Site icon Telegrafi

Si bëhet autopsia në Kosovë? Specialistja mjeko-ligjore tregon procedurat për zbardhjen e rrethanave të vdekjes

Në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Kosovë kryhen autopsi mjeko ligjore të trupave të njerëzve për të zbuluar shkakun e vdekjes së tyre. Në këtë institut janë gjithsej dhjetë mjekë ligjorë ndërsa instituti punon edhe me kujdestari, në rastet e autopsive.  

Telegrafi qëndroi thuajse gjithë ditën në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), mirëpo në sallën e autopsisë qëndrimi ishte i veçantë, kjo pasi puna aty është shumë me rëndësi për drejtësinë.

Njëra nga specialistet e Mjekësisë Ligjore është doktoresha Bergita Curri, e cila në këtë sallë tregoi për punën e saj dhe vështirësitë me të cilat përballet gjatë punës mjeko-ligjore.

Bergita Curri, specialiste e Mjekësisë Ligjore /Foto: Ridvan Slivova/

Gjatë intervistës me Currin, ajo tha se në sallën e autopsisë nuk punohen rastet e personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë, por vetëm rastet tjera. Ajo tregoi se në këtë sallë mund të ekzaminohen dy raste në të njëjtën kohë, pasi janë dy tavolina të punës.

“Kjo është salla e autopsisë, vendi ku kryhen të gjitha autopsitë mjeko-ligjore të rasteve që vijnë në institutin e IML-së. Këtu nuk punohen rastet e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, për atë e kemi një sallë tjetër atë të Antropologjisë. Këtu i kemi dy tavolina, e cila nënkupton që mund të punohen dy raste njëkohësisht. Në këtë institutit punojmë 10 mjeko ligjorë, që jemi me orare kujdestarie në rastet e autopsive”, ka thënë Curri.

E pyetur se sa mjekë e teknikë marrin pjesë në një autopsi, ajo tha: “në kryerjen e një rasti që nuk ka ndonjë ndërlikim apo rrethanë të veçantë jemi një mjek specialistë i mjekësisë ligjore, e eventualisht dy teknik të autopsisë dhe fotografi mjeko ligjorë, pasi çdo etapë e autopsisë së kufomës nga momenti i hapjes e deri te mbyllja e rastit komplet gjithçka fotografohet, dokumentohet dhe mbetet në dosjen e rastit për tu dokumentuar në gjykatë”.

Bergita Curri, specialiste e Mjekësisë Ligjore gjatë intervistës për Telegrafin /Foto: Ridvan Slivova/

Por cilat janë vështirësitë me të cilat përballen mjekët ligjorë?

Curri tha se e kanë shumë të vështirë të kryejnë autopsinë e një trupi kur nuk kanë informata për rastin. Si dhe një tjetër vështirësi të cilën e potencoi mjekja ligjore është dhe buxheti i pamjaftueshëm.

“Njëra nga vështirësitë më të shpeshta është mungesa e informatave për rastin. Ndodh që rasti mund të vij në autopsi ende pa përfundu hetimet dhe nuk ka shumë informacione as nga prokuroria e as nga policia. Po ashtu një vështirësi të madhe e krijon dhe buxheti i pamjaftueshëm për materiale të cilat ne i përdorim. Gjithçka që përdoret në IML në shumicën e ekzaminimeve tona janë materiale shumë specifike të cilat nuk i përdorë asnjë institucion tjetër dhe rrjedhimisht janë shumë të shtrenjta. Dhe në fund të vitit detyrohemi të bëjmë kursime dhe të vendosim prioritete, por në përgjithësi këto janë dy sfidat më të mëdha”, tregoi Curri.

Bergita Curri, specialiste e Mjekësisë Ligjore /Foto: Ridvan Slivova/

Mjekja ligjore gjatë intervistës tregoi se pos dy laboratorëve që i kanë në IML ende të pa akredituara (toksikologjia dhe hispatologjia), ata dërgojnë mostra për të kryer analiza edhe në laboratorin e biokimisë në QKUK si dhe për analiza mikrobiologjike i dërgojnë në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHPK).

