Site icon Telegrafi

Shumica e infermierëve në Spanjë kanë punuar pa pajisje mbrojtëse gjatë krizës së COVID-19

Shumica e infermierëve në Spanjë thonë se kanë punuar gjatë krizës së COVID-19, pa pajisje të mjaftueshme mbrojtëse, sipas një studimi nga Kolegji Spanjoll i Infermierëve (CGE).

Nga 11 mijë infermierë të anketuar në Spanjë, 74 për qind thanë që nuk kishte maska në njësinë e tyre të punës, ndërsa 55 për qind raportuan për mungesë të veshjeve mbrojtëse.

“Punëtorët shëndetësorë nuk kishin pajisje themelore për mbrojtje kundër virusit, gjë që mund të shpjegojë numrin jashtëzakonisht të lartë të punëtorëve të infektuar në vendin tonë”, tha CGE të mërkurën.

Kolegji i Infermierisë Spanjolle beson se ka shumë më tepër të prekur në mesin e punonjësve shëndetësorë sesa janë raportuar, pasi studimi zbulon se dy të tretat e infermierëve konfirmuan se kishin simptoma, por nuk ishin në gjendje të testohen.

Raporti gjithashtu zbulon se 5 për qind e infermierëve duhej të punonin me simptoma.

Qyteti i Madridit njëherit vendi më i goditur i 17 rajoneve të Spanjës, ishte gjithashtu rajoni me numrin më të madh të infermierëve që raportuan se kishin simptoma të ngjashme me COVID-19./Telegrafi/

Exit mobile version