Tradita dibrane për të shkolluar fëmijët e tyre vazhdon. Dekada me radhë prindërit dibran kanë shkolluar fëmijët e tyre edhe në momentet më të rënda kur ata kanë patur krizë ekonomike.
Kjo situatë vazhdon edhe sot. Të dhënat të drejtorisë të shkollës së mesme komunale “28 Nëntori” në Dibër thonë se pjesa dërmuese e maturantëve të këtij viti do të vazhdojnë shkollimin superior. Drejtori i gjimnazit Ramadan Imeri thotë se anketat mes maturantëve dhe prindërve tregojnë për një interes të madh që maturantët të cilët përfundojnë shkollimin e mesëm të regjistrohen në një nga universitete të vendit por edhe atë të Prishtinës dhe të Tiranës.
Drejtori i i shkollës së mesme komunale “28 Nëntori”, Ramadan Imeri thotë se këtë vit numri i përgjithshëm i maturantëve që përfundojnë shkollimin e mesëm është 185, nga të cilët 118 janë maturant në paralelet në gjuhën shqipe dhe 67 në paralelet në gjuhën maqedonase. Në këtë shkollë të mesme mësimi realizohet në gjuhën shqipe dhe maqedonase dhe rezultatet në paralelet e maturantëve janë të mira. Në këtë shkollë aktualisht drejtoria dhe stafi i profesorëve realizojnë aktivitete edhe për përgatitjen e maturantëve për të vazhduar shkollimin universitar. Ditëve të fundit janë realizuar edhe vizita në ditët e hapura të universiteteve në Tetovë dhe Shkup. Interesimi është i madh”, thotë drejtori i shkollës Ramadan Imeri dhe shton se vet fakti se 95 për qind e maturantëve kanë paraqitur kërkesë për maturë shtetërore flet qartë se maturantët dibran vazhdojnë traditën për të vijuar shkollimin në institucionet universitare.
Sipas tij, vetëm një numër i vogël i maturantëve kanë paraqitur maturën shkollore që faktikisht flet për përcaktimin e tyre për të mos vazhduar studimet. “Ne kemi patur disa takime edhe me prindërit e maturantëve. Kemi debatuar rreth përgatitjeve për provimet në universitete për shënimin e maturës por edhe për probleme të tjera të cilët kanë maturantët. Kemi sugjeruar që mbrëmja e maturës të jetë sa më modeste me qëllim që familjet të mos kenë probleme financiar”, thotë drejtori Ramadan Imeri.
Në krahasim me vite më parë kur dominonte interesi i maturantëve për të studiuar ekonominë, drejtësinë, gjuhët e huaja dhe filozofinë si dhe filologjinë, tre vitet e fundit ata preferojnë shkencat teknologjike dhe informatike, medicinën, biznesin por edhe administratën dhe turizmin.
Në anketat që janë realizuar në këtë shkollë të mesme të vetme në Dibër prindërit dhe maturantët thonë se pjesa më e madhe e tyre do të studion në Tetovë në Universitetin Shtetëror si dhe në Universitetin të Evropës Juglindore, Universitetin Shtetëror të Shkupit sidomos në Universitetin “Nënë Tereza”, por ka edhe maturantë, të cilët do të vazhdojnë studimet në Universitetin Prishtinës në Kosovë dhe Universitetin të Tiranës në Shqipëri. Një pjesë shumë e vogël e maturantëve pritet të vijojnë studimet në disa nga universitetet në shtetet të Unionit Evropian. Është një gjeneratë e cila ka treguar rezultate të mira gjatë katër vitet e mësimit të shkollës së mesme, andaj pritet që kjo gjeneratë të prodhoj kuadro të nevojshme për zhvillimin e Dibrës dhe më gjerë. (koha.mk)