“Ne si institucion i kemi dy laboratorë ku njëri prej tyre pritet të akreditohet sipas standardit ISO, është toksikologjia dhe histopatologjia. Eventualisht në raste të caktuara e shfrytëzojmë laboratorin e biokimisë të QKUK-së, ose dhe analizat mikrobiologjike i dërgojmë në institutin kombëtar të shëndetit publik. Por kemi shumë pak opsione dhe ndonjëherë na paraqesin dhe vështirësi”, tregoi Curri.

E pyetur se a ekzaminohet viktima pa e ditur historinë e atij rasti, Curri tha: “Varësisht prej rastit. Nëse patjetër e kërkojnë që ne të presim për informacione shtesë do të presim, por në 98 për qind të rasteve e fillojmë autopsinë pasi është e rëndësishme që të mos humbim shumë kohë dhe trupi mos t’i nënshtrohet ndryshimeve pas vdekjes, pasi është fenomeni i kalbëzimit që mund t’i ndryshoj shumë parametrat, qoftë nga pamja e jashtme, qoftë në analiza histopatologjike dhe në toksikologji mund të ndryshojnë shumë gjëra, prandaj ne mundohemi që në afatin sa më të shkurtët kohor pas vdekjes të kryejmë ekzaminime, shto këtu dhe anën tonë tradicionale si popull që e kemi traditë që trupi të varroset sa më shpejtë, pasi gjithmonë kemi presion nga familjarët që ta lirojmë trupin”.

Bergita Curri, specialiste e Mjekësisë Ligjore /Foto: Ridvan Slivova/

Ndërsa, udhëheqësi i divizionit në Mjekësinë Ligjore, njëherë eksperti mjeko ligjorë, Musa Gashi për Telegrafin tregoi se ky divizion ka nën përgjegjësi të saj dy nën njësi, njësinë e ekzaminimeve mjeko ligjore dhe ekzaminimin klinikë mjeko ligjorë.

Musa Gashi, udhëheqësi i divizionit në Mjekësinë Ligjore, njëherësh ekspert mjeko ligjorë /Foto: Ridvan Slivova/

“Ky divizion ka nën përgjegjësi dy nën njësi. Njësia e ekzaminimeve mjeko ligjore që nënkupton autopsinë mjeko ligjore dhe ekzaminimin klinikë mjeko ligjorë që nënkupton ekzaminimin e kufomës dhe të personave të gjallë. Ndërsa njësia tjetër përbërëse është njësia e laboratorëve mjeko ligjorë. I kemi dy shërbime laboratorike: shërbimin histopatologjisë mjeko ligjore dhe shërbimin e toksikologjisë mjeko ligjore. Krejt koordinimin, menaxhimin e bëjmë së bashku. Jam ekspert mjeko ligjorë, që i kryej dhe detyrat e përgjithshme si ekspert mjeko ligjorë qoftë autopsi, ekzaminim, etj”, u shpreh ai.

Musa Gashi, udhëheqësi i divizionit në Mjekësinë Ligjore, njëherësh ekspert mjeko ligjorë /Foto: Ridvan Slivova/

Gashi gjithashtu gjatë intervistës tregoi se në këtë institutit kanë pak specializantë të mjekësisë ligjore, kjo pasi siç u shpreh ai mjekët e sapo diplomuar nuk e dëshirojnë këtë specializim.

“Në përgjithësi specializimin e mjekësisë ligjore nuk e dëshirojnë ta marrin shumë mjekët e sapo-diplomuar dhe vështirësia e parë na paraqitet këtu. Kemi pak specializantë të mjekësisë ligjore të cilët do të bëheshin specialistë dhe do t’i merrnim këtu në IML”, ka thënë ai. /Telegrafi/ 

Exit mobile version