Studenti australian, Alek Sigley, i cili jetonte dhe punonte në Korenë e Veriut për më shumë se një vit, u lirua kohët e fundit nga paraburgimi.
Por siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, askush nuk e di pse ai ishte atje.
Bëhet fjalë për një 29-vjeçar i cili thuhet se shmangu kritikat politike në kurriz të Koresë së Veriut dhe foli për gjërat e vogla që përbëjnë jetën e përditshme atje.
Tani lind një pyetje tjetër – si arriti Alek në Korenë e Veriut dhe si jetojnë të huajt në këtë vend të izoluar?
Dhe sipas mediave, të huajt në Korenë e Veriut mund të ndahen në dy grupe – perëndimorë dhe kinezë, përcjell Telegrafi.
“Kina është aleati më i ngushtë dhe më i fuqishëm i Phenianit dhe ka rritje të numrit të turistëve kinezë në vend”, citohet të ketë thënë një profesor nga Universiteti i Koresë së Jugut, Kjungnam.
Ai vlerësoi se 120,000 turistë kinezë vizituan Korenë e Veriut vitin e kaluar. Për hir të krahasimit, në të njëjtin vit kishte 5,000 turistë perëndimorë.
Ndryshe qeveria kineze thuhet se ofron bursa të plota për 60 studentë në universitetet e Koresë së Veriut çdo vit, ndërsa 70 të tjerë thjesht financojnë studimet e tyre në atë vend.
Ndërsa një hulumtues i Koresë së Veriut, Andray Abrahamian, një vizitor i shpeshtë në vend, vlerëson se ka vetëm rreth 200 perëndimorë, dhe pothuajse të gjithë prej tyre u vendosën në Pyongyang dhe janë të lidhur kryesisht me misionet diplomatike, organizatat humanitare dhe universitetet.
Rrethanat speciale
“Shumica e perëndimorëve që jetojnë në Korenë e Veriut janë atje për shkak të rrethanave të veçanta. Kjo është relativisht e pazakontë për njerëzit që të kalojnë disa kohë në Korenë e Veriut dhe janë të lidhur zakonisht me ndonjë program qeveritar në një kohë, dhe numri i tyre është në përgjithësi shumë i vogël”, citohet të ketë thënë Dr. John Nilson Wright, nga Universiteti i Kembrixhit.
Jashtë këtyre zonave, edhe marrja e një vize për punëtorët e organizatave joqeveritare është një problem.
Siç shpjegon profesori nga Universiteti i Koresë së Jugut, organizatat duhet të sigurojnë një partner ose sponsor të Koresë së Veriut, i cili do t’i garantojë ata.
“Hetimi mund të detajohet dhe ndoshta do të përfshijë ministrinë e sigurimit të shtetit për të gjithë ata që përpiqen të qëndrojnë më gjatë në vend”, shton ai.
Ndryshe, Alek Sigley thuhet se shkoi për herë të parë në Korenë e Veriut si një turist në vitin 2012, përpara se të krijonte kompaninë e vet të turneut.
Ai udhëhoqi dhjetëra grupe udhëtarësh, duke ndërtuar rrjetin e tij që duhej të aplikohej në Universitetin Kim Il Sung, më i miri në vend.
“Nuk ka proces të hapur të aplikimit dhe pranimi shpesh është çështje e kontaktit që keni në vend”, citohet të ketë thënë ai në blog. “I kam disa miq të cilët janë të gatshëm për të garantuar për mua dhe për të më ndihmuar mua”.
Alek filloi një studim koreanoverior dy vjeçar në prillin e kaluar. Ai ishte një nga tre studentët perëndimorë në universitetin e tij – dy të tjerë ishin nga Kanadaja dhe Suedia.
Jeta në Korenë e Veriut
Alek gjithashtu shkroi për lirinë që gëzonte në krahasim me turistët të cilët duhet të qëndrojnë në udhërrëfyesin e tyre dhe të vizitojnë vetëm vendet e shënuara.
“Si një i huaj që jeton në vend për një kohë të gjatë në sajë të një vizioni studentor, unë kam akses pothuajse të pakufizuar në Phenian. Unë jam i lirë të endem në qytet pa ndonjë përcjellje”, shkroi ai.
Ndërsa Andray Abrahamian tha se edhe si banorë, perëndimorët nuk mund të hyjnë “kudo”. Sipas tij, ata gjithashtu jetojnë në përputhje me kufizimet – përzierja me popullatën lokale nuk është e dëshirueshme dhe fotografimi publik është i rrezikshëm.
Ndërkohë Wright kujton rastin e studentit amerikan Otto Warmbier i cili kaloi 17 muaj në burg në Korenë e Veriut, pasi u akuzua për vjedhje të një shenje propaganduese gjatë një turneu promovues pesë-ditor. Ai vdiq pak ditë pasi u kthye në Amerikë në një gjendje kome. Pas kësaj, autoritetet amerikane ndaluan qytetarët e tyre që të shkonin atje.
“Siç mund ta shihni në rastin Warmbier, perëndimorët mund të shkelin rregullat lokale dhe pasojat mund të jenë serioze dhe ndonjëherë fatale”, thotë Wright.
“Edhe pse e vështirë, ia vlen të përpiqesh të krijosh marrëdhënie me atë shoqëri. Ne besojmë se kontakti është mënyra më e mirë për të ulur dyshimet dhe për të hapur terren”, përfundon Andray Abrahamian. /Telegrafi/