Gjyshet nga ana e nënës janë unike dhe kanë një lidhje të veçantë me ne, si nipa e mbesa të tyre.
Ato luajnë rol shumë të rëndësishëm në jetën tonë, qoftë në nivel emocional, por edhe në nivel gjenetik, transmeton Telegrafi.
Edhe nëse nuk shpenzoni shumë kohë me gjyshen, lidhja mes juve dhe saj asnjëherë nuk do të zhduket.
Kjo ndodh për shkak se ju e trashëgoni ADN-në e saj, temperamentin, shijet dhe emocionet.
Alejandro Jodorwsky, eseist kilian, ka shkruar një libër të quajtur Metagenealogy: Self-Discovery Through Psychomagic and the Family Tree, ku e shpjegon ndikimin gjenetik që e kanë te nipat e mbesat gjyshet nga ana e nënës.
Sipas tij, gjenet të cilat fëmijët i pranojnë kur janë në mitrën e nënës vijnë direkt nga gjyshet e tyre. Mes të gjithë prindërve, gjyshërve dhe familjarëve tjerë, gjyshet nga ana e nënës janë më së shumti përgjegjëse për trashëgiminë gjenetike.
Gjenet jo gjithmonë trashëgohen në gjeneratën e ardhshme, prandaj e shmangin një gjeneratë. Kjo është arsyeja se përse gjithmonë ekziston një mundësi që disa fëmijë të duken më shumë si tezet, axhët dhe gjyshërit e tyre sesa si prindërit e vet.
Fëmijët mund të mos duken saktësisht si gjyshja e tyre, por gjithmonë do të ketë një shenjë te ta: një nishan, buzëqeshja, ngjyra e syve, mënyra e ecjes, etj. Gjithashtu, shpeshherë fëmijët e trashëgojnë edhe strukturën e eshtrave, muskujt dhe sëmundjet gjenetike nga gjyshërit.
Ne ndajmë rreth 25% të ADN-së sonë me gjyshërit. Shkencëtarët nga Universiteti i Kembrixhit kanë publikuar një hulumtim rreth lidhjes së gjyshes nga ana e nënës me nipat e mbesat e tyre.
Sipas këtij hulumtimi, kjo lidhje ndodh për shkak të kromozomit X – gjyshet i kalojnë 25% të kromozomeve të tyre X te të gjithë nipat e mbesat, gjë e cila u mundëson atyre t’i trashëgojnë gjenet e gjyshes.
Në anën tjetër, gjyshet nga ana e babait i kalojnë kromozomet X vetëm te mbesat e tyre, por jo te nipat. Prandaj, përderisa gjyshet nga ana e babait kanë një lidhje prej 50% të kromozomit X me mbesat e tyre, ato janë 0% të lidhura me nipat e tyre.
Sipas Jodorowsky-t, fëmijët gjithashtu i trashëgojnë edhe përvojat emocionale nga gjyshja prej anës së nënës. /Telegrafi/