Site icon Telegrafi

Si duhet vepruar në rast aksidenti të kafshës?

Endri Haxhiraj,
Mjek veterinar

Më e mira është që ato të parandalohen, por kjo nuk varet gjithmonë nga pronari. Prandaj është e nevojshme që një pronar i ndërgjegjshëm të njohë disa pika thelbësore, të cilat në raste kritike mund t’i shpëtojnë jetën kafshës së tyre.

Shpesh ndodh që shenjat e aksidentimeve të jenë të dukshme, por ka edhe raste kur shenja mungojnë. Kafshët mund të çalojnë ose të kenë vështirësi në frymëmarrje (p.sh., frymëmarrje me gojë, lëvizje të thella të gjoksit etj.). Si duhet vepruar në të tilla raste?

– Telefononi menjëherë veterinarin, këshillohuni dhe lajmërojeni që t’ju presë.

– Kontrolloni rrahjet e zemrës. Mënyra më e mirë është vendosja e veshëve në gjoksin e kafshës nën bërrylin e majtë.

– Nëse kafsha nuk reagon mund të bëni frymëmarrje artificiale (gojë më gojë nëpërmjet duarve të mbledhura si tub) dhe masazh kardiak për të rivendosur qarkullimin e gjakut. Për qentë e racave të mëdha, kjo mund të kërkojë forcë, por pronari nuk duhet të shqetësohet edhe nëse mund të thyhet ndonjë brinjë. Jeta e qenit ka më shumë rëndësi dhe brinja e thyer mund të shërohet.

– Pas çdo minute ndaloni dhe matni rrahjet e zemrës ose frymëmarrjen.

– Masazhi i zemrës dhe frymëmarrja artificiale duhet të vazhdohet derisa sa të dëgjohen rrahjet e zemrës dhe kafsha të fillojë të marrë frymë.

– Për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me gjendje shoku, shihet ngjyra e mishit të dhëmbëve. Normalisht ai ka ngjyrë rozë. Nëse ngjyra e mishit të dhëmbëve është e zbehtë atëherë kemi të bëjmë me një gjendje emergjente.

– Nëse nga plagët del gjak, ai duhet ndaluar nëpërmjet vendosjes së një cope mbi plagë për 5 min. Kujdes: Plaga nuk duhet masazhuar, sepse kjo shton gjakun që del.

– Pjesa trupit e plagosur mund të ngrihet mbi nivelin e pjesës tjetër të trupit të kafshës (nëpërmjet një jastëku) që forca e gravitietit të japë ndihmën e vetë në ndalimin e gjakderdhjes.

– Nëse duhet që të lëvizni kafshën, kjo duhet kryer me kujdes. Ajo mund të vendoset në një dërrasë që përfshin të gjithë trupin e kafshës. Vendosja duhet kryer me kujdes dhe butësisht. Nëse këto janë të pamundura, atëherë kafsha duhet të arrijë sa më shpejtë në çdo mënyrë të mundshme te mjeku.

Çfarë përmban kutia e ndihmës së shpejtë për kafshët?

Çdo pronar i përgjegjshëm mban në shtëpinë e tij një kuti të ndihmës së shpejtë.

Kutia e ndihmës së shpejtë për kafshët shtëpiake duhet të përmbajë minimalisht:

1- Termometër rektal. Termometrat elektronik janë më të lehtë në përdorim dhe shumë të lirë.
2- Lubrifikues termometri (vazelinë ose vaj kur mukoza rektale është e irrituar).
3- Xhel për kompresa të ftohta dhe të ngrohta.
4- Fasha normale, fasha ngjitëse dhe fasha kundër ujit.
5- Gërshërë me majë të topitur (shumë e rëndësishme për prerjen e qimeve rreth plagës).
6- Brisk rroje për të hequr qimet (p.sh., për plagë të imta).
7- Gërshërë bandazhi.
8- Tamponë për dezinfektimin e plagëve të vogla ose instrumenteve.
9- Jod (betadinë).
10- Tamponë pambuku, pambuk steril.

Kujdes: Në kapakun e kutisë së ndihmës së shpejtë vendoset numri i telefonit të veterinerit.

/Telegrafi/

Exit mobile version