Site icon Telegrafi

Shuplaka publike

Duket ironike, por askush tjetër përpos ambasadorit Dell, nuk duket që zyrtarisht të ketë kërkuar takimin e udhëheqësve të Lëvizjes Vetëvendosje me zyrtarin e lartë amerikan Kantrimen. Por diplomacia i ka këto. Takimi i mbajtur në një shtëpi private sikur i nxjerrë të larë të gjitha palët dhe sikur i rihapë të gjitha opsionet sërish. Kjo qasje e z. Kantrimen, këtij zyrtari të lartë të administratës së SHBA-ve, këtij vendi që përfaqëson mikun tonë më të dëshmuar, paraqet një shuplakë publike për ambasadorin e vet dhe për kryeministrin tone në dorëheqje të cilët krejt pa takt e diplomaci kishin deklaruar të kundërtën përpara dhe gjatë krejt procesit zgjedhorë.

Por, ajo që bie në sy pas kësaj, është se Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të mbetet po aq parimore me gjithë këtë situate konfuze, edhe Dell-i vazhdon të mbetet diplomat përkundër të gjithave. Për Kryeministrin në largim ende nuk është e qartë se ku po mbetet.

Sidoqoftë, edhe situata po vazhdon të mbetet po aq konfuze, sikurse nga moment i dorëheqjes së imponuar të ish-presidentit Sejdiu. Edhe akterët dhe aktorët e njëjtë po vazhdojnë të janë të njëjtit, sepse klasa e re politike e proklamuar me aq pompozitet u rrëzua përtokë qysh nga bryma e parë. Pranvera politike doli të ishte e rreme, të ishte vetëm iluzion mediatik. Mbase ka qenë e tepërt të besohet për pranverë në dhjetorë, për një vend i cili gjendet në hemisferën veriore, edhe përkundër prirjeve tona që të besojmë në tregime edhe më fantastike.

Por si duket, gjithçka po rishqyrtohet nga sovrani. E në Kosovë, si e dini tashmë, sovrani, as me kushtetutë, nuk është qytetari, së paku jo krejtësisht, pasi që ajo është ende nën protektorat ndërkombëtarë. E kush është, pra sovrani në Kosovë? Mbase nuk është turp nëse e pranoj se, në krejt këtë lojë, ajo që nuk e kam të qartë është pikërisht kjo: Kush është sovrani në Kosovë?.

Derisa, miku ynë Kantrimen, njëherë dështoi të aterojë në këtë mjegull politike, për t’u kthyer pas pak ditësh me disa hapa që nxisin për meditim, njohësit e mirë të protokollit dhe diplomacisë thonë se në këtë vizitë gjithçka ka qenë mesazh. Ky mesazh si duket përmban në vete një tërheqje të fuqishme të veshit të atyre që po kapërdiheshin pa takt përgjatë skenës politike të këtij vendi të stërlodhur.

Pra, deklaratat e miqve tanë, të cilat po përcillen me vëmendje nga qytetarët e këtij vendi të nëpërkëmbur keq në zgjedhjet e fundit, dhe të hutuar edhe më shumë pas tyre, janë ashtu siç pritej: diplomatike. Sikur na ftojnë për një katarzë dhe për të bërë të pamundurën, sikur na ftojnë për të kapërcyer hijen tonë.

Në kohën kur rreth Kosovës dhe përgjithësisht në regjionin e Mesdheut ka dridhje të fuqishme tektonike të cilat nuk po rrëzojnë vetëm qeveri dhe diktatorë, si duket pakkush ka mirëkuptim për lojërat tona provinciale dhe për hajdutët tanë të veshur me pushtet dhe me imunitet. Leximi i gabuar i mesazheve dhe paaftësia për t’u përballë me të keqen e vet, e solli Shqipërinë dhe Maqedoninë në një gjendje e cila është pak të quhet e jashtëzakonshme. E Kosova kah po shkon? Andej, apo këndej? A do të ketë fuqi të përballet me të keqen e vet?

Exit mobile version