator, vezët përgatiten për fekondim dhe vendosen në një inkubator, pas së cilës ekzistojnë dy metoda të fekondimit.
Njëra metodë përfshin futjen e qindra spermatozoideve në një qelizë vezë me shpresën e fekondimit. Metoda e dytë përfshin injektimin e një sperme të vetme në vezë duke përdorur një gjilpërë, dhe kjo metodë përdoret veçanërisht nëse sperma është e cilësisë së dobët.
Kur ndodh fekondimi, vezët e fekonduara mund t’i nënshtrohen ekzaminimit për të përcaktuar nëse ka ndonjë anomali.
Në shumicën e rasteve, veza e fekonduar vendoset në mitrën e nënës shtatzënë tre deri në pesë ditë pas fekondimit, dhe kjo bëhet duke përdorur një kateter, pas së cilës shtatzënia vazhdon si në një konceptim natyral. /Telegrafi/