Në vitet ’20 dhe sidomos në vitet ’30 të shekullit XX, Korça ka qenë një nga qytetet më të rëndësishëm, më të zhvilluar në shumë aspekte të hapësirës shqiptare në Ballkan.
Sipas regjistrimit të parë më të plotë e më të saktë të popullsisë së shtetin shqiptar, në vitin 1923 Korça kishte 25,598 banorë, duke qenë qyteti me popullsinë më të madhe.
Ajo ka qenë qendra më e rëndësishme ekonomike, tregtare dhe arsimore-kulturore e Shqipërisë Juglindore.
Sidomos, që nga mesi i shekullit XIX deri në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, Korça ka qenë një nga qytetet me koeficient të lartë emigrimi të banorëve në vende të ndryshme të Lindjes, e më pas të Perëndimit, si: Rumania, Bullgaria, Rusia, Ukraina, Franca, Gjermania, Italia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës etj.
Kur ktheheshin, emigrantët sillnin në qytetin ku kishin lindur jo vetëm mjetet financiare për të jetuar familja e tyre ose për të nisur veprimtari ekonomike të caktuara, por edhe mjaft modele sjelljeje dhe komunikimi, mjaft elemente kulturore të vendeve ku kishin punuar e jetuar si emigrant për disa vite.
Një faktor i rëndësishëm që ka ndikuar në zhvillimin arsimor e kulturor të këtij qyteti dhe më gjerë, ka qenë Liceu Francez që nisi të funksionojë më 25 tetor 1917, si e para shkollë e mesme e arsimit të përgjithshëm në hapësirën shqiptare në Ballkan.
Në vitin 1921, kjo shkollë që i zhvillonte mësimet në gjuhën franceze, u emërua Liceu Kombëtar dhe ishte e barazvlefshme me shkollat analoge të Francës së atyre viteve. Ky Lice u mbyll nga pushtuesit italianë në vitin 1940.
Deri në vitin 1938 në këtë shkollë të mesme u diplomuan 600 liceistë, ndër të cilët 100 ishin vajza.
Pjesa më e madhe e tyre kanë kryer studime universitare dhe pasuniversitare në Shqipëri pas vitit 1946 dhe sidomos në vende të tjera dhe kanë pasur ndikim të rëndësishëm në jetën kulturore e politike, artistike e shkencore të shoqërisë shqiptare deri në fund të shekullt XX.
Banorët e qytetit të Korçës përgjatë viteve 1840-1940, përgjithësisht kanë qenë në ballë të lëvizjeve të shumanshme të popullit shqiptar për çlirim kombëtar, për emancipim shoqëror dhe për zhvillim arsimor e kulturor.
Avangardizimi i korçarëve shprehej edhe në përdorimin e simboleve kulturore në jetën e përditshme.
Në shoqërinë tradicionale shqiptare, si rregull, çdo fejesë paraprihej nga një fazë disa mujore “testimi” në distancë të parapëlqimeve për fejesë të vajzës, të familjarëve të saj nga ana e të afërmve të kandidatit për dhëndër.
Ndërkohë, “formulat” e “propozimit” zyrtar për lidhje krushqie ndërmjet dy familjeve, dy fiseve ndryshonin shumë nga njëra krahinë ose qytet në tjetrin.
Nga bisedat me korçarë, që mbajnë mend elemente të funksionimit të jetës në qytetin e Korçës të viteve ’30 të shekullit XX, rezulton se qerasja me llokume kishte kuptim simbolik të veçantë ndër familjet e arsimuara.
Një kuptim simbolik i tillë realizohej përmes një “mekanizmi” të veçantë të propozimit për fejesë.
Familja e djalit që do kërkonte dorën e vajzës për martesë, pas testimit në distancë, vinte në rolin zyrtar të “shkuesit”, një djalë të vogël, si rregull 7-9 vjeç. Ai duhet ta luante rolin pa e kuptuar, por me korrektësi absolute. Për këtë qëllim djali duhej të ishte tërësisht i bindur ndaj një burri autoritar me lidhje të afërta fisnore, miqësore ose shoqërore me kandidatin për dhëndër.
Djalit të vogël i jepej një buqetë me lule natyrale të shumëllojshme, më të bukurat e stinës. Mbi lule vihej një zarf i mbyllur, në të cilin ndodhej propozimi për fejesë. Me këtë buqetë lulesh që mbante zarfin djali trokiste në portën e shtëpisë së vajzës që kërkohej për nuse.
Djali i vogël porositej që ta pranonte ftesën e të zotit ose të zonjës së shtëpisë për të hyrë brenda në shtëpi dhe duhej të priste derisa ta qerasnin. Menjëherë pas qerasjes, djali duhej të paraqitej te burri me autoritet që ia kishte caktuar këtë rol.
Ai e pyeste djalin me detaje për mënyrën e qerasjes.
Nëse djalin e kishin qerasur me llokume, kandidati për dhëndër dhe familjarët e të afërmit e tij merrnin mesazhin e pakontestueshëm se kërkesa e tyre për miqësi ishte pranuar nga familjarët e kandidates për nuse.
Për rolin që luante djali i vogël, shpërblehej me dhurata, më së shpeshti me para. /Konica/