Propozim-ligji për lojërat e fatit i cili që nga muaji shkurt i këtij viti qëndron në Kuvendin e RMV-së, këtë të hënë sërish do të gjendet në seancë. Dje nuk u votua rendi i ditës, por siç thonë deputetët për A1on, të hënën do të ketë tentim të ri nga deputetët e shumicës që në seancë parlamentare ta miratojnë nevojën për sjelljen e ndryshimeve ligjore, që parashohin zhvendosje të kazinove dhe bastoreve në mbi 500 metra nga objektet shkollore.
Sipas opozitës, në propozim-ligj ka tentim për legalizim të tre kazinove online dhe një kompanie për makinat e fatit, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Bëhet fjalë për të njëjtin ligj që është dorëzuar në Kuvend në shkurt. Tani ka një tentativë të re për ta miratuar, sepse qëndronte si material në Kuvend. Dje ishte një tentativë e re për miratimin e ligjit, por tashmë nga e hëna do të tentojnë sërish ta votojnë rendin e ditës dhe ta kalojnë këtë ligj me flamur evropian”, thanë për A1on nga grupi parlamentar i OBRM-PDUKM-së.
Pos OBRM-PDUKM-së kundër këtij ligji janë edhe partitë tjera opozitare. Deputeti dhe lideri i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, thotë se po bëhet teatër falas, për të pasuruar individët.
Nga Lidhja e bastoreve sportive, thonë se propozim-ligji për lojërat e fatit do të thotë fund i industrisë legale të lojërave të fatit dhe hapje e derës së ekonomisë gri dhe krimit./Telegrafi/